Tirana bën kampionin me Apoloninë
Tirana fiton ndaj Apolonisë duke i marrë edhe vendin e tretë në renditje, ndërsa Vllaznia ka sigluar fitoren e pestë në këtë kampionat ndaj Teutës. Tirana ka sigluar fitoren e saj më të thellë në këto 15 javë të para të kampionatit, duke mundur Apoloninë e Fierit me rezultatin 4-1. Rezultati domethënës tregon se skuadra e trajnerit Alban Tafaj ka bërë refleksion të thellë për gjendjen e saj në kampionat dhe për më tepër, për herë të parë në 15 javë të garës arrijnë të shënojnë të dy sulmuesit kryesorë të ekipit, pra Memelli e Abilaliaj. I pari shënon golin e parë në këtë kampionat, ndërsa Abilaliaj gjen golin pas tetë javësh në kampionat. Bardheblutë vinin në këtë ndeshje me mungesa të shumta në formacion, për shkak të dëmtimeve dhe skualifikimeve. Mungonin Abraham, Lila e Dabulla për shkak dëmtimesh, ndërkohë që të skualifikuar për shkak kartonësh ishin Nallbani, Sefa dhe Bicaj. Megjithatë, skuadra e Tafajt ia doli mbanë të ishte e suksesshme. Në këtë sfidë shkëlqyen të gjitha repartet, duke filluar nga mbrojtja që ishte tepër e saktë, ashtu dhe me mesfushën që dirigjohej nga një Muka në top-formë dhe një Muzakë i papërmbajtshëm, por edhe nga dyshja sulmuese Memelli-Abilaliaj që zgjidhi mjaft mirë fatet e ndeshjes. Ndryshe në Shkodër Vllaznia arriti një tjetër fitore të mundimshme. Sërish ankth në minutat e fundit dhe duket se do të kemi të bëjmë me një sezon të tërin në ankth për kuqeblutë. I riu Djepaxhia ka larguar një top vendimtar që po shkonte drejt portës pikërisht në minutat shtesë. Skuadra shkodrane megjithatë ka luajtur më mirë se ndeshjet e tjera këtë herë. E ka kontrolluar lojën dhe duhej ta kishte mbyllur më herë ndeshjen me rastet që ka krijuar. Vllaznia fiton dhe ngjitet në kuotën e 18 pikëve dhe duket se tashmë gjërat po fillojnë të rregullohen për të.