E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do të protestojnë mjekët për vdekjen e Matildës?!

Të hënën, mjekët nuk dolën në protestë. Ata kishin premtuar- dhe prej dy të hënash e mbajtën premtimin -që çdo fillim jave do të bënin grevë njëorëshe për të kërkuar sigurinë e jetës së tyre dhe reformimin e sistemit mjekësor.

Këtë të hënë kronika e protestës së mjekëve të mbledhur grusht rreth njëri-tjetrit u zëvendësua me kronikën e vdekjes së një vajze të pafaj nga dora e njërit prej tyre.

Mendova se mjekët nuk kishin dalë në protestë se i kishte vrarë ndërgjegjja për vdekjen e Matildës. Por njëri prej bluzave të bardha ma shoi kureshtjen dhe nuk më la dilema. "Dje ishte pushim, prandaj nuk dolëm"! Në fakt, kishte të drejtë. Si mund të prishin terezinë e tyre mjekët në ditë feste?! Madje as për të drejtat e tyre.

Në nderin e mjekëve është që të mos presin të hënën e ardhshme për të dalë në protestë. Duhet të dalin çdo ditë për të denoncuar aktin çnjerëzor të kolegut të tyre. Ose, nëse e kanë të rëndë të dalin në oborrin e spitalit kundër njërit prej tyre, besoj se duhet të distancohen nga këto praktika kriminale, që parkingjet e vilave të paligjshme në provinca kthehen në spitale nga vetë ata.

Vetëm atëherë do të mendoj se ata kërkojnë seriozisht reformimin e sistemit. Vetëm atëherë shoqëria do të bashkohet me ta për të kërkuar mbrojtjen e jetës së tyre.

Sepse, që mjekët e kanë rrogën e ulët (nuk dihet nëse është lënë rroga e ulët që i detyron të marrin lekë, apo nuk ua ngrenë rrogën, se e dinë që marrin lekë) kjo dihet. Por mjekët nuk marrin lekë sa për të plotësuar rrogën. Sepse shumica e mjekëve nuk ua lënë pacientëve në vullnetin e tyre të lirë për të dhënë një dhuratë, qoftë edhe para, pasi pacienti të jetë shëruar. Disa nga bluzat e bardha (dhe për fatin tonë të keq këta janë shumë) vendosin çmimin përpara se të të fusin në sallë. Dhe këtu nuk po flas në erë. Meqë dje mediat thanë se Urdhri i Mjekut ka nisur hetimin, po jap një rast që e kam përjetuar vetë. Këtë rast, jam i gatshëm ta denoncoj në çdo vend.

Para disa muajsh një i afërmi im më kërkoi që ta ndihmoja për të gjetur një mjek të mirë për të operuar perden e syrit. Një operacion që doktorët e konsiderojnë si nga më të lehtët. Por që të afërmit tim i kushtoi shtrenjtë. Më rekomanduan doktor Ali Tonuzin. Që në takimin e parë doktori i kishte thënë: "Nuk e di se sa e kanë të tjerët operacionin. Unë 300 e kam. Me të tjerat merru vetë". Që donte të thoshte se tarifat për narkozistin dhe ato "mamitë" që të shtyjnë karrocën ishin llogari më vete. Që në momentin që më tregoi këtë bisedë u stepa, por meqë ishte biseduar mes miqsh, nuk i thashë që të ndërronte doktor. Mendova, ka këtë çmim, ngaqë miku im ma tha se ishte ndër më të mirët. Në ditën e operacionit doktori e filloi operacionin rreth mesditës, pasi kishte pirë disa gota. Në sallën e operacionit ishte futur bashkë me një shokun e tij të fëmijërisë (i cili sigurisht nuk ishte mjek) dhe i tregonte atij për "të fortat e jetës, që i mundësonte të qenit mjek"). Të gjithë bisedën ma riprodhonte i afërmi më pas. Por, ndërsa priste që syri të përmirësohej, pasi shpenzoi edhe rreth 10 mijë lekë (të reja) medikamente, duke ia ndryshuar recetën disa herë, i afërmi im nuk po mund të shikonte më. Shkuam disa herë të shqetësuar te doktori dhe më në fund ai tha: Dëgjo, operacioni nuk shkoi ashtu siç e kishim parashikuar. Për fatin e tij, i afërmi im shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe frymën e mbajti në një nga klinikat në Detroit. Pas vizitës së parë, doktorët i thanë se lentja që i kishin vënë në Shqipëri kishte qenë e gërvishtur dhe duhej të operohej sërish. Ju desh të paguante sërish, rreth një mijë dollarë.

Në mënyrë që plagosja e mjekut të mos trajtohet thjesht dhe vetëm si agresion nga një i çmendur, dhe që vdekja e 17-vjeçares të mos trajtohet si natyrale. Mjekët duhet ta shohin problemin jo bardh e zi. Të mos e shohin veten si viktima të sistemit, por si pjesë e problemeve të mjekësisë. Vetëm duke nisur të vet korrigjohen, ata kanë të drejtë të kërkojnë solidarizimin e shoqërisë, kur dhunohen vërtetë nga të sëmurët mendorë. Dhe t‘i shkulin dhëmbët shtetit për reformat e ngrira që në vitin 1963.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›