E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e gazetarit, hetime dhe nga agjentët e SHIK-ut

Vrasja e gazetarit Ali Ukaj është hetuar edhe nga SHIK-u për shkak të dyshimeve që ishin ngritur mbi motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Një fakt i tillë konfirmohet edhe nga ish-oficeri i lartë i policisë, Albert Dervishi, i cili në vitin 2007, ka ndjekur nga afër hetimin e këtij rasti, pasi në atë kohë ishte me detyrë shef komisariati. Duke kujtuar ngjarjen e vjetër, Dervishi shprehet se në atë kohë u vërtetua se Selman Ukaj ishte autori i kësaj ngjarjeje, ndërkohë që për motivin e saj u hetua në disa pista. Ai rrëfen se ato ditë, policia ishte në gatishmëri edhe për shkak të zgjedhjeve parlamentare, që sapo kishin kaluar dhe komisariati i drejtuar prej tij kishte për detyrë mbrojtjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. "Kur u njoftuam për ngjarjen, të cilën e mbaj mend si tani, u nisëm dhe brenda një kohe të shkurtër kapëm edhe autorin. Ai e pranoi akuzën e vrasjes dhe nga provat e mbledhura, vërtetuam se ai ishte vrasësi. Megjithatë, dyshime u ngritën për motivin e vrasjes", shpjegon Albert Dervishi. Më tej, ai rrëfen se për dyshimet e ngritura nisi hetimi në disa pista. "Veç policisë kriminale të asaj kohe, e cila bëri një hetim të mirëfilltë dhe operacional, hetime ndërmori edhe Shërbimi Informativ Kombëtar. Ata hetuan për pista të ndryshme mbi motivet e vrasjes, por asnjëherë nuk dhanë ndonjë përgjigje për konkluzionet e hetimit", shprehet ish-oficeri i lartë i Policisë së Shtetit. Gjithashtu, Dervishi tregon se për këtë ngjarje janë munduar që të punojnë sa më shumë, duke vërtetuar shumë shpejt akuzën e ngritur ndaj Selman Ukajt. Ai rikthen në vëmendje se banesa e gazetarit kishte pasur një goditje natën e ngjarjes. "E nga kjo mungonin edhe pasaportat e Selman Ukajt, pretendim të cilin ai e ngriti si motiv të ngjarjes. Por, me që nuk mundëm të vërtetojmë asnjë pistë tjetër hetimore dhe nuk morëm ndonjë përgjigje nga SHIK-u për hetimet e tyre se deri në çfarë hallke kishin arritur, kjo dosje u dërgua në gjykatë", detajon Dervishi. Ai shpjegon se më pas kjo dosje u mbyll me vendim gjykate dhe autori u dënua sipas ligjeve tona. Kjo ngjarje e rëndë u regjistrua më datë 29 korrik 1997. Rreth orës 00:30 të asaj date, Selman Ukaj, sapo ishte kthyer me viktimën Ali Ukaj në banesën e këtij të fundit. Kanë vënë re se banesa ishte bërë rrëmujë nga vjedhësit. Midis të pandehurit dhe viktimës ka filluar një konflikt, për shkak të pasaportave personale të tij dhe të afërmve të Selmanit, të cilat nuk po i gjenin. "Në grindje e sipër, Selman Ukaj ka goditur viktimën me sende të forta, ku sipas aktit mjekoligjor i është shkaktuar vdekja. Pas momentit të goditjes, i pandehuri ka filluar të bërtasë, duke e mbajtur për shumë kohë viktimën në prehër. I pandehuri nuk ka lëvizur nga banesa deri kur është lajmëruar policia dhe e kanë arrestuar", deklarohet në vendimin e gjykatës.

Misteri

Dyshimet e arratisjes

së vrasësit të gazetarit

Zhdukja e autorit të vrasjes së gazetarit Ali Ukaj mbetet një mister, pavarësisht se gjykata kishte vendosur që ai të mbyllej në psikiatri. Vetëm pak kohë pasi u dërgua në psikiatri, në kushte të pashpjegueshme, u arratis e më pas u largua në Zvicër. Që në atë kohë, e deri më sot, askush nuk ka dëgjuar për të. Edhe familja e gazetarit të vrarë ka tentuar të lidhet me të, por ai u është shmangur herë pas here, duke lënë të pandriçuara shumë fakte në lidhje me vrasjen e asaj nate korriku në vitin 1997. Grupi hetimor shprehet se më 27 prill të vitit 1998, Gjykata e Tiranës ka vendosur dënimin e Selman Ukajt për vrasje, pasi ai ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij. Gjyqi e shpall fajtor, por në vend të dënimit me burg, e liron si të sëmurë psikik dhe e dërgon në një spital psikiatrik të Elbasanit. Pas një kohe të shkurtër, askush nuk dëgjon më për të. Selman Ukaj arratiset nga ky spital dhe kalon në Zvicër, ku mendohet se jeton edhe sot.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›