Dy plagosje me armë në harkun e tri orëve
Dy plagosje me armë zjarri brenda tri orësh kanë ndodhur dje në mesditë në Rrethin e Shkodrës në dy ngjarje të ndryshme. Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autorët e ngjarjeve janë duke u kërkuar nga policia. Ngjarja e parë ka ndodhur rreth orës 13:30 në zonën e plazhit në Velipojë ku 30-vjeçari Alfred Deda nga Velipoja është qëlluar me armë zjarri në një rrugë dytësore të plazhit. Ai është dërguar me shpejtësi në spitalin rajonal të Shkodrës, ku është jashtë rrezikut për jetën. Burime nga policia bëjnë të ditur se është identifikuar dhe është shpallur në kërkim autori i kësaj ngjarjeje, që është shtetasi Mario Margjeka, lindur dhe banues në Velipojë. Vetëm tri orë pas kësaj plagosjeje, ka ndodhur një tjetër ngjarje në fshatin Bërbullush, 25 km larg qytetit të Shkodrës. Gjergj Nuku, 19 vjeç, është qëlluar disa herë me armë zjarri dhe për pasojë është plagosur rëndë. Ai është dërguar nga banorë të zonës në spital dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale i ka shpëtuar vdekjes. Policia nuk e ka identifikuar ende autorin e ngjarjes dhe motivet e saj.