E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manovra të mëdha nga Juventusi, Ranieri harton listën e blerjeve

Pasi ka siguruar pjesëmarrjen në Champions, trajneri i Juventusit, Klaudio Ranieri, ka hartuar nevojat që ka skuadra për sezonin e ardhshëm: 26 lojtarë, duke përfshirë edhe portierët. "Grupi ekziston dhe këtë e ka treguar. Tashmë duhet që në kontingjentin aktual të ingranojmë edhe ndonjë element. Nevojiten 25-26 futbollistë: 3 portierë, dy lojtarë për çdo rol dhe tre xhola", pohoi drejtuesi i stolit bardhezi.

PORTIERËT - Për të konkurruar pa rrezikuar në Itali dhe në Evropë, duke pasur parasysh problemet në shpinë të Bufon, duhet një portier më i besueshëm se Belardi. Ëndrra është Handanoviç, por ai kushton shtrenjtë dhe sipas gjasave nuk ka dëshirë të bëjë rolin e "gardianit" rezervë. Një ide është Kudiçini, problemi i të cilit është se ka rrogë të lartë, ndërkohë që Bufon u ka kërkuar drejtuesve bardhezinj rikthimin e Kimentit (momentalisht luan tek Udineze).

MBROJTËSIT - Grigera, Legrotalje, Kielini dhe Molinaro janë konfirmuar, ndërsa Zebina është në dyshim. Teknikisht lojtari është i vlefshëm, por problemet fizike dhe simpatia e pakët që ka Ranieri mund të sjellin largimin e tij. Nëse Zebina ikën, duhet zgjidhur problemi në krahun e djathtë, edhe sepse Melberg (i marrë me parametër zero) është mbrojtës qendre. Gjithashtu, në bazë të rikuperimit të Andrades mund të nevojitet edhe një tjetër mbrojtës në krahun e majtë: Vargas dhe Groso janë përfshirë në listë, por në këtë rol mund të luajë edhe De Çelje.

MESFUSHORËT - Përveç Zanetit, Sisokosë e Markizios, Ranieri kërkon të paktën edhe dy qendrorë të tjerë, pasi Noçerino do të shkojë te Palermo në marrëveshjen për Amaurin. Emrat që qarkullojnë janë dy: Akuilani i Romës dhe Seidu Keita, 28-vjeçar që shënon shumë me Seviljan. Nuk duhet harruar as Çigarini, i cili i pëlqen shumë trajnerit, e që në rast të rënies nga kategoria të Parmës mund të afrohet me çmim të arsyeshëm. Krahu i djathtë duket në rregull me Kamoranesin, Salihamixhiç dhe Markionin, që refuzoi Palermon. Në të majtë, Nedved është në dyshim: drejtuesit e klubit po tentojnë ta bindin të luajë edhe një sezon, e ndërkohë po studiojnë edhe alternativat. Pëlqehen Mansini e Jankoviç.

SULMUESIT - Gjatë javës pritet një takim me menaxherin e Amaurit, që do të mbërrijë në Torino në këmbim të Noçerinos dhe të disa miliona eurove. Kjo do të sjellë largimin e Iakuintës, nga shitja e të cilit shpresohet të përfitohen paratë që do shpenzohen për brazilianin Amauri. Në skuadër do të rikthehet Xhovinko, ndërsa është në dyshim e ardhmja e Paladinos, që pretendon më shumë hapësirë dhe mund të zgjedhë të luajë në një tjetër skuadër. Nëse ky i fundit largohet, hapësira do të mbushet nga Davide Lancafame, që ka qenë protagonist i një sezoni të shkëlqyer me Barin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›