E Shtunë, 31 Tetor 2026

Figo: Murinjo duhet të zëvendësojë Mançinin

Luis Figo ka deklaruar se dëshiron të luajë edhe për një tjetër sezon, ndërkohë që ka pranuar se do t‘i pëlqente që Hoze Murinjo të bëhej pasardhësi i Mançinit si trajner i Interit. Kontrata e portugezit me klubit zikaltër përfundon në fund të këtij edicioni dhe pritej që Figo të tërhiqej nga futbolli, ose të vazhdonte karrierën në SHBA, ashtu sikurse ka bërë edhe Bekam. Mesfushori, i cili ka pasur mjaft sukses që prej vitit 2005 kur është bërë pjesë e Interit, ka kaluar shumë probleme që prej nëntorit të kaluar, kur theu këmbën në sfidën me Juventusin. "Pas dëmtimit ndryshova mendje dhe dëshiroj të luaj edhe për një tjetër vit", tha Figo. "Opsioni i parë që kam është të vazhdoj karrierën në Itali, por nuk dua të qëndroj në Serinë A për të përsëritur sezonin aktual". Kontributi i Figos në marshimin drejt titullit kampion ka qenë minimal. Ndër të tjera, duhet theksuar se as marrëdhëniet me trajnerin Mançini nuk kanë qenë të mira, e shkak janë bërë ndërrimet e njëpasnjëshme. Madje, muajin e kaluar, në ndeshjen e humbur 2-0 në Champions me Liverpulin, portugezi refuzoi të aktivizohej si zëvendësues. Ata të dy janë në "gjendje lufte" dhe Figo ka bërë të ditur se do të dëshironte që gjatë sezonit tjetër, në krye të skuadrës të vinte Hoze Murinjo. "Do të më pëlqente që të kisha trajner Murinjon, përpara se të tërhiqem nga futbolli", tha 35-vjeçari. Ish-trajneri i Çelsit është përfolur gjatë se do të ishte pasuesi i Mançinit në stolin zikaltër.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›