Masakra e Cërrikut, prokuroria merr në pyetje 100 dëshmitarë
Rihapja e hetimeve për vrasjen e gjashtë gardistëve dhe plagosjen e disa punonjësve të policisë më 23 maj të vitit 1997, solli provat e mjaftueshme për vënien para drejtësisë të autorëve të atij krimi monstruoz, ndërsa janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth 100 dëshmitarë. Ata kanë ringritur ngjarjen e vitit të trazirave. Nga procedimi penal numër 45 i Prokurorisë rezulton se më datë 23 maj 1997, rreth orës 8:30 në qytetin e Cërrikut janë goditur me armë zjarri punonjësit e Gardës së Republikës dhe forcat e policisë lokale nga disa persona. Nga këto goditje kanë gjetur vdekjen Besnik Sula, Halit Haxhia, Bashkim Mnella, Qemal Mehmeti, Sali Martini dhe Petrit Ndoi. Nga hetimet e kryera rezulton se më datë 22 maj 1997 është sulmuar Posta e Policisë së qytetit Cërrik dhe janë larguar me forcë punonjësit e saj. Të nesërmen Garda e Republikës dhe policë nga Elbasani kanë shkuar në Cërrik për të rivendosur rendin. Personat nën hetim Llazar Bicja dhe Meti Bozi, të informuar mbi këtë lëvizje, më datën 23 organizuan në qytetin e Cërrikut një grup personash të armatosur, me qëllim goditjen e forcave policore. Në mëngjes në lagjen nr. 3 të qytetit Cërrik, Bicja dhe Bozi kanë takuar shtetasit Arjan Toska, Luftar Toska, Besnik Toska, Alban Toska, Sokol Buzani, Bujar Buzani, Tomor Buzani, Bashkim Buzani, të cilët i kanë nxitur për të goditur forcat e policisë që do të lëviznin nëpër qytet. Për masakrën e Cërrikut përfundimisht si autorë të dyshuar tashmë në duart e drejtësisë janë 9 persona.