A do t’i përcjellim ish-funksionarët e nomenklaturës komuniste me pensionet e majme që përfitojnë padrejtësisht?
Qëmoti, ka pasur ligje të rrepta që ndëshkonin hajnin. “Me cilën dorë e ke kryer krimin (hajninë)?” “Me të majtën.” “Dora e majë të pritet!” Dëmi më i madh: “Me të dyja.” Ndëshkimi, më i rreptë: “Të priten të dyja!”Ligje barbare, do të thotë ndokush. Po, barbare, ama hajni nuk do të përsëriste më. I dhimbsej dora, nëse i kishte shpëtuar ndonjëra, ose këmbët, a veshët, a gjuha, nëse i kishte humbur të dyja duart. Deri në atë nivel, në nivelin e quajtur të barbarisë, ishte zhvilluar institucioni i ruajtjes së rendit publik, për të mbrojtur shoqërinë nga e keqja. Ashtu edhe bëhej, në përshtatje me nivelin. Sepse trojka: ves-e keqe-keqbërës, është bashkudhëtare historike e shoqërisë njerëzore, nuk mund të shmanget deri në zerizim, çka do të ishte e mira e të mirave, ëndërr e kahershme e njerëzimit, ama mund të mbahet nën kontroll, diku e dikur më shumë, diku e dikur më pak. Ajo vrapon trokthi t’ia kalojë trojkës tjetër: virtyt-mirësi-mirëbërës. Hera-herës edhe ia del t’i kërcënohet e para së dytës, por “finishin” nuk do ta mbërrijë kurrë.Në kohët moderne, janë hequr gijotinat, janë hequr hanxharët për të prerë duar, janë hequr thikat e mprehta për të prerë gjuhë, kur ato nuk përmbahen dhe përdhosin mjedisin anekënd. Janë vendosur të tjera norma, të tjera ligje për të mbrojtur shoqërinë nga keqbërësit. Nuk besoj se lexuesi do të bënte shumë mundim, për të gjetur shembuj që e vërtetojnë atë çka thashë. Shembuj në Tiranë, shembuj në Bruksel, shembuj në Londër, në Uashington, kudo a ngado mund të gjendeshin plot. Edhe qëllimi i këtij shkrimi nuk është të qëmtoj shembuj të thukët të së keqes. Jo. Shtysën për tê shkruar, kësaj here, ma dhe një përkthim tepër domethënës, botuar sot në gazetën “55”. Me anë të një ligji, në Poloni, ua paskan përgjysmuar pensionet zullumqarëve të diktaturës komuniste. M’u bë zemra mal! Jo sepse do t’ia lusja të keqen kujt, as atyre, që, fundja njerëz janë dhe duhet të jetojnë, por sepse e marr me mend çfarë lloj pensionesh të majme do të kenë pas përfituar. Dhjamosjen e sotme, ma merr mendja, e kanë të trashëguar, duke ua thithur dhjamin e pakët si të pleshtit kufomave të gjalla që ndërtonin socializmin. Si kudo në hapësirën ish-socialiste, si edhe në Shqipërinë tonë të vdekur të pakallur ekonomikisht deri në mbarim të erës komuniste.Mirëpo, çfarë do të bëhet tek ne?Edhe ligje aq të dëshiruara për hapje dosjesh, pasi sabotohen me çdo mënyrë e me çdo mjet nga e majta që mban mbi supe të gjitha krimet dhe zullumet e diktaturës envehoxhiste, mbeten në baltë. Duhen përpjekje të panumërta të palës tjetër për t’i nxjerrë sërish nga balta dhe për ta nisur punën nga e para. Ndërkohë dalin lloj-lloj analistësh, lloj-lloj shoqatash që predikojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lloj-lloj sharlatanësh mjekroshë a tullacë nga natyra (shpesh edhe tullacë me koka të rruara, për modë!), lloj-lloj avokatësh që lufta mes klaneve ish-komuniste në pushtet i çoi nëpër qelitë e burgjeve, lloj-lloj injorantësh që s’dinë çka do me thënë ligj etj. etj... të cilët, të gjithë së bashku, në një zë, çirren e çahen të na mbushin mendjen se, po u miratua ky apo ai ligj në Shqipërinë me kushte të tjera, “specifike”, do të bëhet edhe kiameti. Në të vërtetë, nuk ka ndodhur ndonjë e keqe as në Gjermani, as në çeki, askund gjetkë, ku janë miratuar ligje të njëjta. është e sigurt si askurrë ndonjëherë tjetër se edhe me ligjin e ri për përgjysmimin e pensioneve për kategoritë përkatëse në Poloni, s’ka për të ndodhur gjë prej gjëje. Zullumqarët polakë të njëherenjëkohe do të bërtasin, do të vajtojnë me uf! e me of!, do të çirren sa të këputen për zi të tyre. Në fund fare, po nuk plasën nga marazi, do të fiken kur t’u vijë koha. Polonia atje ku është do të mbetet. Polakët aty kanë jetuar, do të jetojnë jetë e mot. Po ne çka presim? S’duhet harruar se vjen një kohë dhe aranitçelët, a nexhmiehoxhat, a më the të thashë, na lënë shëndenë, kurse ne të varfrit që e pësuam kush më shumë e kush më pak, u marrshim të keqen, kur nuk ua kripëm ndopak kokën për së gjalli.Kohë më parë, ndonëse me bezdi, kam ndjekur një debat tepër të pështirë në sitin e internetit të një gazete të Tiranës. Sado që e përdalë, ajo nuk është nga ato të tipit transzhener. Përkundrazi, është gazetë e ngulur që herët në kampin e larmishëm antikombëtar, që mban dhe që mbron me fanatizëm ”gjininë” e vet të natyrshme, duke pretenduar të jetë “shqiptare”, vetëm sepse ka përvetësuar padrejtësisht emër shqiptar dhe përdor gjuhën shqipe për të vjellë dhe për t’u fryrë borive kundër shqiptarizmit.Tek debatohej rreth një artikulli të gazetës në fjalë për autostradën Durrës-Prishtinë, mes së tjerash, dikush kishte servirur idenë jokombëtare të së majtës shqiptare se nuk qenkësh koha për shpenzime aq të mëdha, kur vendi kishte nevoja të tjera më urgjente. Ishin me të vërtet diskutime që do t’i nderoje po t’i emërtoje diletante. Ndonëse emrat e diskutuesve pretendonin të mbanin ngjyrim shqiptar dhe modernizmi njëherësh, duke bërë ca përzierje epitetesh kombëtare me fjalë të nxjerra nga fjalorët më të fundit të shkencës së informatikës, të shumtën e herës, të ngjante se kishe të bëje me ata që rrëmojnë kazanët e plehrave. Nuk dua ta lodh lexuesin me ato çka mund të lexojë njeriu në aso farë diskutimesh që vazhdojnë sot e gjithë ditën me tema të reja. (Tashti së fundi, pas përrallës me kuti, u janë qepur dëmeve që kanë ndodhur në Veri prej reshjeve të shumta, siç ka ndodhur e po ndodh edhe në Angli, edhe në Itali edhe gjetkë e gjetkë.) Dua vetëm të sjell “idenë” e një “të mençmi” të moshuar (sipas gjasave) që shprehej se qeveria “do të kishte bërë më mirë të na ngrinte pensionet, sesa të hapte tunele në mes të maleve”! Them se duhet të ketë qenë ndonjë nga ata që dikur nuk e ndanin nga goja togfjalëshin “partia e qeveria”... U mata sot të hyja në atë sit interneti, të këputja edhe unë ndonjë marrëzi, sepse atje mund të këputësh ç’të duash, nuk thotë kush jo. Doja ta pyesja atë “të mençmin” që nuk e thotë emrin e vërtetë, por fshihet pas arritjeve të informatikës dhe që, sipas të gjitha gjasave, duhet të mbajë ende kapele sigurimsash “alla Xherxhinski”, si do ta priste një ligj të mundshëm si ai i Polonisë në Shqipëri për përgjysmimin e pensioneve të zullumqarëve shqiptarë të njëherenjëkohe? Nuk do të ishte më mirë t’i përpjesëtonte qeveria të ardhurat nga përgjysmimi i pensioneve të tyre, në të mirë të pensioneve tepër të ulëta? Pesë lekë, pesë lekë, ama ta kuptojnë edhe ata çka do me thënë barazi!A thua të ishte shkrepja ime një marrëzi nga ato të sitit në fjalë? Pse të mos e thosha haptazi? Anonimët le të dalin nga anonimati dhe le të flasin haptazi. ...