Koha për evakuimin e plotë të banorëve të Nënshkodrës

Situatë e jashtëzakonshme në kaskadën e Drinit si dhe në ultësirën e Nënshkodrës. Kryeministri Berisha u ndan detyrat ministrave të kabinetit dhe miraton ngritjen e një Komiteti ndërqeveritar për drejtimin e procesit të evakuimit tërësor të banorëve nga zonat e përmbytura. Kreu i qeverisë siguron banorët se ekzekutivi ka marrë të gjitha masat për sistemimin e tyre në kushte krejtësisht normaleZona e përmbytur e nën Shkodrës duhet të evakuohet me çdo kusht. Ky ishte apeli i kryeministrit Sali Berisha, për zonat e përmbytura në qarkun e Shkodrës, të cilat ende vazhdojnë të jenë të rrezikuara në mënyrë permanente nga reshjet e pandalshme të shiut dhe hapja e tuneleve të shkarkimit të HEC-eve. Kryeministri Sali Berisha thërriti dje në orët e para të mëngjesit kabinetin qeveritar në një mbledhje të jashtëzakonshme pikërisht për situatën e krijuar në qarkun e Shkodrës si rezultat i përmbytjeve nga reshjet dhe shkarkimi i Hidrocentraleve.“Mbledhja e parë e qeverisë i përkushtohet tërësisht situatës së krijuar në vend. Unë vendosa që në këtë mbledhje të trajtoj vetëm situatën e rëndë, të krijuar në qarqet e Shkodrës dhe të Kurbinit. Për më se 13 ditë me radhë, në Shqipëri, veçanërisht në verilindje, ka pasur reshje të pandërprera, të fuqishme, të alternuara ndonjëherë edhe me reshje dëbore. Këto reshje kanë bërë që, në momente të caktuara, prurjet në lumin Drin, të krahasuara me verën e këtij viti, të rriten me 100 herë. Në verë prurjet kanë zbritur në 15 metër kub në sekondë, në këtë periudhë, ato arritën në më shumë se 1500 metër kub në sekondë. Por nga këto reshje rritje edhe më të mëdha, që shkojnë në 150 herë, kanë njohur lumenjtë Mat, Valbonë, Curraj, Sharrë dhe degët e tyre. Këto prurje të mëdha bënë që nivelet e liqeneve të rriten me shpejtësi. Në këtë kontekst, më madhori ndër të gjithë, natyrisht, është liqeni i Fierzës, por më problematik për momentin është ai i Komanit. Derdhjet e mëdha në liqenin e Komanit bënë që niveli i tij të rritet me shpejtësi të madhe. Fatkeqësisht, kapaciteti i këtij liqeni midis nivelit minimal eficent të funksionimit të turbinave dhe nivelit maksimal të pranueshëm të rritjes së tij është fare i vogël, gjithsej 6 metra apo realisht më pak, sepse në nivelin 176 kërcënon në mënyrën më serioze turbinat e Fierzës”, u shpreh kryeministri Berisha.Berisha urdhëroi krijimin e Komitetit të Emergjencës Civile, i cili do të koordinojë me autoritetet vendore të gjithë procesin e evakuimit nga kjo zonë. “Jemi para një situate emergjence reale. Dje, situata në rrafshin e ditës ka qenë kjo që raportova, por potencialisht katastrofa qëndronte dhe qëndron si shpatë e Demokleut. Sepse, së pari, zona e përmbytur nuk mund kurrë të asistohet sikur të ishte jashtë përmbytjes. Ka fëmijë, të sëmurë, gra e të moshuar dhe një farë hezitimi i ligjshëm për të pranuar evakuimin. Në këtë kontekst, sot do të krijojmë Komitetin Ndërministror të Emergjencës Civile, i cili do të koordinojë me autoritetet vendore të gjithë procesin e evakuimit nga kjo zonë. Nuk është kurrë në natyrën time të lëshoj nota pesimiste, por nuk mund të mos paralajmëroj situatën. Kemi 12 ditë që bie shi pandërprerë. Prognoza thotë edhe 10 ditë të tjera. Ata që kanë jetuar në ato zona e dinë që, në këtë moment që flasim, janë me mijëra burime, të shterura tërësisht gjatë verës, që tani shndërrohen në burime të fuqishme dhe ushqejnë lumenjtë dhe do të vazhdojnë t’i ushqejnë edhe për një apo dy muaj të tjerë shumë më tepër. Toka është si sfungjeri, thith dhe pastaj e rikthen të tërën. Detyra jonë është të parandalojmë katastrofën. Kjo është në detyrimin tonë më madhor. Kjo zonë duhet të evakuohet”, deklaroi Kryeministri.Sipas kreut të qeverisë, prurjet krahasuar me dje janë dyfishuar. “Nuk janë shumë të larta, por janë dyfishuar dhe duhet të përgatitemi për të gjitha situatat. Sigurimi i jetës së njerëzve është kryesore”, theksoi kryeministri Berisha. Më tej ai i bëri thirrje të gjithë komunave të Shkodrës të solidarizohen të ndihmojnë me mundësitë e tyre. Kreu i qeverisë shtoi se qytetarëve të evakuuar do tu sigurohen kushtet e jetesës më optimalet e mundshme. Berisha bëri thirrje për një rishqyrtim të situatës dhe të gjendjes në tërësi të argjinaturave, ndërsa informoi se ministria e Energjetikës dhe KESH ka mbledhur ekspertët më të mirë për këtë çështje. “Kërkoj ekspertizë ndërkombëtare dhe ju garantoj se ka ndjekje të përhershme të situatës. Manovrimi i situatës, ka qenë për të ulur maksimalisht rrezikun e mbingarkimit të liqenit dhe digave dhe të zvogëlojnë në maksimum përmbytjet”, u shpreh kryeministri. Shefi i ekzekutivit i kërkoi Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami hartimin e planit të evakuimit total të gjithë zonës. “Shtabi i Përgjithshëm të kompletojë me shpejtësi planin e evakuimit total të njerëzve dhe gjësë së gjallë”, tha Berisha. Në këtë drejtim, kryeministri i kërkoi edhe ministrit të Bujqësisë Genc Ruli që të gjitha bordet e kullimit të përqendrohen në zonën e Shkodrës, Kurbinit dhe Vjosës. “Të vijnë nga të gjitha rrethet ku nuk ka një rrezik eminent”, theksoi Berisha. Berisha tha në fjalën e tij se ndodhemi para një situate emergjente reale. Kryeministri pohoi se më problematik për momentin është Liqeni Komanit, pasi derdhjet bëjnë që niveli i tij të rritet me shpejtësi të madhe, ndërkohë që kapaciteti i tij është shumë i vogël. Ai shtoi se prurjet e mëdha rritën nivelin e liqeneve, ndërkohë që prurjet në Drin janë rritur me 100 herë. Sipas kryeministrit, në Lezhë këneta u shndërrua në det, megjithatë ai theksoi se shkarkimet nuk kanë qenë kërcënuese. Berisha theksoi se dalja e detit rëndoi situatën . “Në Kurbin situata është tepër e rrezikshme. Në Tale u shkatërruan pritat e betonit nga dalja e detit”, shtoi kryeministri. Berisha vlerësoi punën e Policisë së Shtetit dhe Xhenio-s në menaxhimin e situatës. Ndërkohë, Komiteti Ndërqeveritar i Emergjencës Civile do kryesohet nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Sipas kërkesës së kryeministrit, të gjitha ministritë duhet të raportojnë për masat dhe detyrat që kanë realizuar në ndihmë të kësaj situate te ky Komitet....