E Diel, 1 Nëntor 2026

Strategjia e daljes

Njeriut, që merr në sy rrezikun e mbetet brenda, nuk i mburret kurajua. Atij i qortohet pazgjuarsia për mosdaljen prej riskut. Bojkotimi i Kuvendit është politikë që Partia Socialiste duket e mendoi nxitimthi, ndërsa për ikjen nga politika e bojkotit nuk ka një strategji të menduar, përderisa e shndërroi në qark të shkurtër, bojkot - rezultat. Fillimi i bojkoti ishte interes i ngushtë me mbështetje emocionale, kurse përfundimi nuk vjen si në llogaritë tregtare, përderisa u kritikua politikisht me fjalët ”mjaft më!” Mjaft më nuk ka thënë vetëm pozita. Mjaft më nuk kanë thënë vetëm zërat e ndryshëm brenda opozitës. Mjaft më nuk kanë thënë vetëm diplomatë të rëndësishëm në Tiranë. Mjaftë më nuk kanë thënë vetëm organizmat ndërkombëtare të specializuara për zgjedhjet. Mjaft më nuk kanë thënë vetëm politikanë të lartë të vendeve perëndimore. Mjaftë më po thonë edhe zgjedhësit e së majtës. Kjo shprehet me bojkotim të llojit të kundërbojkotit: njerëzit nuk shkojnë në protestat e radhës, në tribunat e së cilës, nuk flitet vetëm për kutitë që kërkojnë të hapen, por numërohet tërësia e problemeve të vendit, duke i parë të gjitha ato vetëm zi. Në dimrin e vitit 2005, liqenet e sistemit hidroenergjetik të lumit Drini ishin lënë të zbrazëta dhe qeverisja u sulmua atëherë për terrin nga thatësira, që në muajt e parë të fillimit të mandatit. Në dimrin e 2009, shirat e pazakontë i tejmbushën ato liqene dhe qeverisja që po administron rrezikun, po sulmohet këtë herë që në muajt e parë të mandatit të dytë për përmbytjet. Kjo vështirësi e përkohëshme, që do të kapërcehet, dhe heqja së afërmi e vizave që, siç përsërisin zërat e fortë europianë, do të ndodhë, do të zbulojnë keqaz mungesën e strategjisë së daljes të Partisë Socialiste, sepse bojkotit të gabuar të saj, nuk mund t’i bëhen paterica, as shirat e shumtë dhe as mendimi për një Shqipëri edhe më tej të mbyllur. Mendimin politik i opozitës ka ngrirë. E ngutshme, madje tepër e ngutshme, është vramendja për përpunimin e rrugëdaljes, duke i përjashtuar llogaritë nga interesa të ngushta individësh. Sepse zgjedhjet nuk çbëhen. Ato janë vërtetuar zyrtarisht nga të gjitha palët, përfshi gjithë piramidën e lartë e të gjerë të njerëzve, të caktuar një për një, nga vetë Partia Socialiste. Sepse kutitë nuk mund të hapen, nga që zgjedhjet janë të përmbyllura ligjërisht. Sepse heqja e vizave do të ndodhë dhe, ky proces i shumëpritur nga shqiptarët e më afër se kurrë për ta, nuk mund të pengohet nga një forcë politike për t’u paspërdorur për pushtet prej saj. Atëherë, kur kutitë nuk hapen, kur vizat do të hiqen, kur përmbytja do të përballohet, kur investimet do të përshpejtohen, në çfarë kthehet vetmbetja e forcës kryesore opozitare jashtë Kuvendit, që këmbëngulë në këtë veprim të dështuar? Dëmtohet vetë Partia Socialiste, dëmtohet elektorati i majtë, dëmtohet Shqipëria dhe, që të tri këto zhvillime, më pas do të kërkojnë mbajtjen e përgjegjësive. Ajo që është bërë përparësi e përparësive te opozita, nuk është stërmundimi për të nxjerrë një numër njerëzish në shesh, por për të përpunuar strategjinë e daljes. Opozita nuk tregoi mençuri në ndërmarrjen e bojkotit, por do të gjykohet nga mënyra dhe shpejtësia e daljes prej tij....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›