E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ende po dëshmojmë se kemi mangësi të theksuara në standardin e gjuhës shqipe

Janë të shumtë ata që shkruajnë në gazetat tona pa e njohur standardin gjuhësor. Ndër këta, nuk mungojnë edhe gazetarë. Kësisoj kemi gabime edhe në faqet e para të të përditshmeve tona. E kam të vështirë ta them, por nuk mungojnë edhe firma personash që kanë mbaruar fakultetet e gjuhë-letërsisë! Debatet që kritikojnë standardin e tanishëm gjuhësor, një pjesë e të cilave shkojnë gjer në nihilizëm, kanë ndikuar për keq në këtë drejtim. Dihet se procesi i strandardizimit është në evoluim. Dhe do të bëhen, pa dyshim, përmirësimet që i kërkon koha. Por, megjithatë, të gjitha gazetat tona shkruajnë në përputhje me standardin e tanishëm, derisa të sanksionohet një kodifikim i ri. E kjo do të thotë që të vendoset një kodifikim i ri në një konferencë të përgjithshme gjuhësore, në të cilën do të thonë fjalën e tyre ekspertë të gjuhësisë nga Tirana, Prishtina, Shkupi, nga arbëreshët e Italisë dhe nga diaspora, në përgjithësi. Por ndërkaq, askush nuk ka marrë guximin të shprehet në shpërfillje të standardit të tanishëm, gjë që do ta çonte gjuhën në anarki. Do të binim në një kaos gjuhësor. është e sigurt se shumica e atyre që nuk e njohin standardin e tanishëm, nuk kanë për ta njohur siç duhet as edhe një standard të ardhshëm, që do të sanksionohet si i tillë. Disa prej shkruesve janë modestë dhe kërkojnë me sinqeritet ndërhyrjen në shkrimet e tyre, që ky të jetë i denjë për botim. Në rubrikën time “Letërkëmbim”, bashkëpunëtorët tanë më kanë dhënë të drejtën të ndërhyj në shkrimet e tyre, jo vetëm për paqortueshmërinë në drejtshkrim, por edhe në sintaksën e të shkruarit të qartë. Mendimet interesante, kështu, nuk çalojnë nga ana gjuhësore, gjë që është në dobi të paraqitjes dinjitoze të mendimeve të kësaj rubrike. Por nuk e kemi fjalën për këta shkrues të thjeshtë. *   *   *Ne vërejmë se fjalët progresive  dhe progresiste  shpesh shkruhen sikur të kishin kuptim të njëjtë. Nuk kuptohet në mjaft raste se fjala koncension  është e gabuar. Ngatërrohen recensioni me recesionin, që kanë kuptime të ndryshme. Shkruhet gabim fjala procedurale. Si pa të keq vazhdon të përdoret në rubrikat sportive fjala albitër,  për arbitër. Disa që kanë sevdanë e fjalëve “moderne”, përdorin mediume për medie. Por ka edhe gabime, në të cilat nuk duhet të rrëshqitet, siç është rasti që përdoret kualicion për koalicion. Virtuoz dhe virtual janë fjalë me kuptime të ndryshme. Kjo i vë në gjendje të vështirë përdoruesit, veçanërisht maniakët e fjalëve të huaja, të cilat duhet të përdoren sa më rrallë në publicitet dhe asfare në shkrimet letrare.Le të shqyrtojmë disa nga çiftet e fjalëve që paraqitëm më sipër:  Progresive është diçka në rritje hap pas hapi. Progresiste  mund të thuhet shqip përparimtare  (Në emërtimet e partive, për shembull). Fjala koncesion përdoret si term në ekonomi; por koncension  s’ka kuptim.  Recension dhe recesion  kanë kuptim të dyja, si fjalë. Por fjala e parë nënkupton shqyrtimin e një vepre letrare; ndërsa e dyta ka kuptim në gjuhën e ekonomisë, për të treguar rënien ekonomike: “Recesioni i vitit 1929 në Amerikë”. Le të vihet ré sesi shqiptohet gabim fjala edhe prej ndonjerës prej folëseve në TV. Proceduriale përdoret gabim, sikundër përdoret edhe fjala zieceriane! (i-ja është e tepërt te fjala e parë, sikundër edhe i-ja e dytë, te fjala e dytë). Po ashtu edhe virtuoz përdoret në artet, në muzikë për shembull: “Paganini ishte virtuoz i rënies së violinës”. Tjetër kuptim ka fjala virtual.Emrat e qyteteve ngatërrohen dendur dhe kjo vërehet në shqiptimet e folëseve të emisioneve radio-televizive. Të merr malli ta dëgjosh emrin e qytetit Los Anxheles në këtë mënyrë të saktë. Përgjithësisht thuhet, gabimisht, Los Anxhelos! Shumëkush nuk e di se fjalori normativ përfshin edhe qytetet. Për shembull nuk thuhet Xhenovë~a, por Gjenovë~a. Madje duhet shkruar Europë, jo Evropë,  siç shkruhet përgjithësisht. Një gjuhëtar i fakultetit të gjihë-letërsisë të Universitetit të Elbasanit (Mehmet çeliku), ka shkruar një artikull interesant disa vite më parë, duke u bërë të njohur lexuesve të tij se atij nuk mund t’i gjendej asnjë shmangie në përdorimin e standardit, me përjashtim të kësaj fjale. Shpjegimi është tepër i thjeshtë: do të binim në kundërthënie, sapo u bë tepër e përdorshme monedha euro. Nga ana tjetër: A themi euroatlantike, apo evroatlantike? V-në e përdorin vetëm greqishtja dhe rusishtja në fjalën Europë, nga sa dimë. Ndonjëherë bëhen gabime edhe në qarqe akademike, që duhej të jepnin shembullin vetjak: Në sponsorizimin e një universiteti, në njërën nga TV-të, lexojmë në një libër me shkronja të praruara: “Një shtet drejtohet nga idetë / Idetë i përkasin elitave / Elitat krijojnë univeresitetet”. Ai përemri i është shkruar gabim. Nuk përfillet rasa gjinore e lakimit, në njëjësin. Shpresojmë të qortohet sa më shpejt!Kur flasim për standardin, duhet të kemi parasysh edhe një porosi të rëndësishme: Mos të përdorim fjalën e huaj, aq më tepër kur kemi fjalën zëvendësuese përkatëse në gjuhën shqipe.Kjo është një temë më vete....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›