E Shtunë, 31 Tetor 2026

A duhet të largohet Papa Ratzingeri?

Autori i Lajmit: Redaksia

Dublin – Në “Javën e shenjtë” e këtij viti, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit liturgjik të Kishës Katolike, disa nga mendjet më të rëndësishme të Kishës punonin për diçka tjetër sesa për festimet e Pashkëve. Edhe pse njerëzit iu drejtuan siç kanë bërë çdo vit Kishës gjatë ceremonisë së të dielës, ata e bënë diçka të tillë pavarësisht rasteve të vjetra dhe të reja të skandaleve seksuale. Kritikët kanë akuzuar Papa Benediktin XVI se nuk ka arritur të reagojë pasi ka mësuar abuzimet e priftërinjve të tij. Apo më keq akoma, ata akuzojnë se ai ka drejtuar një kishë, që gjithnjë i ka mbrojtur abuzuesit e ligjit. Rasti më i fundit doli në shesh ditën e djeshme, kur një avokat që përfaqësonte një vajzë, e cila pretendonte se është dhunuar seksualisht nga një prift në Minesota, akuzonte Vatikanin se kishte refuzuar të denonconte priftin Josef Palanivel Jeyapaul, pas paralajmërimeve të vazhdueshme nga zyrtarët e tjerë të kishës më 2005 dhe 2006. Autoritetet amerikane më 2007 akuzuan zyrtarisht Palanivel Jeyapaulin se kishte sulmuar seksualisht një vajzë adoleshente, por ai vazhdoi punën i pashqetësuar në një shkollë katolike në jug të Indisë. Ka shumë pak gjasa që Papa Ratzingeri të japë dorëheqjen nga zyra e tij si përgjigje ndaj abuzimeve seksuale. Tashmë janë pothuajse 600 vjet që kur Papa i fundit ka arritur të japë dorëheqjen. Por karakteri i tij dhe besimi personal do të jenë thelbësorë, nëse ai kërkon të drejtojë një kishë që pretendon të ketë 1 miliard besimtarë, ndërsa “National Catholic Reporter” në SHBA e quan “krizën më të madhe institucionale të kishës ndër shekuj”. Ish-kardinali Josef Ratzinger, i zgjedhur si Papë në vitin 2005, ka trashëguar një detyrë shumë të vështirë. Papa gjerman është kritikuar si një reaksionar dhe akuzuar për lidhje me nazistët, që në të vërtetë nuk i peshon shumë rëndë për shkak se të gjithë të rinjtë e asaj kohe detyroheshin të aktivizoheshin me nazistët. Por personi i tij publik është shumë më i ndryshëm nga ai i Papës tjetër, Papa Gjon Pali II. Papa Benediktit i është vendosur nofka “Rotvajleri i Zotit” për shkak të konservatorizmit të tij në ndjekjen e traditave të kishës, si gjatë kohës që ishte kardinal, ashtu edhe në krye të Vatikanit. Mbështetësit e tij thonë se imazhi që i është shtuar së fundmi atij të Papës është i pandershëm. Ata thonë se ai i ka marrë shumë seriozisht rastet e abuzimeve seksuale. Vincent Tvomey, një ish-student i tij, i cili e takon ende atë gjatë debateve të përvitshme të teologjisë, e përshkruan si një person shumë të përzemërt dhe me një intelekt të fortë. “Kur ai dhe vëllai i tij u emëruan, u organizua një paradë në qytet, ndërsa ai i tha vetes: Josef, kjo nuk është për ty, është për zyrën që përfaqëson. Kur e pashë të dilte nga ballkoni pas zgjedhjes Papë dhe buzëqeshi naivisht, ndërsa përshëndeste me dorë, e dija se po mendonte të njëjtën gjë”, - tha dr. Tvomey, një profesor i teologjisë morale dhe prift. Por tani pas skandaleve të abuzimeve seksuale, ka rënë një hije dyshimi jo vetëm për institucionin e kishës, por dhe mbi atë të Papatit.

Ky lajm është publikuar: 07/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›