E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezoluta shqiptare, SHBA nuk dorëzohet, Kisinger në Pekin

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Nju-Jork - 5 Tetor 1971 - Një zyrtar i mirinformuar i Kombeve të Bashkuara u shpreh sot se këshilltari i presidentit Henri Kisinger do tia parashtrojë çështjen e përfaqësimit të dyfishtë të Kinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara administratës Nikson, gjatë vizitës që ai do të kryejë këtë muaj në Pekin. Ai shprehu dyshimin e tij se qeveria e Pekinit do të zbuste kërkesën e saj mbi përjashtimin e Tajvanit, përpara se ky i fundit të fitonte një karrige në përfaqësinë e Kombeve të Bashkuara. Ambasadori amerikan në OKB, Xhorxh Bush, këmbënguli sot se nuk ka një lidhje ndërmjet vizitës së Kisingerit dhe votës kineze në Kombet e Bashkuara. Por ai bëri të ditur se pikëpamjet mbi zgjidhjen amerikane të përfaqësimit të dyfishtë ishin thjesht një arnim i situatës dhe tregoi se sa afër është gara. Në këtë situatë, Bushi pranoi se vizita e Kisingerit do të kishte një lloj efekti në votën përfundimtare të Kinës. Bushi gjithashtu bëri të ditur se mund të ekzistonte një përplasje midis vizitës së Kisingerit, e parashikuar gjatë pjesës së fundit të tetorit, dhe debatit në Kinë, i përcaktuar të fillonte më 19 tetor, ndërsa votimet do të mbahen më 28 ose 29 tetor. Disa burime u shprehën se lidhja midis vizitës së Kisingerit dhe debatit në Kinë do të merrnin kuptim vetëm nëse ai do të përpiqej të bindte Pekinin për të pranuar “rastin precedent bjellorus”. Kështu, republikat bjelloruse dhe ukrainase të Bashkimit Sovjetik fituan anëtarësimin në Kombet e Bashkuara në vitin 1945 për të kënaqur dëshirën e Bashkimit Sovjetik për të marrë më shumë se një votë. Burimet e Uashingtonit sugjeruan se Pekini mund të pranonte një përfaqësim të dyfishtë vetëm mbi supozimin se do të marrë Tajvanin, pra do të sigurojë një votë të dytë. Edhe pse përplasja ndërmjet vizitës së Kisingerit dhe debatit në Kinë mund të konsiderohet si koincidencë, diplomatët u shprehën se ai përforcon besimin e tyre që Kombet e Bashkuara janë bërë skena e testimit të fuqisë ndërmjet Pekinit dhe Uashingtonit që prej periudhës kur presidenti Nikson përdori Kisingerin për të hapur dialogun kino-amerikan korrikun e shkuar. Diplomatët shqiptarë, të cilët flasin në emër të Pekinit, deklaruan se nuk do të kishte ndryshime pas vizitës së Kisingerit dhe se ajo nuk do të ndikonte në votime. Lajmet mbi vizitën arritën në Kombet e Bashkuara, kur ministri i Jashtëm shqiptar, Nesti Nase, foli në debatin e përgjithshëm sot. Ambasadori Bush kishte përpara një raport mbi udhëtimin nga një agjenci lajmesh, dhe e vendosi në tavolinën e Nases kur ai ishte në podium.

Ushtrim presioni

Nase u shpreh se SHBA po “ushtronte presion” mbi shumë shtete për të mos votuar rezolutën e Shqipërisë për “rivendosjen e të drejtave ligjore” të Pekinit dhe përjashtimin e “përfaqësuesve të Çian Kai Shisë”. Ai nuk specifikoi se ku qëndronte presioni. Nase theksoi se trajtimi amerikan i situatës, pra një rezolutë që deklaronte përjashtimin e Tajvanit, përbënte një masë të rëndësishme që kërkonte 2/3 e shumicës dhe një thirrje për mbajtjen e Tajvanit në organizatë, ishte një “manovër armiqësore” dhe një përpjekje për të realizuar ndarjen e Tajvanit nga Kina. Gjatë fjalimit të tij, Nase u përqendrua mbi sulmet në “aleancën amerikano-sovjetike” kundër Kinës. Ai denoncoi se pushtimi i vazhdueshëm i Çekosllovakisë nga trupat sovjetike, paralajmëronte se Bashkimi Sovjetik mund “të kryente të njëjtën aventurë” në Rumani dhe Jugosllavi dhe parashikoi shpërbërjen e organizatës së NATO-s dhe të paktit të Varshavës. Presidenti meksikan Luis Eceverria diskutoi gjithashtu në Kombet e Bashkuara. Ai sugjeroi mbi Kinën se Meksiko nuk do të mbështeste SHBA, por nuk deklaroi qartë nëse Meksiko do të mbështeste rezolutën shqiptare apo do të abstenonte. Ai u shpreh se do të ishte një avantazh i madh në drejtim të parimit të universalitetit anëtarësimi i Pekinit këtë vit. Por, refuzimi i Pekinit mbi përfaqësimin e dyfishtë, vendos në pikëpyetje nëse Kina do të marrë vendin në OKB me çdo kusht,u shpreh ai. ”Do të jetë e domosdoshme se njohja, sovraniteti dhe integriteti territorial i kombit kinez janë juridikisht të pandashme”,- deklaroi ai. Vitin e shkuar, Meksiko mbështeti SHBA. Po sot OKB-ja shtyu dhe me dy vite të tjera kontratën e një zyrtari rus që punon në organizatë, i cili u përmend nga shtypi si një “nëpunës i vjetër” i KGB-së. Zëdhënësi i OKB-së tha se misioni sovjetik kishte rënë dakord pas një kërkese që të lejonte zyrtarin Vladimir P. Pavliçenko që të shërbente dhe dy vjet të tjera si drejtor i marrëdhënieve me jashtë në zyrën e shtypit të OKB-së. The Neë York Times shkruante ditën e diel se Pavliçenko ishte identifikuar nga “ekspertët amerikanë të sigurisë” si një agjent i KGB-së dhe se një nga “detyrat e tij kryesore ishte “rekrutimi i shkencëtarëve amerikanë. Ky i fundit i mohoi akuzat një ditë më parë duke i quajtur ato shpifëse. Xhorxh Bush nuk pranoi të komentonte rastin në fjalë... në këtë pikë... unë nuk duhet të them asgjë”,- tha ai.

Ky lajm është publikuar: 07/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›