E Shtunë, 31 Tetor 2026

Angli, ushtria kundër ceremonive të bujshme mortore: “Sjellin pesimizëm”

Autori i Lajmit: Redaksia

Londër – Për miliona qytetarë britanikë ceremonitë simbolizojnë borxhin e vendit si mirënjohje për ushtarët e rënë. Por pas zisë së mbajtur gjatë vdekjes së Princeshës Diana, ceremonitë pompoze mortore të ushtarëve të rënë në Irak dhe Afganistan janë shndërruar në një bumerang për moralin e trupave që luftojnë në terren. Togeri Matt Bazeley tha një ditë më parë se përqendrimi i vazhdueshëm i kostove njerëzore në luftë u dërgon një mesazh negativ ushtarëve në front. “Një pesimizëm i tillë për konfliktin mund të ketë tërhequr dhe vëmendjen e sukseseve ushtarake në Afganistan”, - paralajmëroi Bazley. Togeri 41-vjeçar që komandon regjimenti e 28 inxhinierëve tha: “Ne nuk kemi nevojë për keqardhje. Keqardhja është për humbësit dhe ne nuk jemi duke humbur”. Bazeley, i cili aktualisht është duke shërbyer në provincën e Helmandit, (ku ka nisur fushata më e madhe kundër talebanëve prej disa vitesh) tha se ai u ishte mirënjohës qytetarëve për mbështetjen e dhënë. Por ai kritikoi “një reagim qytetar ndaj fatkeqësive si pas vdekjes së Princeshës Diana” dhe paralajmëroi se kjo po pengonte një analizë objektive të fushatës ushtarake. “Mbështetja ndryshon nga keqardhja dhe unë ndiej se në këtë rast këto të dyja nuk arrijnë të ndahen nga njëra-tjetra. Ne jemi ushtarë dhe i dimë rreziqet, ne dimë çfarë po bëjmë dhe përse jemi këtu”, - shtoi më tej ushtaraku britanik. Togeri foli ndërsa numri i ushtarëve britanikë të rënë në luftë gjatë konfliktit në Afganistan arriti 280 ditën e diel. Dy ditë më parë mbeti i vrarë gjatë një shpërthimi në zonën e Kajakit në provincën e Helmandit një ushtar nga batalioni i tretë. Emri i tij nuk është bërë ende i njohur për qytetarët, ndërsa është lajmëruar vetëm familja.

Britania voton më 6 maj

Londër - Kryeministri i Britanisë, Gordon Braun, shpalli zyrtarisht datën 6 maj, si datë të zgjedhjeve parlamentare në Britani. Zgjedhjet, të cilat ka gjasa të dominohen nga çështjet si tatimet dhe shpenzimet pas recesionit global, do të shohin Partinë Laburiste të përpiqet të marrë një mandat të katërt për herë të parë në histori. Partia kryesore e opozitës, ajo Konservatore, nëse dëshiron të marrë pushtetin, duhet të fitojë me një epërsi të madhe. Në traditën e gjatë britanike, Gordon Braun bëri udhëtimin e shkurtër nga selia e tij në Douning Street për në Pallatin Bakingam, ku i kërkoi Mbretëreshës Elisabetë të shpërndajë Parlamentin dhe të shpallë mbajtjen e zgjedhjeve. Pas këtij protokolli, Britania dhe politikanët futen tërësisht në atmosferën e fushatës. Më shumë se katër javët e fushatës elektorale pritet që të dominohen nga ekonomia, deficiti shumë i lartë buxhetor dhe personaliteti i udhëheqësve të partive kryesore. Partia Laburiste do të jetë përballë sfidës më të vjetër politike në botë, ndjenjës se është koha për ndryshim.
Por që të gjitha partitë do të jenë përballë një elektorati të lënduar, të zemëruar dhe që nuk ka besim tek politikanët pas skandalit me shpenzimet e deputetëve dhe tatëpjetës ekonomike të vendit. Gara pritet të jetë më e forta që prej më shumë se 20 vjetësh. Zgjedhjet në Britani ishin njëkohësisht tema kryesore e gazetave britanike. Gazeta The Times, në artikullin e botuar në faqen e parë, shkroi se dy rivalët kryesorë, Gordon Brauni dhe David Kameroni, kanë nga një mal për të kapërcyer në këto zgjedhje. Ajo shkruan se kryeministri po kërkon të fitojë mandatin e parë si kryeministër dhe të katërtin për Partinë Laburiste në kushtet e recesionit më të rëndë në Britani që prej 60 vjetësh. Ndërsa Partia Konservatore e David Kameronit duhet të fitojë 116 vende më shumë se zgjedhjet e kaluara në Parlamentin 650 vendesh për të siguruar shumicën, çka sipas gazetës do të përbënte ndryshimin më të madh në strukturën e Parlamentit që prej përfundimit Luftës së Dytë Botërore.

Ky lajm është publikuar: 07/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›