E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: “Misioni im mbaroi, PS në Kuvend”

Autori i Lajmit: Redaksia

Gjatë vizitës së tij në Gjermani, Kreu i Shtetit ka folur edhe për situatën politike dhe për rolin e tij në funksion të zgjidhjes së krizës. Presidenti Topi tha se tryeza e dialogut pati një rezultat konkret. “Opozita tashmë realisht ka trokitur në Parlament, është bërë pjesë e Parlamentit, edhe pse jo me kapacitet të plotë”. Presidenti gjykon se situata aktuale në vend është përmirësuar ndonëse ka ende vend për rritje të koshiencës së të gjitha partive politike që përbëjnë Parlamentin. Kreu i Shtetit e shikon të tepërt ndërhyrjen e tij për ti ulur sërish palët në tryezë bisedimi, ndërsa shton se si PD dhe PS janë duke debatuar në Parlament.

Zoti President, ju erdhët për herë të parë në Gjermani dhe takuat për herë të parë edhe Presidentin gjerman. Cilat janë përshtypjet tuaja?

Pa dyshim që ishte një pritje shumë e ngrohtë nga ana e Presidentit Këler, është shprehje e asaj marrëdhënieje të shkëlqyer që ekziston prej vitesh ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë. Unë pata një ftesë zyrtare, e cila tregon se niveli i dialogut politik është në nivel më të lartë, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Gjermanisë tashmë konsiderohen marrëdhënie tradicionale, gjë që u demonstrua jo vetëm në frymën e bisedimeve, por edhe në pranimin e ftesës për të vizituar Shqipërinë në një kohë sa më të shpejtë dhe për tiu përgjigjur me një nivel sa më të plotë marrëdhënieve, por edhe dëshirës personale, për të parë Shqipërinë nga afër, arritjet e saj, natyrën por edhe të gjitha vlerat historike, arkeologjike, kulturore e tradicionale që ka Shqipëria.

Qeveria aktuale gjermane është paksa e rezervuar ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Cili është gjykimi që i bën Presidenti Këler kandidaturës së Shqipërisë?

Unë besoj, që pavarësisht nga klima që ekziston në BE, një lloj rezervimi për sa i përket zgjerimit, për shkak edhe të problemeve që janë krijuar edhe në disa vende të Bashkimit Evropian, kjo nuk e zbeh suportin që Gjermania i ka dhënë dhe do ti japë Shqipërisë në rrugën e integrimit. Çështja e integrimit natyrisht që ka disa faza: Sot Shqipëria është vend i NATO-s, që tregon që ka përmbushur një pjesë të rëndësishme të aspiratës së integrimit në familjen euroatlantike, kemi një stad tjetër, që ne kërkojmë ta arrijmë sa më shpejt dhe besoj se kjo do të arrihet brenda këtij viti, që është liberalizimi i lëvizjes së njerëzve dhe patjetër që procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndonëse ka rezerva për momentin, besoj që është një tendencë natyrale e pandalshme e Shqipërisë për tu futur në Bashkimin Evropian, por edhe të vendeve të Bashkimit Evropian për të absorbuar Shqipërinë në gjirin e familjes evropiane.

Cili është roli që luan kriza aktuale e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së?

Natyrisht, është kusht i domosdoshëm për integrimin që një vend të ketë stabilitet politik, përgjithësisht, institucionet e Shqipërisë janë të qëndrueshme, por klima politike dhe parlamentare, domosdoshmërisht kërkon një rritje të koshiencës së të gjitha partive politike që kompozojnë Parlamentin, që të jenë më bashkëpunuese, të marrin pjesë më aktivisht në realizimin e reformave, dhe përtej rëndësisë jetike që ka bashkëpunimi në çështjet e brendshme të Shqipërisë, ka rëndësi edhe në imazhin e Shqipërisë në Evropë. Besoj që është e rëndësishme, dhe partitë politike do të dinë ta kuptojnë rëndësinë e forcimit të imazhit.

A do të angazhoheni ju edhe një herë për zgjidhjen e kësaj çështjeje?

Unë mendoj që tryeza e Presidentit pati një rezultat konkret. Opozita tashmë realisht ka trokitur në Parlament, është bërë pjesë e Parlamentit, ndoshta jo me kapacitet të plotë, por është një çështje që sot ndodhet realisht në Parlament. Partitë politike tani janë afër, pavarësisht që marrin pjesë fort në debatin politik që është diçka e rëndësishme për demokracinë, duhet të dinë të bashkëpunojnë edhe për reformat e mëdha. Sa kohë që janë në Parlament, unë e shikoj të tepërt një lloj interference për ti thënë: ejani bisedoni. Ato, natyrisht, janë duke biseduar, po debatojnë dhe janë në Parlament dhe besoj që atje duhet të gjejnë zgjidhje midis tyre.

Një problem tjetër që nuk po zgjidhet është ai i Gjykatës Kushtetuese. Si mendoni ju se mund të dilet nga kjo çështje?

Jo, unë besoj që jemi absolutisht në kohë për Gjykatën Kushtetuese. Shumë shpejt do të zbatohet linja kushtetuese e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që sipas Kushtetutës, do të miratohen në Parlament.

Cilat janë kushtet që keni vënë ju?

Janë vetëm kushte, të cilat unë jam i detyruar ti zbatoj sikurse përcaktohen në Kushtetutë: Që njerëzit që zgjidhen në Gjykatën Kushtetuese, e në çdo gjykatë, duhet patjetër që të jenë në parametrat më të lartë të moralit dhe të profesionalizmit. Pastaj gjithçka është pjesë e një procedure, e cila përshkruhet me shumë hollësi në Kushtetutë dhe në ligj.

Topi: “Opozita ka të gjitha të drejtat të protestojë”

I pyetur në lidhje me protestat e Partisë Socialiste, Presidenti Topi është shprehur se opozita ka të gjitha të drejtat që të organizojë protesta paqësore. “Besoj, është në të drejtën e opozitës që të protestojë kur mendon që duhet të protestojë, është një nga opsionet e betejës demokratike, çdo parti ka të drejtë të përpunojë dhe të realizojë taktikat dhe opsionet e veta politike. Mendoj që përtej protestave partitë politike do të kenë koshiencën që edhe të kenë rezultate konkrete në bashkëpunimin midis tyre. Nuk mund të bëj koment për protestat, sepse duke pasur një eksperiencë të gjatë politike - edhe unë kam protestuar kur kam qenë pjesë e një formacioni politik - kështu që askush nuk mund të kontestojë të drejtën për të protestuar, por jam i bindur, që edhe protestat do të realizohen brenda kuadrit ligjor, që vetë politika i ka aprovuar, i ka përpunuar, dhe duhet ti pranojë si të tilla”,- u shpreh Presidenti.

Ky lajm është publikuar: 07/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›