A duhet thënë diçka e majtë?
Gentian Elezi
Në fushatën zgjedhore të vitit 2001 në Itali, Francesko Ruteli, që udhë-hiqte të majtën në garën kundër Berluskonit, u prit nga elektorati në një konventë në Milano me këtë britmë: Ruteli, thuaj diçka të majtë! Kjo thirrje simbolizonte faktin që e majta italiane hynte në ato zgjedhje me një zbrazëti të theksuar ideologjike dhe pa një identitet të qartë. Në atë rast zgjedhjet i fitoi Berluskoni dhe shumë analistë politikë argumentuan se faktorët kryesorë për humbjen e të majtës ishin, ndër të tjera, mungesa e ideologjisë dhe e programit, paaftësia e së majtës për t’u bashkuar për zgjedhjet dhe përqendrimi i fushatës në demonizimin e kundërshtarit. Paralelizmat mund të vijnë lehtësisht në mendje. Duket sikur këto tre elemente ndëshkuan edhe të majtën shqiptare në zgjedhjet e fundit. Duke lënë mënjanë dy faktorët e fundit, ndryshe nga rasti italian, e majta shqiptare e kishte një tezë ideologjike. “Përtej të majtës dhe të djathtës” është në vetvete një pozicionim ideologjik, edhe pse i huazuar dhe disi i përshtatur nga përvojat e “rrugës së tretë”.
Megjithatë, në analizat paszgjedhore në Shqipëri, një pjesë e madhe e opinionistëve duket se ka rënë dakord që teza përtej ideologjive e Partisë Socialiste ka qenë thjesht një vakum ideologjik, që rezultoi edhe si një nga faktorët kyç në humbjen e zgjedhjeve. Gjithashtu, këta zëra kanë përparuar edhe më tej duke hedhur idenë për domosdoshmërinë e rikthimit majtas të kësaj partie. Duke iu referuar situatës politike në vend, a duhet pra që Partia Socialiste të fillojë të mendojë, të flasë dhe të veprojë si e majtë?
Nëse Partia Socialiste synon të rikthehet së shpejti në pushtet, ka dy arsye kryesore pse rruga e sipërpërmendur nuk duhet, por edhe nuk mund të ndiqet.
Së pari, Partia Socialiste nuk duhet të drejtohet majtas. Arsyeja qëndron në faktin se teza “përtej të majtës dhe të djathtës” rezultoi e suksesshme dhe solli fitore në zgjedhje, por jo tek ajo palë që e përqafoi thjesht si retorikë politike, shpesh e zbrazët, por tek pala që mjeshtërisht e përfshiu në program dhe historiku i katër viteve në pushtet tregonte se e kishte zbatuar në praktikë këtë tezë. Mund të kujtojmë këtu faktin që qeverisja e zotit Berisha gjatë katër viteve ka vënë në jetë një paketë politikash dhe nismash ligjore të karakterizuara nga një qasje sa të djathtë aq edhe të majtë. Gjatë kësaj qeverisjeje është vendosur për rritje rrogash të buxhetorëve, rritje pensionesh, është vendosur paga minimale, strategjia e “kafshatës”, ka pasur ndërhyrje masive në sektorë të ndryshëm, përcaktim dhe orientim nga lart i drejtimit që duhet të marrë ekonomia shqiptare si dhe është përcaktuar se cilët janë sektorët prioritarë, është miratuar ligji për legalizimet etj. Duke lexuar këtë listë që vazhdon e gjatë, duket sikur kemi të bëjmë me një qeverisje të majtë. Natyrisht, gjithë këto tipare janë ndërthurur gjatë katër viteve edhe me politika tipike të djathta, duke i dhënë asaj trajtat e një qeverisjeje pragmatiste dhe përtej ideologjive.
Gjithashtu edhe retorika politike e Partisë Demokratike ka qenë përtej të majtës e të djathtës. Kujtojmë që në fjalorin politik të përdorur nga z. Berisha bëjnë pjesë edhe fjalimet për luftën kundër varfërisë, aludimet për shkrirjen e bizhuterive të grave shqiptare me qëllim ndërtimin e “rrugës”, anatemat e lëshuara kundër vaskave të florinjta, përkufizimet e borgjezëve të rinj, paternalizmi që karakterizon shpesh deklaratat e tij për përmirësimin e jetës së shqiptarëve etj. Shikojmë përtej të majtës dhe të djathtës edhe nëse vëzhgojmë strategjinë e koalicionit të gjerë që ndërmori zoti Berisha para dhe pas zgjedhjeve. Qasja që ai pati gjatë ndërtimit të aleancave parazgjedhore ishte gjithëpërfshirëse. Në listën përfundimtare të partive që u përfshinë në koalicion spikaten qartë disa parti me karakter të majtë (që në emërtimin e partisë). Kjo taktikë përtej ideologjive ndikoi suksesshëm jo vetëm në rritjen e numrit të votave për koalicionin e djathtë, por edhe në krijimin e imazhit jo përjashtues që ai koalicion pasqyronte. Shpesh këto lëvizje përkthehen nga elektorati si vlerë e shtuar dhe pjekuri politike, tipare këto vendimtare në zgjedhjet politike, pasi në shumicën e rasteve perceptimi i stabilitetit mbetet ende faktor përcaktues në sytë e votuesve. E njëjta frymë u përsërit edhe pas zgjedhjeve me koalicionin që zoti Berisha ndërtoi me partinë e majtë LSI. Edhe një herë, pragmatizmi politik përtej të majtës e të djathtës luajti rol vendimtar për mbajtjen e pushtetit nga ana e Partisë Demokratike. Pra, nga pikëpamja ideologjike, gabimi i Partisë Socialiste nuk ishte që zgjodhi një tezë të tillë, por që nuk e besoi dhe nuk e zbatoi atë konkretisht, ndërkohë që Partia Demokratike ishte në të vërtetë (dhe u shfaq si e tillë) përtej të majtës dhe të djathtës. Ky ishte edhe një nga faktorët që i solli fitoren e zgjedhjeve.
Përveç se nuk duhet, Partia Socialiste as nuk mund të shkojë majtas. Vështirësia e ideologjizimit majtas ka të bëjë me konceptimin e hapësirës ideologjike në politikën shqiptare gjatë 18 viteve. Fraza që po përdoret më shpesh këto javë dhe që presupozon ideologjizimin majtas të Partisë Socialiste është “rikthim majtas” ose “rikthim tek e majta natyrale”. Lind pyetja: tek cila e majtë? Kur ka qenë Partia Socialiste e majtë dhe çfarë do të thotë të jesh i majtë në politikën shqiptare? Duke qenë se gjatë 18 viteve asnjëra prej palëve nuk ka zënë vendin që i takon ideologjikisht, nuk është formuar asnjëherë një identitet ideologjik i majtë apo i djathtë. Që të vendosësh të shkosh apo të qëndrosh majtas, do duhet që pozicionin tënd ta referosh si në të majtë të diçkaje që është djathtas. Në qoftë se nuk ka të djathtë, nuk ka se si të ketë të majtë dhe anasjelltas. Nëse njëra palë mungon, atëherë tjetra do pushtojë dhe hapësirën e lënë zbrazët, duke ndryshuar kështu edhe identitetin e vet. E majta dhe e djathta janë si dy mure që mbështeten tek njëri-tjetri në varësi të ndërsjellë për të qëndruar në këmbë. Nga pikëpamja ideologjike, në Shqipëri, më tepër se dy mure, ka pasur dy gërmadha që mund të merrnin çfarëdo lloj forme. Rezultati ka qenë një paqartësi programore, një populizëm i skajshëm dhe një mungesë identiteti ideologjik që vazhdon edhe sot.
Nëse pyesni një anëtar të Partisë Socialiste se ç’do të thotë të jesh socialist nga pikëpamja e ideologjisë dhe të vlerave, mbase nuk do dijë si të përgjigjet ose në rastin më të mirë do të thotë që socialisti është ai që është kundër demokratit. Kjo ndodh sepse gjithë këto vite politika shqiptare nuk ka kultivuar identitete ideologjike, por vetëm identitete partiake. Asnjë kryetar partie të madhe në Shqipëri nuk është përpjekur seriozisht të ideologjizojë partinë e tij. I vetmi rast ishte ai i ndikimit liberal në zgjedhjet e vitit 2005, por që konkretisht nuk pati rezultat dhe vijueshmëri. Kjo ndodhi sepse politikanët shqiptarë kanë mësuar që kushdo që përpiqet të ideologjizojë kahun e tij politik do ketë kosto shumë të larta nga pikëpamja e suksesit zgjedhor në periudhën afatshkurtër. Duket se askush, asnjëherë, nuk është gati të marrë përsipër atë kosto. Duke qenë se të dyja partitë “peshkojnë” elektorat nga të gjitha anët, atëherë për të fituar pushtetin nuk është e këshillueshme që të ketë kategorizime dhe për rrjedhojë përjashtime. Natyrisht, dikush mund të argumentojë që Partia Socialiste vërtet nuk mund të rikthehet majtas, por mund të bëhet e majtë tani duke adoptuar tiparet dhe programet e të majtave progresiste europiane. Por përsëri një lëvizje e tillë majtas do ishte një disavantazh i theksuar për këtë parti dhe suksesi elektoral do vononte edhe më shumë. Partia Demokratike do ruante strategjinë majtas-djathtas, ndërsa Partia Socialiste vetëm majtas. Do ishte sikur, në një ndeshje futbolli, të kesh përballë një kundërshtar që luan si me dorë ashtu edhe më këmbë dhe ti në mënyrë vullnetare të zgjedhësh që të luash vetëm me këmbë. Përfundimisht, në një arenë politike ku partitë synojnë dhe mundohen “t’i kapin” votat kudo, izolimi majtas do ishte kundërprodhues për Partinë Socialiste. Ajo që duhet të bëjë Partia Socialiste për të ndenjur në këmbë, nga pikëpamja ideologjike, ka të bëjë me rishikimin dhe përvetësimin më të saktë të tezës “përtej të majtës dhe të djathtës”. Në qoftë se synon të fitojë zgjedhjet, kjo parti duhet të mësojë të bëhet më gjithëpërfshirëse dhe të përvetësojë pragmatizmin e nevojshëm që kërkon teza që ajo vetë artikuloi e para. Zbrazëtia përmbajtësore e mënyrës se si ajo e konceptoi politikën “përtej të majtës dhe të djathtës” jo vetëm që e la pezull si në një limbo, por e bëri atë që të perceptohej në publik si një qëndrim “as i majtë dhe as i djathtë”, pra pa identitet, ndërkohë që ajo duhej të nënkuptonte “edhe i majtë, edhe i djathtë” në kuptimin e gjithëpërfshirjes së politikave dhe të zgjidhjeve të ofruara. Partia Socialiste duhet që të përshtatet sa më shpejt me këtë rol, pasi me sa duket, në Shqipëri, edhe për shumë kohë, e gjithë beteja politike do të zhvillohet përtej të majtës dhe të djathtës.