“Në Kuvend, kur Berisha të na plotësojë kushtet”
Pas ftesës së zëdhënëses së qeverisë, Majlinda Bregu, që opozita të kthehet në Kuvend, ka reaguar Partia Socialiste. Deputeti i selisë rozë, Damian Gjiknuri tha në një konferencë për shtyp se kjo forcë do të kthehet në parlament kur kryeministri Berisha të plotësojë kushtet e saj për transparencën e procesit zgjedhor. “Problemet e konstatuara në këtë raport janë preludi i kushteve tona. Plotësimi i tyre, jo vetëm që nuk cenon imazhin e Shqipërisë, siç pretendon Berisha, por ndikon direkt në shëndoshjen e demokracisë dhe kthimin e normalitetit në lidhje me zgjedhjet në vend. Opozita është e gatshme që të hyjë në Kuvend menjëherë, nëse do të mundësohet transparenca e kërkuar. Një maxhorancë që e ndjen veten legjitime në pushtet dhe që është e bindur në pastërtinë e zgjedhjeve, në asnjë rrethanë nuk mund të pengojë opozitën në hetimin dhe zbardhjen e të vërtetave që ndodhen në kuti”, u shpreh Gjiknuri.