Topi, medias: Mos u ndikoni nga politika
I ftoi për të festuar bashkërisht festat e fundvitit, por dhe për t’u dhënë një këshillë: “Mos u ndikoni nga politika”. Presidenti i Republikës, Bamir Topi dha dje një pritje në ambientet e Pallatit të Brigadave, me rastin e Vitit të Ri 2009, ku ishin ftuar drejtues, gazetarë, administratorë, studiues dhe përfaqësues të tjerë të medias së shkruar dhe elektronike shqiptare. Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i shtetit, duke përcjellë urimet për Vitin e Ri 2009, i përgëzoi gazetarët "për punën e jashtëzakonshme në shërbim të emancipimit të shoqërisë e sidomos përkrah publikut. Tashmë është e qartë se jeni ju avokatët më të mirë të qytetarëve, duke na përcjellë të gjithë neve shqetësimet e sensibilitetet e tyre". "Duhet pranuar se bilanci juaj është pozitiv në drejtim të investigimit, por edhe të pasqyrimit të asaj çfarë ndodh me shoqërinë shqiptare, institucionet e saj e politikën e vendit. Jo pak herë, institucionet janë vënë në lëvizje pas investigimeve tuaja edhe pse jo gjithmonë me ritmin e kohën e duhur", - vërejti Presidenti Topi. Duke vënë në dukje misionin e rëndësishëm dhe delikat të medias, kreu i shtetit theksoi se ajo "nuk duhet të influencohet aspak nga interesat e kujtdo qofshin. Besoj se dhe konkluzionet e progres-raportit të Bashkimit Evropian mbi punën e medias duhet të lexohen qartë si nga mediat ashtu edhe nga politika e biznesi". Sipas tij, "liria e medias, edhe pse është një koncept i gjerë, nuk mund të mbetet më demagogji. Është në radhë të parë respekt për punën e një armate të tërë gazetarësh, por edhe korrektesë, etikë e përgjegjshmëri nga ana e tyre". Z. Topi i siguroi gazetarët se "institucioni i Presidentit do të vazhdojë të mbetet transparent dhe mbështetës i medias së lirë e profesionale edhe në vitin e ardhshëm".