Ndërkombëtarët: Hapja e dosjeve të bëhet sipas standardeve
OSBE-ja dhe SHBA-të kërkojnë zbatimin korrekt të projektit
OSBE: Gati të japim asistencë për zbatimin e ligjit
Një ditë pasi Kuvendi votoi me 74 vota ligjin e ri për hapjen e dosjeve ndërkombëtarët kërkojnë që ai të zbatohet në mënyrë që të mos krijojë probleme me të drejtën ligjore dhe të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Përfaqësuesit diplomatikë në Tiranë u munduan ta ndalonin miratimin e këtij ligji duke kërkuar shtyrjen e tij dhe diskutimin me ekspertë të huaj. Por tashmë që ligji mori votëbesimin e Kuvendit ata kërkojnë që të kihet kujdes gjatë zbatimit të tij në terren. OSBE-ja dhe ambasada e Shteteve të Bashkuara reaguan dje duke thënë se zbatimi i ligjit për hapjen e dosjeve duhet të bëhet sipas standardeve dhe për këtë ato i bëjnë thirrje qeverisë që të ketë kujdes gjatë zbatimit të tij. Në një deklaratë zyrtare, zëvendëskryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Alex Finnen, bën thirrje që të kihet kujdes në zbatimin e ligjit. Ndërkohë, vetëm disa orë para votimit në Kuvend, OSBE-ja bëri përpjekje për të ndalur votimin duke kërkuar shtyrjen e tij. “Ligji për pastërtinë e figurës i miratuar nga Kuvendi duhet të përmbushë kërkesat e një vendi që bazohet mbi shtetin ligjor. Në veçanti, duhen respektuar plotësisht dispozitat përkatëse të Kushtetutës dhe standardet e pranuara ndërkombëtare”, - deklaroi dje diplomati i OSBE-së, i cili më parë pati një takim me kryetaren e Kuvendit. Më pas në deklaratën e tij, diplomati Finnen kërkon nga ana e qeverisë që zbatimi i ligjit të bëhet duke u marrë konsulta nga ekspertë ndërkombëtare. “Për këtë qëllim, nga qeveria shqiptare pritet që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm në konsultim me ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të garantuar që ky ligj përmbush standardet ndërkombëtare dhe në këtë mënyrë do të sigurojë partnerët ndërkombëtarë për angazhimin e saj ndaj këtyre standardeve”, - deklaroi Finnen. Ai më pas shprehet se OSBE-ja do të japë ndihmën e saj në rast se një gjë e tillë kërkohet për të garantuar zbatimin korrekt të ligjit. “Prezenca e OSBE-së ka ndjekur debatin në Parlamentin shqiptar ku u miratua ligji për pastërtinë e figurës me shumicë të thjeshtë, të 77 anëtarëve të pranishëm. Ne gjithashtu vërejmë shqetësimet e shprehura sot nga disa shtete pjesëmarrëse të OSBE-së dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës. OSBE-ja mbetet e gatshme të ndihmojë në rast se kjo gjë i kërkohet nga qeveria shqiptare”, - deklaroi ai.
Reagimi i ambasadës së SHBA-ve ishte më i drejtpërdrejtë dhe shprehej shqetësim për këtë projekt të bërë ligj. Por ambasada bëri thirrje nga ana tjetër për qeverinë që të konsultohet që ky ligj tashmë të përmbushë standardet e duhura. “Ambasada e SHBA-ve ndoqi nga afër votimin e mbrëmshëm në Parlamentin shqiptar që miratoi ligjin për pastërtinë e figurës me shumicë të thjeshtë. Ne jemi thellësisht të shqetësuar. Ky ligj ngre pikëpyetje serioze ligjore, qeverisëse dhe kushtetuese tek partnerët ndërkombëtarë përfshirë Shtetet e Bashkuara. I bëjmë thirrje qeverisë së Shqipërisë të marrë hapa të menjëhershëm në konsultim me ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të siguruar që ky ligj do të përmbushë standardet ndërkombëtare”, - thuhej në reagimin e plotë të ambasadës së SHBA-ve.