E Shtunë, 31 Tetor 2026

A e ka mbaruar FMN-ja misionin në Shqipëri?



Prof. Dr. Anastas Angjeli

Ditët e para të kësaj jave, mediat kosovare, shqiptare, rajonale, pse jo, dhe një pjesë e atyre ndërkombëtare, njoftuan lajmin se Kosova, vitin e ardhshëm (2009), do të pranohet anëtare e FMN-së (Fondit Monetar Ndërkombëtar) dhe e BB-së (Bankës Botërore). Pa dyshim që ky përbën një hap të rëndësishëm jo vetëm në shtimin e institucioneve ndërkombëtare që njohin dhe vendosin bashkëpunimin e tyre dhe me shtetin e Kosovës, por edhe për shtimin e shanseve të Kosovës për ecurinë e saj në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit.
Ndërkaq, në qendër të opinionit botëror dhe të zhvillimeve globale është kriza financiare në SHBA dhe tërmeti e tronditja e tregjeve financiare globale. Kjo ngjarje, krahas të tjerave, pa dyshim, ka tërhequr vëmendjen e liderëve politikë të shteteve më të zhvilluara, atë të institucioneve ndërkombëtare, duke përfshirë edhe faktin e vendosjes së kësaj ngjarjeje në fokus edhe të punimeve të sesionit aktual të OKB-së.
Por, ndërsa qeveria amerikane përpunoi dhe pret të miratojë një “plan shpëtimi prej 700 miliardë dollarësh” nga kjo krizë, dhe institucionet ekonomike e financiare ndërkombëtare po përpiqen që me politikat dhe format e bashkëpunimit të tyre, të mbështesin dhe të monitorojnë këto zhvillime dhe të minimizojnë pasojat e krizës financiare globale në ekonomitë e vendeve të ndryshme, në Shqipëri, “në tregun politik dhe ekonomik” është rikthyer debati nëse qeveria shqiptare duhet apo jo të vazhdojë një program bashkëpunimi me FMN-në. Shkas për këtë u bë deklarata e ministrit të Financave, Bode, në një konference shtypi me kryetarin e misionit të FMN-së për Shqipërinë, në përfundim të misionit të tyre, me rastin e diskutimeve për projektbuxhetin e shtetit të vitit 2009, në të cilën u bë e qartë se “qeveria shqiptare nuk ka bërë kërkesë për vazhdimin e një programi bashkëpunimi të ri me FMN-në. (Kjo meqenëse programi aktual i bashkëpunimit po përfundonte).
PSE DHE ÇFARË PO DEBATOHET?
Shumë pyetje po shtrohen e po debatohen: Është ky një debat i rastit (dhe pse pikërisht tani në prag të fushatës elektorale) apo është një “taktikë, një manovër e qeverisë”? Është ky qëndrim një eufori dhe se tani nuk kemi më nevojë për mbështetje, këshilla, monitorim dhe mbikëqyrje në fushën ekonomike e financiare dhe të reformave në këta sektor, apo është rrjedhojë e një politike, mentaliteti dhe filozofie të vjetër, që hera-herës nxjerr krye dhe kërkon të na rikthej prapa?! Apo ky është një qëndrim “inatçor” ndaj raporteve realiste, vërejtjeve dhe sugjerimeve të bëra nga FMN-ja, përballë “supersukseseve të supozuara” nga qeveria në këtë prag fushate?!
Që në fillim më duhet të theksoj se qëndrimi aktual i qeverisë për mosdeklarimin e saj për vazhdimin e një marrëveshjeje të re me FMN-në (pra largimin e FMN-së), për mendimin tim, nuk është një veprim “naiv”, individual, i rastit. Ky qëndrim është një pleksje e mentalitetit dhe e filozofisë së vjetër të drejtimit, të megalomanisë e arrogancës së veprimit, me prirjen euforike, populiste dhe elektorale ndaj situatës ekonomike e financiare dhe të asaj sociale në vend, veçanërisht tani në prag fushate, duke synuar në “çlirimin” nga mbikëqyrja në përdorimin e financave publike, të parave të taksapaguesve shqiptarë, për përdorimin e shfrenuar të tyre për qëllimet e fushatës zgjedhore elektorale të vitit 2009. Retrospektiva e këtyre raporteve, të maxhorancës aktuale në qeverisje e dëshmon më së miri këtë. (Në vitin 1996 kriza e skemave piramidale u pleks me krizën financiare, debatet për marrëveshjen e qeverisë me FMN-në në shtator 2005-janar 2006, miratimi i buxhetit 2008 pa rënë dakord me FMN-në, sidomos për masën e deficitit buxhetor dhe të shpenzimeve në përgjithësi dhe ato kapitale në veçanti dhe korrigjimi në qershor të këtij viti i këtyre treguesve etj).
Edhe justifikimi se “bashkëpunimi do të vazhdojë sipas Artikullit Nr. 4”, është një “manovër” tjetër, pasi të mos pranosh dhe ekzistencën e këtij raporti, do të thotë të përjashtohesh nga FMN-ja dhe më pas edhe nga BB-ja, gjë që do të ishte një hap, pse jo “fatal”, për zhvillimet, reformat dhe procesin e integrimit të vendit tonë. Kjo sepse anëtarësimi në FMN dhe bashkëpunimi me të nuk është një çështje “e përkohshme” (sa të kapërcejmë vështirësitë dhe pastaj FMN-ja të largohet nga Shqipëria, apo Shqipëria nuk do të jetë më anëtare e FMN-së - siç interpretohet në disa raste në debate politike, media apo siç po predikon, aktualisht qeveria aktuale. Pa dyshim, që gjithkush mund të shprehë opinione nga më të ndryshmet për bashkëpunimin e Shqipërisë me këtë institucion, FMN-në, të bëjë dhe sugjerime, por ajo që duhet kuptuar është që anëtarësimi dhe bashkëpunimi në këtë institucion nuk është i përkohshëm. Ajo që ka ndryshuar dhe do të ndryshojë në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin është mënyra, intensiteti dhe veçanërisht programet e mbështetjes, të cilat janë dhe do të jenë të kushtëzuara nga periudhat, niveli dhe objektivat e zhvillimit ekonomik, financiar e social të vendit, si gjatë tranzicionit, ashtu dhe kur Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së dhe më pas. SHBA-të, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia etj., megjithëse janë vendet më të zhvilluara, janë anëtare të FMN-së). Por…

PËRFITIMET QE KEMI PASUR DHE KEMI NGA BASHKËPUNIMI ME FMN-në?

Në rrugën e vetë të tranzicionit ekonomik e financiar, transformimit dhe reformave të kryera në këtë proces, Shqipëria ka pasur dhe ka edhe mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të një nga institucioneve më të rëndësishme financiare ndërkombëtare, Fondit Monetar Ndërkombëtar, anëtare e së cilës është që prej 15 tetorit 1991, pra që prej 17 vjet më parë.
Përfitimet e Shqipërisë nga anëtarësimi dhe bashkëpunimi me këtë institucion të rëndësishëm financiar ndërkombëtar kanë qenë dhe politike, ekonomike dhe financiare, këshilluese dhe monitoruese, zhvilluese dhe integruese.
Në këtë këndvështrim, bashkëpunimi i Shqipërisë me FMN-në në këto 17 vjet tranzicion nuk ka se si të mos vlerësohet, përgjithësisht i suksesshëm si në drejtim të mbështetjes përmes Asistencës Financiare, ashtu edhe përmes Asistencës Teknike.
Përmes programeve të realizuara me FMN-në, në tranzicionin ekonomik të Shqipërisë, në periudha të ndryshme janë realizuar objektiva të ndryshëm të reformave transformuese ekonomike e financiare, të sigurimit të stabilitetit të makroekonomike dhe të zhvillimit të qëndrueshëm, të sistemit dhe politikave fiskale e buxhetore, të sistemit bankar dhe reformave strukturore, të ngritjes dhe funksionimit të institucioneve të tregut etj. Natyrisht këto të harmonizuara dhe të bashkërenduara edhe me institucionet e tjera ekonomike e financiare ndërkombëtare, me Bankën Botërore, Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me Bankën Europiane për Investime dhe institucionet dhe programet e tjera të BE-së etj. Që në fillimet e para të bashkëpunimit të saj me Shqipërinë dhe gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, veprimet e Bankës Botërore dhe FMN-së kishin për qëllim të arrinin tre objektiva politike bazë (të cilat përgjithësisht janë arritur dhe për këtë, veç kontributit të vyer që kanë dhënë ekipet shqiptare një mirënjohje u takon edhe drejtuesve të misioneve dhe përfaqësuesve rezident të këtyre institucioneve në Shqipëri, FMN, BB, BE, BERZH, BEI etj.):
Së pari; objektivi ishte të mbështeste reformat në Shqipëri për liberalizimin e ekonomisë shqiptare, sistemin e çmimeve, regjimet e kursimit e të këmbimit dhe tregtare, të nxiste iniciativën në sektorin privat dhe konkurrencën e drejtë dhe disiplinën e tregut.
Së dyti; objektivi ishte që të mbështeste programet e Shqipërisë për stabilizimin makroekonomik nëpërmjet politikave fiskale dhe monetare që kishin për qëllim sigurimin e një balancimi të qëndrueshëm buxhetor dhe të sektorit të jashtëm.
Së treti; objektivi ishte të mbështeste krijimin e institucioneve dhe tregjeve, përmes reformave strukturore në fushën e administrimit të taksave, të privatizimit, të heqjes së monopoleve, reformave ligjore për pronësinë dhe pronat, rregullimeve bankare dhe rrjetit të sigurimeve shoqërore për të mbrojtur të varfrit, si dhe vetë uljen e varfërisë përmes politikave të zhvillimit.
Kështu, sikurse janë paraqitur edhe në tabelën e mëposhtme, në periudhën 1992-1993 (programi stand-by) kishte si prioritet injektimin e forcave të tregut në ekonominë tonë, në periudhën 1993-1996 (në programin ESAF) ishin politikat e konsolidimit të stabilizimit për të siguruar rritjen, në periudhën 1997-1998 (në programin EPCA-ja) prioritet ishte konsolidimi fiskal, në kushtet postkonfliktuale emergjente, në periudhën 1998-2001 (me programin ESAF/PRGF) prioritet ishte vazhdimi i konsolidimit fiskal, kontrolli dhe mbyllja e skemave piramidale, privatizimi i bankave etj., në periudhën 2001-2006 (me programin PRGF) dhe më pas 2001-2006 me programin PRGF EFF) prioritetet ishin krijimi i klimës makroekonomike për zhvillim, përmirësimi i klimës së biznesit, politikat e shpenzimeve, reduktimi i varfërisë, përmirësimi i sektorit energjetik etj. Këto programe janë mbështetur me një shumë prej më shumë se 162 milionë SDR, për bilancin e pagesave dhe e harmonizuar me një numër projektesh prioritare (rreth 65 projekte) të financuara nga BB, prej gati 1 miliard USD (të miratuara).

Tipi i Marrëveshjes Data e Aprovimit Data e Përfundimit
Stand-by 8/26/1992 7/14/1993
Enhanced Structural Adjustment Facility 7/14/1993 7/13/1996
Emergency Post Conflict Assistance 10/31/1997 3/31/1998
PRGF 5/13/1998 5/12/2001
PRGF 6/21/2002 11/20/2005
EFF 2/1/2006 1/31/2009
PRGF 2/1/2006 1/31/2009

Tabela paraqet programet, sipas marrëveshjeve dhe afatet e fillimit dhe të zbatimit të tyre, të zbatuara që nga anëtarësimi dhe bashkëpunimi i Shqipërisë në FMN.
Gjithashtu, FMN-ja ka mbështetur Shqipërinë, gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, me asistencë teknike në një numër fushash ku përfshihen: shpenzimet publike, tatimet dhe doganat, mbikëqyrja e bankave, në Bankën e Shqipërisë, politikën monetare,bilancin e pagesave, financat dhe qeverisjen, në fushën e statistikave qeveritare,etj.
Më në fund, duhet kuptuar që ky bashkëpunim është një suport i nevojshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së vendit tonë, të reformave ekonomike të tregut, financiare e sociale në Shqipëri, në stadin aktual dhe perspektiv. Ai është, gjithashtu edhe “një dritë jeshile” për gjithë mbështetjen që Shqipëria merr nga Bashkimi Europian dhe donatorët e tjerë, sidomos për përmbushjen e detyrimeve dhe objektivave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Europian. Janë këto arsyet që Partia Socialiste, si forca më e madhe opozitare në vend, i ka vlerësuar dhe çmuar realisht këto marrëdhënie dhe ka dhënë të gjitha garancitë për vazhdimin e programeve të bashkëpunimit me FMN-në dhe institucionet ekonomike e financiare ndërkombëtare, me realizëm dhe me sukses.

27 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›