E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: “Të mbyllet sa më shpejt procesi i ratifikimit”



Mbështetja e dhënë nga Senati Amerikan për ratifikimin e marrëveshjes së hyrjes së Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, e ka inkurajuar edhe më shumë ministrin Shqiptar të Punëve të Jashtme, Lulëzim Basha. Basha u ka kërkuar dje homologëve të vendeve të NATO-s, që morën pjesë në takimin transatlantik në Nju Jork, që të ndikojnë sa më shpejt në vendet e tyre, për të mbyllur plotësisht procesin e ratifikimit të protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Kjo është hera e parë që Shqipëria, por edhe Kroacia ftohen për të marrë pjesë në takimin transatlantik, që mbahet çdo vit gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura ku ministri Basha mori pjesë me ftesë të sekretares Amerikane të Shtetit, Condoleezza Rice, u diskutuan çështje të aktualitetit gjeostrategjik dhe sigurisë. Ministri Basha mori pjesë në takimin e Kartës së Adriatikut, ku të pranishëm ishin Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Daniel Fried dhe ministrat e Jashtëm të Kroacisë dhe Maqedonisë. Gjatë takimit Fried përgëzoi Shqipërinë dhe Kroacinë për suksesin e arritur me marrjen e ftesës dhe nënshkrimin e protokolleve të anëtarësimit në NATO.

27 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›