Senati Amerikan voton për hyrjen në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë
Shqipëria dhe Kroacia kanë marrë tashmë sërish një mbështetje të madhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për realizimin e aspiratës së tyre për t’u anëtarësuar në NATO. Kjo ndodhi pikërisht pasi Senati Amerikan aprovoi protokollin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë në NATO. Numri i dokumentit, sikurse bëhet e ditur në faqen zyrtare të Senatit Amerikan është 110-20. Protokolli i anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO i kaloi për aprovim Senatit Amerikan në datë 23 korrik, 2008. Ky protokoll u adaptua në Bruksel në datën 9 korrik 2008. Bashkë me Shqipërinë dhe Kroacinë ishte parashikuar që ftesën për anëtarësim në NATO ta merrte edhe Maqedonia. Për shkak të problemeve me Greqinë për çështjen e emrit, Maqedonia nuk arriti të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO.
Ambasada Amerikane
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë e ka cilësuar historik vendimin e Senatit Amerikan për miratimin e protokollit të hyrjes në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë në Traktatit të Uashingtonit. Në një deklaratë për shtyp, Ambasada Amerikane vlerëson se kombi shqiptar ndërmori një program madhor reformash për të përmbushur këtë synim. “Dita e djeshme shënoi një çast historik në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri: Senati Amerikan votoi
miratimin për protokollet e hyrjes në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë të Traktatit të Uashingtonit. Si një prej vendeve të para që votuan për këtë dokument të rëndësishëm, Shtetet e Bashkuara presin me kënaqësi ta mirëpresin Shqipërinë si një partnere të plotë në NATO. Ky akt i Senatit ka domethënie të jashtëzakonshme. Ai përfaqëson jo vetëm një votë besimi në një prej partnerëve më të palëkundur të Amerikës, por edhe një njohje të sinqertë të vendosmërisë së qeverisë, opozitës dhe, mbi të gjitha, popullit shqiptar, për të arritur këtë objektiv të rëndësishëm. Kombi shqiptar ndërmori një program madhor reformash për ta përmbushur këtë synim. Megjithatë, shumë reforma mbeten për t’u përfunduar dhe filluar. Ne, populli amerikan, presim me kënaqësi të punojmë me shqiptarët për të përfunduar, siç e ka thënë presidenti Linkoln, “një detyrë të filluar kaq fisnikërisht”. Përkushtimi amerikan ndaj Shqipërisë, demonstruar aq qartë në votën e djeshme, mbetet i fortë dhe shikon nga
e ardhmja”, - thuhet në deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
Perspektiva e NATO-s
Miratimi nga Senati i protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO vjen në një kohë kur janë ashpërsuar qëndrimet diplomatike mes Perëndimit dhe Rusisë për shkak të konflikteve në republikat e Kaukazit.
Shqipëria mori ftesën për anëtarësimin në NATO në Samitin e Bukureshtit më 3 prill 2008. Më 9 gusht Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan në Bruksel Protokollet e Anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Nënshkrimi i protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO i hap rrugë ratifikimit të këtyre protokolleve nga vendet anëtare dhe anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut.
Deri tani parlamentet e disa shteteve kanë ratifikuar protokollin e Shqipërisë në NATO dhe nënshkrimi pritet të përfundojë para samitit të ardhshëm në pranverë të vitit 2009.
27 Shtator 2008