E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zëvendëssekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, vizitë në Shqipëri



Zëvendëssekretari amerikan i Mbrojtjes, Gordon England, do të vizitojë javën e ardhshme Shqipërinë. Në axhendën e England është parashikuar gjithashtu edhe zhvillimi i një vizite në Bosnjë dhe Kroaci. Sipas burimeve zyrtare, qëllimi i kësaj vizite të zyrtarit të lartë të Mbrojtjes amerikane është njohja me ushtrinë e këtyre vendeve, që aspirojnë të anëtarësohen në NATO.
Burimet thanë se England do të vizitojë javën e ardhshme Europën Lindore, por ai nuk pranoi që të bënte të qartë itinerarin e tij, megjithatë ai konfirmoi se nuk do të vizitonte Serbinë. England do të udhëtojë fillimisht në Francë në datën 27 shtator, ku do të marrë pjesë në një ceremoni përkujtimore në nder të ushtarëve të rënë në luftën e dytë botërore në Normandi.
“Në Kroaci, England do të zhvillojë takime të veçanta me presidentin, kryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes”, - tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes kroate, ndërkohë që zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë nuk bëri të ditur asnjë detaj rreth ardhjes së England në Shqipëri.

27 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›