E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektvendimi, ndryshojnë rregullat për të përfituar lirim me kusht



Laureta Rryçi

Tiranë - Ministria e Drejtësisë ndryshon rregullat për lirimin me kusht. Kërkesa aq shumë e aplikuar nga të dënuarit që u kanë mbetur dhe pak vite për të vuajtur do të marrë më shumë kohë dhe do të ketë më shumë rregulla për t’u zbatuar. Burime pranë këtij institucioni pohuan se projektligji, së bashku me një sërë ndryshimesh të tjera, ka mbërritur në fazën përfundimtare për t’u votuar në Kuvend. Të njëjtat burime shpjeguan se specialistët e këtij dikasteri kanë gjykuar se i dënuari, edhe pse mund të përfitojë lirinë, duhet të jetë sërish në monitorimin e drejtësisë derisa të mbarojë vitet që i janë caktuar si kusht. Ndërkohë, ligji në fuqi i jepte më shumë liri të dënuarit që përfitonte nga ky nen. Në gjykatat e vendit, një nga kërkesat më të shumta që vijnë janë ato për lirim me kusht. Sipas statistikave zyrtare, në Gjykatën e Tiranës, që është dhe gjykata që gjykon më shumë padi, regjistrohen rreth 300 kërkesa të tilla brenda një viti.
Propozimi
Sipas propozimit, i dënuari me burgim, në përputhje me nenin 64 të Kodit Penal, ka të drejtë të paraqesë kërkesë për lirim me kusht në gjykatën e vendit të ekzekutimit të dënimit. Kërkesa shqyrtohet nga një gjyqtar, i ndryshëm nga ai që ka dhënë vendimin e dënimit me burgim. Pas paraqitjes së kërkesës për lirim me kusht, drejtori i institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale paraqet bë gjykatë një kopje të dosjes personale të personit të dënuar dhe një raport për të. Në raport përcaktohen natyra e veprës penale të kryer, qëndrimi i personit të dënuar ndaj veprës penale dhe ndaj viktimës apo familjes së viktimës, ndonjë vepër e mëparshme penale, e kryer prej tij, gjendja fizike, psikologjike, e personit të dënuar, si dhe dinamika e sjelljes së tij në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale. Më tej do të përfshihet edhe institucioni më i ri që pritet të krijohet ai i Shërbimit të Provës. Sipas projektligjit të ri, ky institucion duhet të paraqesë në formën e një raporti kushtet familjare dhe prejardhjen shoqërore të të dënuarit, si dhe për planet konkrete, për të mundësuar riintegrimin e plotë të tij pas lirimit.
Vendimi
Kur gjykata do të vendosë lirimin me kusht të personit të dënuar, ia dërgon vendimin prokurorit, ku do të jetojë i dënuari pas lirimit, dhe institucionit të ekzekutimit të vendimit penal. Personi i liruar me kusht duhet t’i raportojë rregullisht shërbimit të provës gjatë kohës së lirimit me kusht. Kur personi i liruar me kusht synon të ndryshojë vendbanimin, ai duhet të njoftojë, paraprakisht, shërbimin e provës dhe organet vendore të Policisë së Shtetit, duke dhënë motivet përkatëse. Më tej do të jetë Shërbimi i Provës që do të mbikëqyr ekzekutimin e vendimit të lirimit me kusht, dhe, kur është e nevojshme bashkëpunon me organet e pushtetit vendor dhe ato të Policisë së Shtetit. Shërbimi i Provës mund t’i kërkojë prokurorit ndryshimin e një ose të disa detyrimeve të personit të liruar me kusht, kur ai nuk është në gjendje t’i përmbushë ato. Kur do të shqyrtohet revokimi i lirimit me kusht, gjykata do t’i kërkojë Shërbimit të Provës një raport për sjelljen e personit të dënuar gjatë gjithë periudhës së lirimit me kusht.

27 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›