E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha falënderon Bushin për miratimin e protokollit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO



Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur dje, gjatë një deklarate për shtyp, miratimin nga Senati Amerikan të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ai e ka cilësuar një ditë historike për Shqipërinë, duke theksuar se miratimi nga SHBA-të i protokollit të anëtarësimit në NATO do t’i hapë rrugën dhe miratimit nga parlamente të vendeve anëtare të NATO-s. Berisha falënderoi në veçanti presidentin Bush, duke bërë të ditur se Bushi kishte i bërë rekomandim të veçantë Komisionit të Jashtëm të Senatit Amerikan. “Dita e djeshme shënon një ngjarje historike për Shqipërinë dhe shqiptarët në procesin e integrimit të tyre në NATO, si dhe në marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dje, Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendi lider i Aleancës së Atlantikut të Veriut, votoi dhe ratifikoi me unanimitet të plotë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ky votim u bë me rekomandimin personal të Presidentit të Shteteve të Bashkuara Xhorxh W. Bush”, - është shprehur Berisha. Kryeministri është shprehur se miratimi nga SHBA-të përbën një inkurajim për të gjitha vendet e tjera. Berisha ka shprehur bindjen se Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota e NATO-s në pranverën e vitit të ardhshëm. “Ngjarja e djeshme është një ngjarje e jashtëzakonshme, sepse u bë në një kohë rekord dhe nuk ka diskutim se është një inkurajim i madh për të gjitha vendet e tjera. Shfrytëzoj rastin të shpreh falënderimin tim më të madh për qeverinë e Hungarisë, Parlamentin hungarez, qeverinë e Letonisë, Parlamentin letonez, Komisionin e Jashtëm të Bundestagut dhe një sërë vendesh, të cilat kanë ndërmarrë këtë proces, në mënyrë që samiti i ardhshëm i Aleancës, pranvera e ardhshme, të jetë pranvera e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO”, - është shprehur Berisha.

27 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›