E Shtunë, 31 Tetor 2026

A e mposht dot krimin një ndëshkim i fortë?

Në Shqipëri u vritka me armë zjarri, me thikë, ose me mjete të forta, mesatarisht një njeri në ditë. Po aq është shifra tragjike e qytetarëve që humbin jetën nga aksidentet në rrugë, në punë, ose nëpër spitale e maternitete nga “pakujdesia” e mjekut që operon gabim, apo e infermieres që jep “padashje” ilaçin e gabuar. Pra, në një vit, kronika e zezë “pasurohet” me gati shtatë qind e ca viktima, shifër kjo tragjike, e denjë për kohë lufte dhe jo paqeje. Ditët e fundit, a thua se ka ndikuar vapa, njerëzit sikur janë çmendur. E jo vetëm nëpër qytete të mëdha, ku është nakatosur popullsia urbane me atë rurale, por edhe në periferi, nëpër fshatra të largëta “ku pula ha gurë”...Për një fjalë goje ekzekutohen ditën për diell me kallashnikov në plazh, në arë, në Bllok, apo në stacion të trenit, njerëz të pafajshëm, kalimtarë, kë të zërë plumbi...Tanimë vdekja, vrasjet, krimi, përdhunimet, rrahjet, helmimet, grindjet mund të të vijnë edhe me rikoshet, duke qenë mirë e bukur, teksa je në rrugë, në punën tënde, në autobus, në plazh, në një dasmë apo edhe në gjumë. Vëllai vret vëllanë, djali babën, ose nënën, ose të dy bashkë, e anasjelltas; nusja ekzekuton vjehrrën ose vjehrrin, komshiu komshiun për një vijë uji, për një ngastër, për një parkim, për një gërvishtje të makinës; e sidomos “për motive të dobëta” njeriu mund të bëhet papritur e pakujtuar merhum...Mund të jesh edhe mjek në spital e të të mësyjnë në mes të natës dasmorët e dehur që të rrahin gjithë ekipin e urgjencës, si ndodhi në Korçë!...Por mund të shtypet në autostradë edhe polici i trafikut rrugor!...Gjithçka mund të bëjë vaki, ububutë ndër ne nuk paskan të sosur! Të gjithë fajtorët ikin më pas “në drejtim të paditur”; policia vihet në ndjekje të tyre, pastaj “zbardh ngjarjen”, jep njoftimin përkatës me zëdhënës të veshur me uniformë, teksa viktimat varrosen aty ku u takon...Në varrezat e kryeqytetit zor të gjesh një parcelë të lirë, pa paguar nën dorë. Sikur nuk mjafton vetëm rropama e vdekjes! E gjithçka harrohet e mbulohet të nesërmen nga një tjetër krim, edhe më i rëndë... *** Nuk besoj të quhet tepri po të thuhet se tanimë jemi përshtatur e përditësuar me idenë e vdekjes së papritur e të pamerituar, me lajmet e vrasjeve e aksidenteve, me dhunën e krimet, me sharjet, sherret e shpifjet, po aq sa popujt që janë prej vitesh në anarki e në luftë, si afganët, irakenët a palestinezët...Kuvendi dhe politika na e kanë krijuar edhe këtë mundësi...Secili e quan veten me fat, sa kohë nuk e ka pllakosur fatkeqësia...Askush nuk është i mbrojtur. Sigurisht përveç zyrtarëve të lartë e biznesmenëve miliarderë që kanë bërë si kanë bërë dhe, duke sakrifikuar, i kanë larguar bashkëshortet, fëmijët apo dhëndurët jashtë, ca për studime, ca nëpër ambasada që t’i shërbejnë sa më mirë atdheut të dashur. Ndërsa për vete kanë imunitet deputeti, badigardë, vila të siguruara me telekamera, domosdo edhe makina dhe këmisha antiplumb. Të gjithëve na ka ndodhur, jo vetëm nëpër dasma, por edhe në vdekje, pas pyetjeve rutinë “Si ndodhi?”, të fillojnë debatet për politikën: E dëgjuat ç’tha mbrëmë Saliu?...Po Rama si iu përgjigj ?...Kush ka të drejtë?...Kush u bë ministër? Dhe harrohet vdekja e i ndjeri shkon me të shumtët, sikur ta ketë merituar kobfatin. E nëse bie fjala për krimin, do të jepet e do të gjendet një zgjidhje e vetme: “Të kapet e të varet fajtori në mes të qytetit, pastaj të shohim në do të ketë më krime e kriminelë!”...Kërkohet rikthimi i dënimit me vdekje, -madje me varje publike!-që do të thotë, sipas këtij arsyetimi, se krimi mund të lahet me krim, dhuna me kundërdhunë...Herë pas here këtë e kërkojnë para kamerave madje edhe të afërm të vrasësit. Jo se e kanë seriozisht, as pse e dinë që kjo nuk mund të ndodhë, sa kohë dënimi me vdekje është hequr, por me atë deklarim shpresohet se mund t’i shpëtojnë hak/gjakmarrjes së nesërme nga familjarët e viktimës. *** Nisur nga kjo mendësi, që buron nga diktatura e që i jep fuqi absolute ndëshkimit, duke e kërkuar shpëtimin e shoqërisë nga masat më ekstreme, u ndryshua ditët e fundit të Kuvendit edhe Kodi Penal për krimet, sidomos për ato brenda familjes. Kanë hyrë në fuqi, si thuhet nga mediat, edhe ndryshimet në Kodin Rrugor për kundërvajtjet rrugore, duke i bërë patentat me pikë...Por a pati përmirësim të klimës sociale? Në asnjë vend të Evropës, madje as tek fqinjët ballkanikë, prania e forcave të policisë dhe e patrullave të ndërhyrjes së shpejtë, nuk është si tek ne. Krimi, a thua se po jep një kundërpërgjigje të qëllimshme, në vend që të ulte kokën, të strukej e të trembej, pas ndryshimeve ligjore të cilat do të na sillnin medemek shpëtim e rehati, paqe e siguri jete, bashkëjetesë dhe harmoni, si na u tha dhe si na u premtua nga deputetët, u bë edhe më i egër e monstruoz. Ka patur ditë që janë vrarë e masakruar nga bashkëshortët jo një, por disa gra... Madje në një OJF të kryeqytetit, që prej vitesh merret me trajtimin e grave të dhunuara, u zunë dhe u rrahën e u kacafytën mes vendi edhe drejtueset e shoqatës... Si ka mundësi? A thua të jetë e vërtetë ajo që po thuhet këto ditë me dëshpërim se ne shqiptarët jemi gjaknxehtë dhe se nuk kemi respekt të vetëmjaftueshëm për jetën e njeriut?...Se jemi aq të pakulturuar e kultivuar sa gjëja që për ne vlen më pak, ndonëse kushton më shtrenjtë, është jeta e tjetrit, rrjedhimisht edhe ajo vetjake? Dhe se, për hir të mungesës së kulturës demokratike dhe mbijetesës së gjatë nën diktaturë, homos albanicus është deformuar, është bërë agresiv e posesiv, përjashtues e mosbesues ndaj jetës në komunitet? *** Po të pranosh si të mirëqena këto teori, detyrimisht do të biesh jo vetëm në dëshpërim, por edhe në albanofobi. Nëse në argumentet e mësipërme ka ndonjë të vërtetë, ato gjithsesi nuk e shpjegojnë dot dukurinë si tërësi, pasi i japin krimit në Shqipëri ngjyresë gati-gati gjenetike, të pafrenueshme, specifike...Kaq mjafton, besoj, për të hedhur poshtë paragjykimin e mësipërm racist. Krimi dhe mafia nuk kanë lindur tek ne, as gjallojnë vetëm tek ne...Por kjo nuk do të thotë të mos kërkohen arsyet burimore të rritjes së krimit vitet e fundit, në përmasa kaq tragjike, sa nganjëherë të duket sikur nuk ka polici e qeveri të vërë situatën nën kontroll e të rivendosë rendin. Sigurisht, ashtu si nuk funksionoi ashpërsimi i Kodit Penal dhe atij Rrugor për të ulur nivelin e kriminalitetit, këtë, afërmendsh, nuk mund ta bëjë as një polici e specializuar. Nëse dëshirohet të ketë rilindje, jo me fjalë dhe me propagandë elektorale, në shoqërinë tonë duhet të kryhen reforma të tilla, të cilat do të duhet të zbutin ndarjen e thiktë klasore mes shumë të pasurve dhe shumë të varfërve. Të ardhur nga shoqëria e barazitizmit absolut, kur edhe divanët ishin të njëjtë, ne, për 20 vjet (që janë shumë pak), kaluam në diferencim absolut të popullsisë, kur jo vetëm midis dy komshinjve, por edhe midis dy vëllezërve ka dallime të tilla, sa njëri jeton në luks të paparë, tjetri në mjerim pa dalje...Si mund të ndjehen dy të rinj, kushërinj, kur njëri shkon përnatë në Bllok me fuoristradë BMV x 5 e tjetrit i urdhërohet të kullosë lopën, që të nxjerrë bukën e gojës? Çfarë mendon e si ndjehet një vajzë e periferisë së Tiranës, apo, ca më larg, e katundeve të Skraparit a të Tropojës, kur shikon sfilatat e modës të Tiranës, apo programet me pulla të kuqe të dixhitalit? Ka një konflikt të egër e të papërballueshëm mes reklamës dhe mundësisë, dukjes dhe gjendjes, mes dëshirës dhe realizimit, mes nepsit dhe parasë, mes rurales dhe urbanes, mes moralit dhe trashëgimisë, mes paragjykimeve dhe modës euroamerikane, e cila vjen e gëlltitet tek ne më shpejt edhe se në Paris apo në Londër. Për të ilustruar sa më sipër, ia vlen “të zbardhet” vrasja në plazhin e Vlorës. Një vajzë që kishte shkuar të bënte plazh në resortin ku ndodhi krimi, paska marrë në telefon vëllanë dhe i ka kërkuar ndihmë se...se “disa çuna i kanë kërkuar adresën e “Facebookut”... Kaq mjafton dhe për të vënë nderin e familjes në vend, vëllai jo vetëm që shkon e përleshet, por rrëmben automatikun dhe qëllon ku të mundë..A mund të përfytyrohet kjo tragjedi, me motive kaq banale, me tre të vrarë të pafajshëm e disa të plagosur, në ndonjë vend tjetër të Europës? Sigurisht që as vëllai, as motra dhe as “çunat” nuk janë kriminelë të lindur. Por ata janë shqiptarë. Duhet të sillen jashtë shtëpisë si evropianë të lirë, ndërsa brenda familjes si “shqiptarë të ndershëm e të zakonit”. Që do të thotë: Një vajzë e sotme, edhe me “namuz familjar”, nuk mund të rrijë mbyllur në shtëpi; ajo do të vishet me minifund, do të shkojë në plazh e në disko, por ama me kufi, me moral, me nder...Po cili është kufiri? Ku është kufiri i lirisë time dhe tënde? Të rinjtë ruralë atë e shohin me sy tjetër, në mos po do ta gjykojnë si një prostitutë, si një qejfleshë të dalë nga kontrolli; mjaft t’i kërkohet adresa e “Facebook”-ut e numri i celularit dhe...Këtë paragjykim ka edhe vëllai...E pra, nuk ka polici që mund të parashikojë e parandalojë një përplasje të tillë qytetërimesh, mundësish e mendësish. *** Po kush atëherë e ka për detyrë të vendosë rregull e harmoni në këtë përplasje të egër mes rurales me urbanen, të modernes me patriarkalen, të mundësisë që të ofron reklama me pamundësinë që të jep familja?...Sigurisht shteti. Por, një shtet social që krijon besim te qytetarët e vet, si arbitër i paanshëm dhe i besueshëm dhe jo një shtet klasor, diktatorial apo anarkik, si ky i sotmi, i cili hapur e pa pikë turpi mban anën e më të fortit, të atij që ka më shumë pushtet e para. Fatkeqësisht qytetarët shqiptarë në këto 100 vjet me shtet të mëveçëm nuk kanë mundur të kenë besim te shteti i vet, sepse asnjë qeveri, e majtë apo e djathtë, nuk ka mundur të ngjallë besimin dhe bindjen se të gjithë qytetarët janë të barabartë, pavarësisht nga fuqia, emri, origjina, posti apo pasuria...Prandaj e kanë aq të kollajtë t’i drejtohen vetëgjyqësisë, si e vetmja rrugë për vetëmbrojtje e shpëtim të pronës e dinjitetit....Shqiptarët, pavarësisht nga niveli kulturor, kur punojnë e jetojnë jashtë Shqipërisë i respektojnë vijat e bardha, nuk hedhin as bishtin e cigares në rrugë, se e dinë që aty qytetarët autoktonë kanë aq besim te shteti i tyre, sa mund të t‘i telefonojnë policisë që të ndëshkohet fajtori...Kurse tek ne, kriminelët përherë “ikin në drejtim të paditur”, nguten, parakalojnë, shajnë, rrëmbejnë, shkelin ligjet, trafikun, pa u hyrë gjemb në këmbë...Po edhe kur kapen me “presh në dorë”, gjyqet dështojnë “për procedurë”, për mungesë dëshmitarësh (të cilët kanë frikë të hapin gojën edhe kur iu është vrarë para syve familjari...), por edhe për mungesë avokatësh, si është rasti “Dajti”, unikal në botë. Në këtë klimë ç’mund të bëjë një i pafajshëm kur i bien më qafë dhe i shkelen të drejtat më themelore? Ja pra përse krimet nuk mund të shuhen, as të eliminohen vetëm me masa policore dhe ashpërsim të ndëshkimit ligjor, pa i zbutur e pa i sheshuar më së pari konfliktet e dallimet e thikta sociale. Por a do ta kryejë dot këtë mision të vështirë qeveria e re me djem e vajza të reja?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›