E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rilindja”, dimensioni i barazisë sociale

(vijon nga numri i djeshëm)
Profesor Rodnik është shprehur se: “Njerëzit që përftojnë nga mbrojtja sociale janë më të vullnetshëm të merren vesh me ndryshimin, të marrin riskun në konsideratë dhe të përmirësohen”. Edhe presidenti IFO( Instituti for Economic Research) Hans-Verner Sirnn në Mynih, ka theksuar se: “Solidariteti u jep të rinjve siguri dhe vetëbesim, se ata kanë nevojë të marrin avantazhet e riskut, por se duke iu premtuar mundësira. Unë nuk jam për atë se ‘welfare state’ është shumë i kushtueshëm për ne. Përkundrazi, - vijon arsyetimin Zoti Sirnn - unë e quaj një mundësi eminente se është vetëm ‘welfare state’ që bën të mundur të ngrejë nivelin e forcave produktive, është ai përgjegjësi në përmirësimin e ekonomisë përgjatë gjithë periudhës së pas Luftë së Dytë Botërore”. Gjermanët me gjithë suksesin që kanë, nuk vetëpengohen të thonë se modeli që duhet marrë si shembull, në përpjekjet që bën për të siguruar “balancën mes orientimit për rritje dhe barazisë sociale”, është modeli specifik Suedez. Në thelb të këtij modeli parimi është se, niveli i lartë i “barazisë sociale” ka ndikuar thellësisht për ta bërë ekonominë suedeze të suksesshme. Ai është quajtur Modeli “Rehn-Meidner”. Ata që e themeluan ishin dy ekonomistë sindikatash, Gosta Rehn dhe Rudolf Meinder. Qysh në vitin e largët 1951, ata zhvilluan një model të përgjithshëm ekonomik, që u projektua që të bashkonte punësimin e plotë me një “solidaritet në politikën e pagave”, veçse pa shkaktuar procese inflacioniste. E ashtuquajtura “politika e solidaritetit të pagave” që nisi në Suedi në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, e nistuar prej sindikatave, tashmë po thuaj pas shtatë dekadash, ka krijuar një traditë dhe është materializuar në një sistem të konsoliduar dhe funksional. Kjo politikë sociale e monetare kishte dy qëllime principale. Ajo aspironte që në krye të erës të realizonte në praktikën e shpërblimit parimin: “Pagesë të njëjtë për punë të njëjtë” bazuar në zhvillimin mesatar të produktivitetit të punës. Dhe principi i dytë pati të bënte me reduktimin në përgjithësi të hendekut të pagave mes llojeve të ndryshme të punëve. Kushti për të realizuar këta dy objektiva ishte prioritizmi i negocimeve të pagave të përqendrohej për shpenzimet në nivelet e ulëta. Me qëllim që të parandalohen fitimet e siguruara nga “politika e solidaritetit për pagat” duke qenë se mund të humbej në inflacion, modeli Rehn-Meidner rekomandoi një shtrëngim në politikën e financave publike, e cila e mban kërkesën në total në kontroll prej subjekteve buxhetore. Kjo praktikë dhe ky model nuk mund të gjejnë kurdoherë suksesin, nëse produktiviteti i kompanive është i ulët, pasi në këto rrethana të punësuarit do të ishin të humbur si për shkak të politikave shtrënguese të financave publike, po ashtu edhe si rrjedhojë e “politikës së solidaritetit të pagave”. Ndaj gjetja dhe mbajtja e ekuilibrave ka qenë vazhdimisht e lidhur në mënyrë konstante me atë që në Suedi quhet: “Politikat e veçanta të tregut të punës”, çka nënkupton aktivitete të gjëra trajnuese dhe përpjekje të pandërprera në kualifikimin e të papunëve, si për ata që futen për herë të parë në treg, edhe për ata që rifuten në të pas një ndërprerjeje, për shkak të produktivitetit ose në interes të një page më të lartë. Është e dukshme që përballë krizës financiare e monetare dhe recesionit, që dolën në sipërfaqe që nga viti 2008 dhe që si hije daraviten qiejve financiarë e “mbretërive” monetare, ethshëm e kërcënuese ditë për ditë; nuk e prekën dhe infektuan ekonominë dhe realitetin suedez. Në modelin Rehn- Meinder, për më tepër, politikat fiskale shtrënguese, “politika e solidaritetit të pagave” dhe “politikat e veçanta të tregut të punës” janë të adresuara drejt një rregullimi dhe ripërtëritje strukturore. Që nga viti 1960 ky model, ku me shumë dhe ku më pak ka qenë udhërrëfyes në politikat ekonomike në Suedi. Një ekonomi e qëndrueshme dhe mjaft konkurruese në tregun global aq sa aktualisht eksporti siguron gjysmën e GNP (General National Production). Mrekullitë në tokë dhe në shoqëri nuk janë vepra zotash. Duhet kompetencë, iniciativë dhe praktika të mira. Studimet e munguara për shkak se sindikatat në këto 23 vite tek ne, jo vetëm që nuk u përfshinë në kësi soj punësh me “bukë”, por se u bën shtojca “llafazane” të zyrave të partive dhe vegla “qorre” të interesave të oligarkive kapital privatpasuri marramendëse zyrtarësh; kanë bërë që mbrojtja e specializuar dhe e përditshme e interesit social; të mos jetë realizuar as teorikisht as edhe praktikisht. E djathta në Shqipëri i kthehu sindikatat në “hordhi” të saj, sepse i bëri drejtuesit e tyre të kamur me pasuri abuzive asetesh të sindikalizmit ndaj dhe i përdori si megafon të antikomunizmit e si instrumente të makinës propagandistike elektorale. Ndërsa e “majta” i braktisi, madje edhe konfederatat, dhe kurrë nuk pati nisma që në bashkëpunim të ndërmerreshin studime prognozë për “barazinë sociale”, për “tregun e punës” për “welfare society” etj. Ka disa kasnecë tek PS-ja që “grijnë llafe”. O sa shumë broçkollisin! Dhe asgjë në torbë. Nuk ka modele, nuk ka pika referimi, nuk ka standarde dhe nuk ka gjëra të shkruara si alternativa, apo skenarë në shumës mundësish dhe platformash. Bo Rothstein autori librit “The Social Democratic State”- (Shteti social demokrat) me nëntitull, -”The Swedish model and the bureaucratic problem of social reforms” - (modeli suedez dhe problemi burokratik i reformave sociale); një libër mjaft i vlefshëm, që duhet mbajtur mbi tavolinë se është manual teorik dhe doracak pune, sigurisht nëse ke mendje e vullnet të punosh, ofron bollëk informacioni. Dëshiroj ta citoj këtë autor në një fragment shkëputur nga kapitulli “Origjinat e administrimit të tregut të punës”. Ai nënvizon si pjesë të kësaj problematike “shërbimin publik të punësimit”. (Ne për fat të mirë i kemi ngritur qendrat rajonale të punësimit dhe kjo është një praktikë e mirë.) Funksionimi? Kjo mbetet të analizohet.) Rothstein shkruan: “Agjencitë publike të punësimit në Suedi filluan jo si iniciativa të qeverisë qendrore, por si një ndërmarrje lokale në lidhje me bashkitë. Duke filluar që nga viti 1902, sistemi u shpërnda me shpejtësi dhe drejtësi, dhe prej vitit 1907, qeveria ofroi mbështetje financiare. Mënyra në të cilën zyrat e punës patën qenë organizuar, i afektoi më pas ato në zhvillim goxha të madh. Agjencia e parë që u themelua në 1902-shin, institucionalizoi parimet organizative të marrëdhënieve ndërmjet qeverisë, kapitalit, dhe punës që më pas mbizotëronte në administrimin e tregut të punës nga qeveria qendrore…. Rregullimet lokale caktuan gjithashtu se veprimet e zyrës së punës ishin organizuar si neutrale në lidhje me interesat e klasave. Këto zyra publike të punësimit nuk ishin të lidhura me punësim specifik, apo me industri të caktuara, por se ato u projektuan për të ofruar informacion për të gjitha llojet e punëve. Të gjitha shërbimet jepeshin falas” (libri i përmendur faqe 81). Në këtë parashtresë të bien në sy. Vijueshmëria e traditës, kuptimi mbi bashkëpunimin shumëpalësh në treg, publike- private-shtetërore dhe dinamika e punës krejt e dizinteresuar nga ndarjet klasore apo dasitë ideologjike. Thjesht përfshirjen e individit në tregun e punës. Agjencitë rajonale tek ne administrojnë vetëm kapacitete që lidhen me fonde publike punësimi ose dhënie nga donatorë ndërkombëtarë, por thjeshtë si mundësi kualifikimi për vetëpunësim dhe afrojnë shanse me ngjyrime partiake. Ato ende nuk kanë kuptuar se partneriteti duhet vendosur së pari, me sipërmarrjen private e me biznesin lokal, me pushtetin bashkiak dhe atë komunar, duke e realizuar jo thjesht si shkëmbim informacioni, por si detyrim që ka sektori privat ndaj komunitetit lokal dhe interesave të tij edhe në çështjen e punësimit. Lejet e aktivitetit dhe kontratat me bashkitë dhe komunat do duhet të kushtëzohen nga punësimi. Drejtoritë Rajonale, është e udhës të largohen nga varësia e ekzekutivit qëndror e sipas modelit suedez, të jenë realisht lokale, aktive dhe eficiente. “Barazia sociale” në veprim ka edhe një dimension tjetër, “demokracinë industriale”. Në praktikën e gjallë kjo lloj demokracie ka të bëjë me pjesëmarrjen aktive të çdo individi atje ku punon, në ndërmarrje të madhe industriale apo jo të tillë, në sektorin privat dhe joprivat. Secili duhet të jetë i informuar realisht dhe në detaje për punën dhe aktivitetin e ndërmarrjes, apo sektorit ku ai punon. Dhe mbi bazën e këtij njoftimi të vazhdueshëm”, të marrë pjesën në hartimin e vendimeve në të gjitha nivelet, duke filluar nga ai i vendit të punës së çdo individi, i masave për ruajtjen e shëndetit dhe të teknikës së sigurimit (kjo tashmë është miratuar zyrtarisht në SHBA dhe në Suedi) dhe sipas mundësisë, duke marrë pjesë në marrjen e vendimeve në një nivel më të lartë e ku formulohet politika e përgjithshme e ndërmarrjes. Ka rëndësi që vetë punëtorët dhe nënpunësit, dhe jo veprimtarët zyrtarë të sindikatave, që funksionojnë jashtë ndërmarrjeve, t’i përfaqësojnë interesat e tyre. “Demokraci industrial” do të thotë gjithashtu se, ndërmarrja nuk është vetëm një institucion ekonomik dhe teknik, por edhe social, në realizimin dhe funksionimin e të cilit merr pjesë aktive e për rrjedhojë është i interesuar edhe çdo anëtar i kolektivit”. (Erich Fromm, “Të kesh apo të jesh” botimi shqip, faqe 208; shtëpia botuese PHOENIX). Përballë këtyre realiteteve të përparuara, na vijnë në mëndje imazhet e realitetit gri tek ne, të grave që punojnë në ndërmarrjet e FASONIT, se si liheshin tek dera e fabrikës, përbuzshëm dhe në shbërje dinjiteti, me ditë të tëra dhe pa përgjigje. E gjithë kjo, sepse kontratat dhe lehtësirat e afruara nga institucionet e shtetit shqiptar për afaristin e huaj janë për medet. Në to gjithçka mund të gjesh, veç mbrojtjen e punëtorëve jo. Nuk është shkuar atij shtegu që në një kapitull të veçantë të kontratës, punëtoreve në këtë biznes, por edhe gjetiu, si ata që ndërtonin rrugët dhe kishin me më shumë se një vit që nuk ishin paguar, apo minatorët e kromit që vdisnin si në kohën e Zherminalit të Emil Zola-it(viti 1885); pra në kontratat e tyre, jo sindikatat me ca drejtues që shartojnë cubin me mbrojtësin, por ata që punojnë atje, punëtorët dhe punonjësit, sipas modeleve të përparuara në botë, do të duhet përfundimisht të kenë të drejta për vendimmarrje në interes të tyre. Rasti i freskët me punëtorët e ARMOS nuk ka nevojë për koment. “Iniuria non excusat iniuriam” - Padrejtësia nuk justifikohet me padrejtësi. “Rilndja” në mënyrë taksative, nëse e ka seriozisht ripërtëritjen e realitetit shqiptar, të risjellë jetësisht atë që quhet nga socialdemokracia “barazia sociale”. Shkurt dhe shkoqur, në kushtet e pronës private dhe iniciativës së lirë në treg, ku interesi artikulohet si vetinteres, pavarësisht nga këto rrethana, shoqëria nuk mund të shndërrohet në një “njësi afarizmi” dhe klima shoqërore të shndërrohet në “komercializëm pa limit”. Edhe në ekonominë e tregut të lirë, sa kohë që sistemi është demokratik, në qendër është dhe duhet të jetë njeriu, i cili ka të drejtën e jetës, madje të një jete cilësore, që zhvillohet pa ndërprerje. Barazia sociale është pikërisht mekanizmi që nuk lejon zhbërjen e njeriut si individ me interesa dhe në dinjitet dhe që e mbron shoqërinë dhe shtetin nga sëmundja e dehumanizimit. “PragramRilindja” jonë, a ke ti një tërësi problematikash që adresohen në çështjen e “barazisë sociale”? Kjo është pyetja. Më shumë se e tillë ajo është çështja që qëndron pezull nën vigjilimin tonë. Socialdemokracia shqiptare që pret të zërë vendet në parlamentin e ri dhe në qeveri në shtatorin 2013, do duhet të tregojë me vepra se është apo jo pjesë e “Internacionales Socialiste”, atje ku Zoti Edi Rama është nënkryetar, post ky që nuk ishte mbajtur kurrë nga ndonjë drejtues i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Historia vazhdon, do takohemi me parimin e tretë të politikave ekonomike socialdemokrate, me QËNDRUESHMËRINË.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›