E Shtunë, 31 Tetor 2026

A është Konferenca e Donatorëve “Plani Marshall”?

Të shpresojmë se ky do të jetë fillimi i një plani shumë më të fuqishëm dhe shumë më kapital për zhvillimin ekonomik të Kosovës, për zbutjen e prapambetjes dhe për ta afruar sa më shumë dhe sa më parë me Evropën Perëndimore.

Nga Konferenca e Donatorëve që po mbahet në Bruksel të gjithë presim shumë: popullata që është lodhur e dërmuar nga lufta e gjatë, mbijetesa e varfëria edhe më e gjatë; nga Konferenca e Donatorëve presin pjesa e inteligjencies teknike dhe e asaj të shkencave humane, sepse në pjesën më të madhe mund të kontribuojnë, po patën mundësi materiale, ndërsa realisht bëjnë një jetë të padinjitetshme, sepse as nuk i angazhon kush as nuk i paguan për punën që bëjnë; nga ky takim ndërkombëtar presin zyrtarët e të gjitha kategorive, të cilët duan të shpëtojnë nga situata pa shtegdalje në të cilën janë edhe qeveritarët, që po ashtu shpresojnë dhe besojnë se në këtë mënyrë mund ta mbajnë më lehtë dhe më gjatë pushtetin, me këtë infuzion mund të hapin rrugë për një fitore tjetër në zgjedhjet e ardhshme. Të gjithë janë në pritje, disa në lajthitje, të tjerët mund të jenë, mbase edhe do të jenë fatlumë, por është me rëndësi të fillojnë e të lëvizin gjërat, sepse as kjo konferencë dhe as ato në vijim nuk do të jenë shkop magjik i zgjidhjes së problemeve të grumbulluara për mbi 50-vjet të keqqeverisjes ose 10 vjet të kaosit ekonomik e politik.

Nga Konferenca e Donatorëve duket se presin edhe ekspertët e ndryshëm ndërkombëtarë, por edhe aventuristët e shumtë po ashtu ndërkombëtarë, në bashkëpunim me disa partnerë “kombëtarë”, të cilët janë mësuar që me donacione të tilla, ku shpesh nuk e njeh qeni të zonë, mund të përfitojnë dhe të bëhen të pasur ashtu sikurse përfituan kolegët e tyre zyrtarë – aventuristë të OKB-së, përkatësisht të UNMIK-ut. Për dhjetë vjet u dhanë më shumë para sesa që u premtuan në Konferencën e Donatorëve, në emër të rindërtimit të Kosovës, në emër të mbajtjes së administratës së UNMIK-ut dhe për këndelljen e rehabilitimin e infrastrukturës së rrënuar e të shkatërruar nga lufta.

Natyrisht nga Konferenca e Donatorëve presin edhe ata zyrtarë të tenderave, ata ministra të cilët i kanë firmat e tyre fantazmë dhe që besojnë se nuk do t’u ikin duarsh as projektet e ardhshme, ashtu sikurse që nuk u kanë shpëtuar as deri më tash që nga paslufta, kur kanë zhvatur shumë para dhe gati nuk kanë bërë asgjë. Të shpresojmë se kjo do të jetë e shkuar e harruar, sepse tash po thonë se do të financohen projektet!

Dhe nëse edhe këto shkallë kapërcehen njëra pas tjetrës edhe nëse, supozojmë se të gjitha këto mjete do të vijnë në Kosovë, ato nuk do të mjaftojnë për diçka serioze, nuk do të jenë të mjaftueshme për një ekonomi që duhet të fillojë nga zeroja, sepse një miliard euro për një shtet, i cili në fakt gati çdo gjë duhet ta bëjë nga fillimi, janë pak. Kosova është e vogël, ato para mund të zbusin probleme, mund të çelin nisma të reja, mund të hapin oreksin për diçka më serioze, më kapitale dhe të shtrijnë mundësinë që të hyjmë në rrjetin ndërkombëtar të kapitalit, të ekonomisë dhe të ideve. Opinioni e ka informacionin se kur u pranua Rumania në Bashkimin Evropian, Bashkimi Evropian i dha 30 miliardë euro për zhvillimin e shtetit. Natyrisht Rumania ka mbi 20 milionë banorë, ka një hapësirë të madhe, mirëpo Rumania edhe më herët kishte përfituar nga donatorët ndërkombëtarë, kishte përfituar nga investuesit e ndryshëm. Thonë se megjithatë as këto mjete nuk mjaftojnë, por investimet në këtë shtet dhe në Bullgari janë të vazhdueshme, pavarësisht nga donacionet fillestare.

Konferenca e Donatorëve, në mënyrën e intonimit, me qasjen ndaj problemit ende nuk është Plan i Marshallit (që e bëri Gjermaninë të tillë çfarë e njohim sot, përkatësisht që ia dha mundësitë të bëhet gjigand ekonomik); konferenca e Brukselit ende nuk është projekt grandioz, i cili do të hapë perspektiva të mëdha, mundësi të pakufishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës, sidomos në ndërtimin e fabrikave të ndryshme përpunuese e montuese), në aktivizimin e potencialit njerëzor e intelektual, në angazhimin e fuqisë së madhe punëtore për të zbutur papunësinë, për ta nxjerrë Kosovën nga varfëria. Pra, Konferenca e Donatorëve nuk e ka potencialin as kapitalin që e pati “Plan Marshall”, sikurse që nuk e ka as atë investimin po ashtu grandioz që bëri Amerika në Japoni, kur u ndihmuan 20 familjet më të pasura të biznesit japonez, të cilat pastaj me këtë kapital e bënë Japoninë shtetin më të zhvilluar ekonomik në botë. Ne familje të këtilla nuk kemi, nuk i kishim as në të kaluarën, kemi familje që me makinacione e veprime të dyshimta kanë filluar të krijojnë konturet e familjeve mafioze, por jo të biznesit. Kjo nuk do të thotë se duhet t’i refuzojmë ata që duan të investojnë ose që duan të ndihmojnë me programe të ndryshme, Zoti na ruajt, por nuk duhet të na rrëmbejë euforia.

U bë mirë që u pavarësuam, u bë mirë që më në fund po bëhemi gati që ta nxjerrim nëpër tryeza bursash apo donatorësh mundësinë e Kosovës për të ofruar fitim e prodhim, në mënyrë që të huajt ta shohin interesin e tyre, ndërsa me këtë do të kemi edhe ne interes, sepse do të angazhohemi, do të prodhojmë dhe do të shesin diçka: mallra e shërbime, ide e ndërmjetësime. Deri më tash nuk kemi shitur asgjë, pos fjalëve, të cilat nuk na i bleu askush.

Konferenca e Donatorëve është një mundësi e madhe që të joshen pastaj edhe ata që do të lëvizin fabrika, që do të investojnë në KEK, në miniera, në fabrikat e përpunimit, në ngritjen e teknologjisë së lartë të përpunimit të pajimeve më të sofistikuara etj.

Thuhet se edhe nga Konferenca e Donatorëve nuk do të rrjedhin para, por do të mbulohen materialisht projektet, thuhet se ato do të kontrollohen me rreptësi. Mirëpo, donacione janë ato që e bëjnë të mundshme zhvillimin konkret ekonomik të një shteti a të një qyteti, pra të mos jepen donacione politike që nuk i hyjnë në punë askujt, pos që qetësojnë gjakra apo që e joshin dikë të bëhet i urtë dhe të pranojë kompromise, donatorë janë ata që e blejnë një fabrikë, e ngrenë mbi baza të shëndosha dhe punësojnë njerëz, duke i paguar edhe shtetit pjesën që i takon.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›