E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Pepo, sifizi i shqiptarëve

Pas serialit të parë “Njerëz dhe fate”, një tjetër produksion i ngjashëm do të vijë së shpejti në Radio-Televizionin Shqiptar. Filmi titullohet “Dhimbja e dashurisë” dhe përbëhet prej dhjetë serish. Regjisori i tij, Ylli Pepo, është prononcuar për këtë produksion kinematografik, duke shpjeguar të gjithë elementët që e karakterizojnë atë. Drama, intriga, korrupsioni, droga, lufta për dashuri e dinjiteti përbëjnë subjektin e këtij seriali, i cili do të lançohet rreth muajit nëntor me të drejtat e transmetimit në RTVSH.

Z. Pepo, a mund të na thoni si lindi ideja për të sjellë një tjetër serial televiziv, pas njohjes tashmë publike me “Njerëz dhe fate”?

Pas telenovelës së parë shqiptare të xhiruar shtatë vjet më parë, një serial me rreth 20 seri të titulluar “Njerëz dhe fate”, ne kërkuam të lëvrojmë përsëri këtë gjini, e cila sikurse dihet, është shumë e kërkuar nga publiku dhe nga telespektatorët. Por për fat të keq ekranet tona janë të mbushura me telenovela dhe filma të importuar nga jashtë, kryesisht nga Amerika Latine që trajtojnë dhe merren me problemet e tyre, por që kanë një impakt për atë çka tregojnë edhe me publikun e gjerë të Shqipërisë. Unë mendoj se është me interes që të ketë filma të tillë që merren dhe flasin për problemet e hallet që ato kanë, për kohën që ne jetojmë dhe për gjithçka që përfshihet në jetën e përditshme dhe në univers. Të them të drejtën ne i hymë kësaj punë të re e cila është mjaft e lodhshme. Ka qenë një punë me mjaft përpjekje, me një impenjim maksimal nga grupi i xhirimit, por edhe nga organizma të cilat e kanë mbështetur financiarisht dhe organizativisht atë. Kështu që në vjeshtë unë mendoj se do të jetë gati për t’u transmetuar në ekran.

A mund të na flisni pak se si është ndërtuar skenari i filmit?

Titulli i filmit është “Dhimbja e dashurisë”, ndërsa autori i skenarit është Bashkim Kozeli. Ai është një dramaturg i njohur, i cili lëvron gjininë e dramës prej shumë vitesh dhe ka vënë shumë drama të ndryshme në skenë përgjatë këtyre viteve, si në Teatrin Kombëtar, ashtu edhe në atë të Vlorës, Gjirokastrës etj. Ky skenar është i ndarë në dhjetë seri dhe tentonte të paraqesë një panoramë, një histori të ditëve tonë dhe të viteve të fundit. Edhe pse me shumë personazhe, me shumë skena masive, me shumë skena të cilat nuk janë në një vend, por që lëvizin nga një ambient në një tjetër, ne menduam se do të jetë një film i cili do t’i shkonte përshtat publikut shqiptar.

Nga e merr historinë “Dhimbja e dashurisë” suaj?

Historia e filmit është e thjeshtë. Është jeta dhe ngjarjet që lidhen me një vajzë ish-të persekutuar të kohës së komunizmit, e cila kthehet në Tiranë, në vendin ku ka jetuar dikur dhe këtu tashmë ajo nuk gjente më atë ambient që ajo kujtonte se mund ta gjente, pas ndryshimit të sistemeve politike nga ai komunist në atë demokrat. Ajo kërkon ish-të dashurin e saj. Historia e saj me djalin në fjalë është tepër e dhimbshme, pasi vite më parë ajo kishte pasur një fëmijë të cilin e kishte abortuar sikurse kujtonte ajo, por në fakt fëmija kishte lindur dhe ishte i gjallë. Kështu, gjatë të gjithë filmit ajo bën përpjekje maksimale për të gjetur fëmijën e saj. Por, kjo histori ndërthuret edhe me shumë ngjarje të tjera, me shumë personazhe të ndryshëm që vijnë nga jeta e biznesit, nga jeta e përditshme intelektuale, nga jeta në familje dhe veçanërisht nga jeta e rinisë në shkollë dhe jashtë saj. Si të thuash është një gërshetim i të gjitha këtyre rangjeve që flet për lidhjet e ndryshme që ka Shqipëria sot, për problemet e mëdha që ka lidhur me korrupsionin, drogën, trafikun, si dhe problemet midis brezave, siç janë raportet mes prindërve dhe fëmijëve. E gjithë kjo panoramë që unë bëra sigurisht që duhet mbushur, është një mozaik që kërkon gurin të vendosur në vendin e vet, që do të thotë se shumë personazhe duhet të hyjnë e duhet të dalin në film, por duhet të lënë një mbresë. Do të jenë pjesë e së tërës. E në fakt kështu ka ndodhur me të gjithë aktorët, të njohur e të panjohur, të vjetër dhe të rinj, aktorë me stazh apo në të kundërt, pra personazhe që dalin për herë të parë para kamerave, por që për hir të së vërtetës duhet thënë që janë në lartësinë e duhur.

Cilët janë aktorët që do të luajnë në rolet kryesore?

Siç e cilësova edhe më lart në film do të jenë pjesëmarrës shumë aktorë të rinj dhe aktore me përvojë. Unë po e filloj nga këta të parët, aktorët e rinj. Ndër këta do të përmend aktoren e re që për herë të parë debuton në një film, ajo quhet Eni Lila, është motra e Elsa Lilës dhe vjen nga Italia. Ajo ka rolin e një vajze të një biznesmeneje që ndodhet në udhëkryqin mes jetës së shthurur dhe përpjekjeve për të qenë në lartësinë e kohës, për të qenë në lartësinë e moralit dhe për t’iu përgjigjur zhvillimit të vendit.

Po kështu është aktorja Nijada Saliasi, e cila ka një nga rolet më të rëndësishme të filmit, atë të Almës që rrëmbehet dhe kthehet në një prostitutë dhe ka një fund për të cilin nuk mund të flas këtu, sepse s’dua të zbuloj surprizën. Po kështu është edhe aktorja Jonida Vokshi. Është një aktore e re, ku edhe kjo luan për herë të parë, ka edhe kjo një rol të rëndësishëm në film, ku spikasin marrëdhëniet e saj me familjen, prindërit dhe veçanërisht me gjyshen të interpretuar nga një aktore e madhe e ekranit dhe e skenës, Hajrie Rondo. Gjithashtu aktorë të njohur që vijnë në film janë Kastriot Çaushi, është Petrit Malaj, Marko Bitraku, e shumë të tjerë, të cilët kanë ditur dhe janë përshtatur mirë me aktorë të tjerë që sapo përmenda janë të rëndësishëm në film, si Llesh Nikolla, i cili ka luajtur edhe filma të tjerë më përpara e deri tek vogëlushja Dora, Dorentina Qenaj, që luan për herë të parë. Ajo është një vajzë e vogël, 9-vjeçare, që veç filmit tonë, luan edhe në dy filma të tjerë njëkohësisht. Kjo tregon se edhe pse është një vajzë e vogël, ajo është edhe një talent i madh. Ndërsa sa i përket aktorit kryesor, është Anila Bisha. Personazhin kryesor e luan pikërisht kjo aktore me eksperiencë në film. Ajo është shumë e talentuar dhe besoj se e ka mbajtur mirë këtë peshë të madhe në film.

Ju thatë se do të keni një ekip aktorësh të rinj, si i keni përzgjedhur, çfarë ju ka tërhequr më shumë, qoftë dhe nga ata me eksperiencë?

Aktorët janë përzgjedhur mbi kriterin e vetëm që mendoj unë se është talenti. Në bazë të talentit dhe të lidhjeve që mund të ketë ky aktor, qoftë si fizionomi, qoftë si karakter me personazhin të cilin interpreton. P.sh., vajzat e reja që janë marrë në film janë përshtatur dhe kanë pak a shumë të njëjtat probleme, të njëjtat befasi, ashtu sikur se personazhet që ato mëshirojnë në film. Me fjalë të tjera një aktore e re ndesh në rrugë po atë gjëra që ndesh personazhi të cilin interpreton. Ky është kriteri bazë. Ndërsa për aktorët e vjetër më shumë më ka shërbyer eksperienca e tyre, më kanë shërbyer rolet e tjera që ata kanë luajtur në kinema, në teatër dhe vetvetiu janë afruar karakterit të cilin ata kanë marrë përsipër që të luajnë.

Cili është mesazhi i filmit që kërkoni të përcillni?

Mesazhi është që njerëzit nuk duhet të harrojnë dhe gjithashtu ata duhet të luftojnë gjithmonë për një jetë më të mirë dhe përpjekje për të mposhtur amoralen, gënjeshtrën, mashtrimin, luftën me atë kategori njerëzish që duan të përfitojnë dhe të jetojnë lehtësisht në kurrizin e të tjerëve.

Kush po e financon serialin?

Filmin po e financojnë taksapaguesit shqiptarë, dhe me fjalë të tjera është Radio-Televizioni Shqiptar, si dhe përpjekje për të siguruar fonde nga sponsorë të ndryshëm. Deri tani të ardhurat e filmit janë marrë nga arkat e RTVSH-së.

Po me shtëpitë filmike private, a ka pasur bashkëpunime dhe a mendoni ta bëni këtë gjë më vonë?

Bashkëpunime me shtëpi filmike private nuk ka pasur. Kjo për faktin se vetë Radio-Televizioni Shqiptar është një shtëpi e madhe filmike, e cila ka prodhuar filmat e saj që 35-36 vjet më parë dhe gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur shumë e shumë filma artistikë të prodhuar nga kolegët e mi dhe mendoj se RTVSH mund të vazhdojë të prodhojë akoma filma, të cilat mund të pasurojnë ekranin tonë publik dhe shumë mirë mund të bëjë edhe një konkurrencë të fortë me televizionet private. Edhe pse ato kanë bërë koncerte, kanë bërë festivale, kanë realizuar shumë produksione, por akoma nuk kanë mundur të prodhojnë filma artistikë.

Domethënë edhe të drejtën e transmetimit do ta presim pikërisht në Radio-Televizionin Shqiptar?

Pa diskutim, edhe transmetimi do të jetë në Radio-Televizionin Shqiptar përveç dy premierave që do të shfaqen në kinema, që do të jenë përmbledhje të filmit mbështetur në motivet e tij. Janë dy pjesë nga një orë e gjysmë që do të shfaqen në kinema për publikun e gjerë dhe dashamirës të kinemasë.

Filmi i përket periudhës së pas komunizmit me ndryshimin e sistemeve?

Po, seria e parë e filmit i përket periudhës menjëherë pas rënies së komunizmit, kohës kur sapo kishim kapërcyer në një sistem të ri politik. Ndërsa seritë e tjera i përkasin kohës sonë.

Është vënë re që edhe në ato pak filma të prodhuar pas ‘90-s, menjëherë pas rënies së komunizmit filmi mori një tjetër drejtim, por komunizmi mbeti në qendër të filmit dhe u fokusua tej mase. Pse ndodh kjo sipas jush? Pse duhet të tregojmë më shumë antivlerat dhe mos të bazohemi në tabanin tonë të larmishëm kulturor?

Pyetja juaj është shumë interesante dhe të bën të mendosh lidhur me këtë gjë, sepse është një konstatim i vërtetë. Unë mendoj se artisti ka nevojë për t’u shkëputur pak nga koha, për të parë nga lart ngjarjet dhe fenomenet që ndodhin gjatë një periudhë të caktuar kohore. Pak artistë janë në gjendje që duke jetuar në kohën që ne jetojmë ta pasqyrojnë atë në një vepër arti. Më shumë ata janë të prirur për t’u marrë me probleme, të cilat ju duken se janë më lehtë për t’u trajtuar në ekran, por njëkohësisht janë edhe më dramatike. Në fakt unë nuk mendoj kështu, pra se janë dramatike vetëm ato ngjarje që lidhen me komunizmin. Përkundrazi, në ditët tona mesa shohim çdo ditë në faqet tona të gazetave dhe nga kronikat në televizion kemi shumë e shumë drama sociale njerëzore më të forta sesa në atë kohë, pra komunizmi. Unë mendoj se kjo balancë duhet të ndryshojë.

A mendoni se ky serial mund të ndjekë të njëjtat gjurmë të serialit shumë të ndjekur “Njerëz dhe fate”?

Asnjëherë nuk mund të parashikosh fatin e një filmi. Mbaj mend që një nga kolegët e mi është shprehur duke thënë se “filmi del si ia do qejfi atij”. Që do të thotë se kur ti mendon se ke bërë një film të mirë shikon se impakti tek telespektatori nuk është ashtu siç ti shpresoje. Mendoj më mirë të pres në heshtje sesa të flas përpara kohe.

Duke qenë se shumë prej amvisave tona, kryesisht gjinia femërore janë të dhëna shumë pas serialeve dhe telenovelave, siç e cilësuat edhe ju më lart, pas produksioneve amerikano-latine, a mendoni se seriali juaj do ta zbehë për pak kohë këtë mani kundrejt tij?

Praktika dhe eksperienca e parë me filmin “Njerëz dhe fate” ka treguar se kur është fjala për ngjarje nga vendi dhe jetët e njerëzve, ti më shumë shikon ata se sa çfarë do lloj telenovele sado e mirë të jetë artistikisht apo teknikisht. Më shumë njerëzit janë të prirur për të parë ato që janë të lidhur me jetën tënde dhe me vendin tënd. Shembulli më i qartë është “Big Brother” i fundit, pavarësisht se unë nuk jam ndonjë amator i këtij lloj produkti, por ama u vu re se publiku e ndoqi me shumë kureshtje dhe interes shumë të madh. Kjo tregon se gjithçka që ka të bëjë me temën e ditës, me gjithçka që lidhet me vendin tënd, të njëjtës kohë, publiku është shumë i ndjeshëm ndaj tij.

Cilat janë sheshet e xhirimeve për të realizuar këto seri filmi?

Një pjesë e mirë e filmit është xhiruar në studiot e Radio-Televizionit Shqiptar. Një studio e madhe e tij është transformuar dhe është kompletuar me mjete familjare enkas për filmin tonë. Ndërsa sheshet e xhirimit jashtë studiove janë të larmishme. Ne kemi xhiruar që nga Thethi e Vollga e Shkodrës dhe deri poshtë në Orikum të Vlorës. Gjithashtu, kemi xhiruar në Pogradec, në Athinë të Greqisë, si edhe përtej Adriatikut, në brigjet e Italisë sepse ka ngjarje që lidhen me këto vende.

Cilat janë vështirësitë që keni ndeshur gjatë realizmit të serialit dhe cilat janë ato pengesa që nuk mund t’i anashkaloni lehtësisht duke u nisur këtu edhe nga përvoja juaj artistike?

Vështirësitë kryesore sot janë problemet monetare. S’mund të them se ne kemi notuar në lekë dhe kemi pasur mundësinë që të realizojmë çfarë të duam neve. Kanë qenë shumë skena që kërkonin para ne i keni thjeshtësuar, sepse nuk kishim aq para sa duhen. Mendoni se dhjetë seri po xhirohen me një të katërtën që kërkon një film i vetëm artistik prej një orë e gjysmë.

Sa është shuma që u është vënë në dispozicion për xhirimin filmit?

Shuma është njëqind e tetëmbëdhjetë milionë lekë.

A është e mjaftueshme për ju kjo vlerë?

Është fare e pamjaftueshme. Por megjithatë unë ndihem shumë mirënjohës dhe e falënderoj institucionin tim ku unë punojnë që bëri të mundur që edhe me kaq para unë të xhiroja një film. Edhe grupi pavarësisht se nuk është shumë i përkëdhelur nga kjo pikëpamje, nuk është shumë i përkëdhelur nga pikëpamja financiare, ai ka pasionin, ka dëshirën që të marrë pjesë në këtë film dhe ta prodhojë atë. Ata kanë bërë sakrifica të mëdha, kanë ndenjur deri në orët e para të mëngjesit shpesh në skena të vështira dhe mund të them me bindje se kam ndoshta ekipin më të mirë që është sot në Shqipëri në xhirimin e filmave. Kam një drejtor fotografie të shkëlqyer, Astrit Omerin, me një eksperiencë 45-vjeçare në televizion, që njeh çdo anë dhe detaj të rolit të tij, një mjeshtër montazhi që është ndër më të vjetrit në Radio-Televizionin Shqiptar, Andon Beçarin, drejtori i skenografive, Shkëlzen Kokalari dhe një sërë emrash të grupit me në krye drejtorin e prodhimit të filmit, Arben Lami, i cili ka sjellë një eksperiencë shumë të mirë, pa punuar edhe shumë filma të tjerë dhe tani punon me filmin tonë.

Në periudhën e post-komunizmit filmat kanë ardhur vetëm në rënie. Nëse para kësaj periudhe prodhoheshin 12-14 filma në vit, pas ndryshimit të sistemeve politike numri i tyre lë për të dëshiruar, pra kanë rënë në sy dy filma në vit, pse ka ndodhur kjo, sipas jush, përveç mungesës së fondeve?

Përveç mungesës së fondeve është edhe një tjetër problem që është mungesa e kinemave. Kjo flet qartë se kjo është një arsye e madhe që filmat prodhohen më pak sepse s’ka ku të transmetohen tek publiku. Televizioni nga ana tjetër bën të tijën, ku njerëzit e shohin më rehat në shtëpi, por mendoj se asnjëherë filmi nuk shikohet në shtëpi aq mirë sa shikohet në kinema.

Cilat janë masat që duhet të merren në mbrojtjen e kinemave?

Përveç shumë faktorëve, veçanërisht nga mungesa e fondeve, ajo që ka të bëjë me atë që një kolegu ynë, një shkrimtarë i cili thoshte “dikur kishim censurën ideore, ndërsa tani kemi censurën ekonomike”. Përveç kësaj, tek ne problemi është që mungon promovimi. Për mua një nga të metat kryesore është edhe promovimi. Nëse unë them që një film amerikan ka një buxhet prej 40 milionë dollarësh, 40% të buxhetit e harxhon për promovimin e tij, kjo të bën të mendohesh mirë. Kurse tek ne gjëja e fundit që mendohet është promovimi. Që do të thotë spoti, reklama, televizioni, reklama me postera, zhurma nëpërmjet marketingut, tek ne mungon krejtësisht. Sistemi i marketingut për të promovuar një film tek ne është ende në fazën foshnjore.

Po në rastin tonë si keni menduar t’ia dilni?

Kam menduar disa gjëra, por nuk më pëlqen t’i them se si filmi do të ftojë publikun për ta parë atë.

Sa koherente janë mjetet teknike që keni përdorur për xhirimin e filmit?

Nuk mund të them që mjetet teknike janë fjala e fundit e teknologjisë, janë ato të zakonshme që ka televizioni. Siç dihet, ende nuk kemi kaluar në sistemin digjital dhe mendoj se për një film nuk është primare ana teknike se sa ana artistike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›