E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bashkimi për Mesdheun”, paqe e bashkëpunim



Samiti ishte nismë e Presidentit francez, Nikolas Sarkozi.

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, ka iniciuar krijimin e një organizmi ndërkombëtar prej 43 vendesh anëtare, i cili do të ketë si qëllim përforcimin e lidhjeve në rajonin e Mesdheut dhe dhënien fund të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Në fillim të samitit të Bashkimit të Mesdheut në Paris, zoti Sarkozi u bëri thirrje vendeve të Lindjes së Mesme të përfshira në konflikte të gjata t'i japin fund asaj që ai e quajti 'spirale vdekjeprurëse e luftës dhe dhunës'.

Atmosfera

Siç ndodh zakonisht në takime të këtij niveli, masat e sigurisë janë të nivelit sipëror. Kjo vihej re në qendër të Parisit ku, siç u tha, ishin angazhuar më shumë se 10 mijë punonjës të ruajtjes së rendit.

Stacionet e metrosë në zonën përreth Pallatit të Madh ku zhvillohej samiti, ishin të mbyllura. Sidomos për arsye të pjesëmarrjes së udhëheqësve nga Lindja e Mesme, Siria, Libani, Izraeli dhe Palestina, dukej se ishin theksuar masat e sigurisë antiterror. Në këto kushte, Parisi të dielën ishte si i zbrazur, por edhe për shkak se një pjesë e banorëve janë larguar për një fundjavë të gjatë, duke përfituar nga festa kombëtare që kremtohet të hënën dhe që kulmon me paradën ushtarake në bulevardin “Champs Elysee”.

Nisma e Bashkimit për Mesdheun

Bashkimi për Mesdheun është një nismë personale e Presidentit francez Sarkozi, të cilën ai e pati njoftuar që gjatë fushatës së tij për zgjedhjet presidenciale.

Qëllimi i këtij bashkimi që përmbledh 27 vendet anëtare të BE-së dhe 12 vende që lagen nga Mesdheu, është thellimi i bashkëpunimit mes brigjeve jugore dhe veriore të detit Mesdhe dhe, posaçërisht, vendeve afrikane me ato evropiane si dhe me vendet e Lindjes së Mesme.

Për të arritur në këtë objektiv, Franca fillimisht dhe më pas edhe Gjermania, kanë nxitur hartimin e projekteve që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, krijimin e burimeve alternative të energjisë, masat kundër rreziqeve natyrore, hapjen e autostradave dhe korridoreve të gjera detare, të cilat në tërësi synojnë që të ngushtojnë dallimet ekonomike mes veriut dhe jugut në të mirë të stabilitetit në të gjithë Mesdheun.

Me këto synime u pajtuan të 43 udhëheqësit që morën pjesë në samitin e Parisit, ashtu si edhe me projektet që u pasqyruan në deklaratën përfundimtare.

Sukses politik

U pranua përgjithësisht se nisma e Presidentit francez duhet përkrahur, ashtu siç u përkrah nga vetë prania e aq shumë udhëheqësve nga vendet e BE-të dhe të pellgut të Mesdheut, si dhe nga një numër drejtuesish të organizmave më të rëndësishëm ndërkombëtar, si Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Barroso.

Së dyti, sukses quhet prania rreth së njëjtës tryezë e atyre që deri më tani janë konsideruar si armiq të betuar: Siria dhe Libani, apo Siria dhe Izraeli.

Madje një arritje historike quhet premtimi që ditën e shtunë Presidenti francez mori prej Presidentit të Sirisë, Bashar Asad dhe atij Sulejman të Libanit për të hapur reciprokisht ambasadat, gjë që do të ndodhë për herë të parë.

Sukses u quajt që, me gjithë praninë kaq heterogjene dhe delikate, në samit nuk u shënua asnjë incident diplomatik.

Rezultate dhe objektiva

Sa i takon projekteve konkrete, ato janë gjashtë: ulja e ndotjes në pellgun e Mesdheut me anë të një programi të quajtur 'Horizont 2020' që do të synojë mbrojtjen e brigjeve dhe ujërave, hapja e autostradave të reja dhe korridoreve të gjëra detare, mbrojtja civile që do të ketë të bëjë me mbrojtjen nga shkatërrimet natyrore, kërkimi dhe zbulimi i burimeve alternative të energjisë, ngritja e një universiteti për kërkime shkencore mesdhetare me qendër në Slloveni, si dhe nxitja e projekteve të zhvillimit të biznesit.

Problemi është se këto projekte të bukura në letër kërkojnë fonde të mëdha, por Presidenti francez tha se ajo që mungon është paqja dhe jo fondet.

Shqipëria në samit

Së pari, me rastin e samitit, Shqipëria dhe BE-ja nënshkruan me firmën e Kryeministrit Berisha dhe të përfaqësuesit të lartë Solana, marrëveshjen për dërgimin e një kompanie shqiptarësh prej 62 vetësh në shtetin afrikan të Çadit, si pjesë e trupave paqeruajtëse të BE-së.

Në fjalën e tij në samit, Kryeministri Berisha bëri thirrje për të investuar në Shqipëri, duke veçuar klimën e tolerancës dhe dialogut ndërfetar që ekziston në vend.

Kryeministri i Shqipërisë u tregoi pjesëmarrësve një fotografi nga Berati, ku duken pranë e pranë një ikonë e Shën Mërisë me foshnjën në krah dhe dy minare të xhamive aty pranë. Ai bëri ftesë për ngritjen në Shqipëri të instalimeve për prodhimin e energjisë elektrike dhe pohoi se kishte marrë për këtë përkrahje nga Kryeministri italian, Berluskoni.

Një vend të posaçëm në fjalën e tij, zoti Berisha i kushtoi Kosovës.

Ai u bëri thirrje atyre vendeve pjesëmarrëse në samit që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta ndërmarrin një hap të tillë, jo si shpërblim për shqiptarët e as si ndëshkim ndaj serbëve, por si një kontribut për nxitjen e dialogut dhe paqes në Ballkanin Perëndimor.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›