E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja çfarë ofron Shqipëria

Është një kënaqësi e veçantë për mua të marr pjesë në këtë Samit ku do të përurojmë së bashku, besoj, një fillim të ri, të madh dhe historik të marrëdhënieve pothuaj eternale e të gjithanshme, që kanë lidhur vendet dhe rajonet tona, që ndahen nga një det, i cili i bashkon sot ato në Bashkimin për Mesdheun.

Dëshiroj të shpreh me këtë rast falënderimet më të përzemërta për vendin mikpritës, Francën dhe Presidentin Sarkozy, si promotor i nismës së madhe Bashkimi për Mesdheun, si dhe për organizimin e shkëlqyer të këtij Samiti në Paris, kryeqyteti kaq shumë i lidhur me historinë, kulturën e kombeve dhe vendeve tona.

Më lejoni me këtë rast, i nderuar President Sarkozy, që në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, t’ju shpreh ju dhe përmes jush, qeverisë dhe kombit të madh të Francës urimet më të përzemërta e me rastin e festës kombëtare të Francës, që do te kemi nderin ta festojmë së bashku, nesër. 14 korriku është një ditë e madhe historike që i përket jo vetëm kombit francez, por të gjithë qytetërimit perëndimor dhe mbarë njerëzimit.

Shqipëria e mbështet fuqishëm nismën Procesi i Barcelonës: Bashkimi për Mesdheun, dhe objektivat e saj për paqe stabilitet, siguri, integrim rajonal e kohezion. Ne besojmë se forcimi i dialogut politik dhe bashkëpunimit në të dy brigjet e Mesdheut është i domosdoshëm jo vetëm për Evropën por ai ka edhe dimension global. Rajoni ynë është rajon i zhvillimeve të mëdha, i kulturave e qytetërimeve sa të lashta aq edhe të larmishme, por edhe i konflikteve pa zgjidhjen e së cilave paqja në botë nuk mund të jetë e sigurt.

Shqipëria dhe shqiptarët me përvojat e dhimbshme që historia u rezervoi, si pushtimet, ndarjen, genocidin e izolimet e vetëshpallura apo të imponuara, por edhe me traditat e një kombi plurireligjioz, me tolerancë të shkëlqyer fetare, që nuk ka njohur konflikte në tërë historinë e tij. Në Shqipëri është një qytet i lashtë që quhet Berat, i cili pak ditë më parë hyri në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Në këtë qytet ndodhet një kishë e shekullit të 16-të që unë e vizitoj shpesh, sepse njëra prej ikonave të bukura të saj, një foto të cilës e kam marrë sot me vete dhe po jua tregoj këtu, paraqet Shën Marien me foshnjën Jezu në krah dhe në të dyja anët e saj ndodhen dy minare, dëshmi kjo e një respekti të thelle e të palëkundur të shqiptarëve për besimin e njëri-tjetrit. Simbol i tolerancës sonë të shkëlqyer fetare.

Gjithashtu shqiptaret me përvojën e tranzicionit e transformimit rrënjësor të vendit të tyre gjatë 16 viteve të fundit, si dhe me arritjet e jashtëzakonshme në projektet madhore kombëtare për integrimin evropian dhe atë euro-atlantik kanë shumë për të ofruar në këtë proces. Ne jemi gati të ndajmë përvojën tonë me secilin nga vendet tuaja mike, anëtare të Bashkimit për Mesdheun.

Gjatë këtyre tre vjetëve të fundit, duke shndërruar reformat në perpetual mobile të saj, Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE dhe po e zbaton atë me sukses. Me 3 prill të këtij viti mori ftesën për anëtarësim në NATO dhe më 9 korrik u nënshkruan në Bruksel protokollet e aderimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Duke shpresuar që vendet anëtare të ratifikojnë me përparësi protokollin e aderimit të Shqipërisë në NATO dëshiroj t’i siguroj ato se ne jemi të vendosur plotësisht të vazhdojmë reformat e thella e të gjithanshme dhe se me politikën tonë të jashtme do vazhdojmë të mbetemi një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon e më gjerë.

Shqipëria vlerëson theksin që Procesi i Barcelonës: Bashkimi për Mesdheun i jep hartimit dhe realizimit të projekteve. Janë realizimet praktike, konkrete, të prekshme ato që ndikojnë e ndryshojnë jetën e njerëzve. Shqipëria është e interesuar në projektet konkrete të propozuara, në veçanti i kushtojmë vëmendje dhe interes të veçantë projekteve në fushën e infrastrukturave të mëdha, mjedisit dhe energjisë.

Krijimi i klimës më të favorshme për biznes e investime është një nga përparësitë më kryesore të qeverisë sime gjatë. Gjatë këtyre tre vjetëve, ne kemi arritur një revolucion të vërtetë fiskal, një thjeshtësim dhe ulje drastike të taksave. Kështu nga 23 taksa kombëtare aktualisht ekzistojnë vetëm 6. Kemi instaluar taksën e sheshtë 10% duke ulur nga 25 ne 10% tatim fitimin dhe nga 23 ne 10 % tatimin mbi të ardhurat personale. Kemi ulur në 50% taksën e biznesit të vogël, 31% sigurimet shoqërore, 33% çmimi i energjisë për bizneset. Sot, Shqipëria është vendi me taksen e sheshte më të ulët në Evropë, në nivelin 10%.

Për të thjeshtësuar proceduar burokratike për biznesin, qeveria ime po instalon kudo procedurat “One Stop Shop”. Biznesi sot regjistrohet në mënyrë elektronike për një ditë dhe me tarifë vetëm 1 euro. Ekonomia shqiptare është e re dhe dinamike, ajo ka nisur ketë vit me rritje dyshifrore, me inflacion plotësisht te kontrollueshëm, eksportet janë rritur me 41%. Në hartë, vendi ynë është i vogël, por ka potenciale te jashtëzakonshme, turistike, ujore energjetike dhe minerare për investitorët e vendeve tuaja dhe tregun e punës më të favorshëm në Evropë. Në Shqipëri u hoqën mbi 103 leje dhe licenca (rreth 70% në total), dhe kanë mbetur vetëm 62 të tilla të cilat do të përmblidhen në “One stop Shop”. Unë gjej rastin t’u bëj thirrje të gjithë investitorëve të vendeve tuaj të vijnë dhe të eksplorojnë potencialet e jashtëzakonshme në burime e bukuri natyrale si dhe kapacitetet njerëzore që Shqipëria ofron. Qeveria shqiptare do të jetë përkrahësi dhe mbështetësi më i mirë i tyre.

Përpara se të përfundoj dëshiroj të shtoj dy fjalë mbi zhvillimet në rajonin e Ballkanit perëndimor, i cili si vazhdimësi e rajonit të Mesdheut ka një rëndësi jetike për paqen dhe sigurinë e vendeve tona. Kosova prej dekadash ishte shtazan me fatin e saj. Me 17 shkurt, fëmija lindi; Kosova është sot e pavarur. Në rajonin tonë një fëmijë i ri ka lindur. Kosova po hedh hapat e saj të parë në ndërtimin e demokracisë më të re në Evropë. Historia politike e legale e Kosovës, por edhe genocidi e fushatat e pastrimit etnik e bëjnë atë një rast unik që nuk krijon precedent. Kosova është njohur tashmë nga më se 42 vende.

Dua të theksoj se asnjë nga këto vende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës si një vendim për të ndëshkuar Serbinë, por as edhe për të shpërblyer shqiptarët. Ato kane njohur pavarësinë e Kosovës me bindjen me të thelle se kjo është rruga e vetme për të garantuar paqen dhe stabilitetin në rajon. Unë do t’ju drejtoj një thirrje miqësore, vendeve mike të pranishme në këtë Samit, të cilat ende nuk e kanë marrë këtë vendim, të shfrytëzojnë shansin për të dhënë kontributin e mëtejshëm në paqen në gadishullin tonë, duke njohur pavarësinë e Kosovës.

Duke përfunduar, dëshiroj të theksoj edhe një herë vendosmërinë dhe angazhimin e vendit tim për të qenë një partner aktiv dhe i vendosur për të kthyer këtë iniciativë të shumë-vlerësuar në një histori të vërtetë suksesi.

* Fjala e Kryeministrit Berisha në Samitin e Parisit

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›