A është Medvedev Gorbachev i Obamës?
Arti i kremlinologjisë u kthye në modë para disa viteve dhe mes atyre që sot jetojnë duke interpretuar intrigat bizantine në Moskë, nxit një debat: A është presidenti rus, Dmitry Medvedev, zot i vetvetes? Dhe a mund të jetë një reformues i gatshëm që të thyejë zinxhirët e sistemit të tij?
Për shumë skeptikë, vetë kjo ide duket si triumf i shpresës përmbi përvojën. Medvedev ia ka borxh karrierën e vet Vladimir Putin-it dhe ka shërbyer në mënyrë besnike afër tij gjatë ri-konsolidimit të fuqisë së shtetit në fillim të dekadës. Megjithëse Medvedev ka bërë deklarata përkrahëse për sundimin e ligjit, vështirë të thuhet se ka bërë ndonjë lëvizje në atë drejtim deri tani.
Mirëpo në Uashington, Londër, Paris dhe Berlin shumica duan të besojnë se Medvedev ndonjë ditë do të dalë si forcë për ndryshim në Rusi, një modernizues i ri, i cili me mprehtësi apo haptazi do të largohet nga patroni i tij dhe do ta kthejë shtetin në rrugën drejt shoqërisë civile. Natën e kaluar dëgjova një person që është i afërt me administratën e Obamës duke argumentuar se politika më e mençur për Perëndimin është t’i jepet hapësirë Medvedev-it që të manovrojë dhe të dalë nga roli i tij si i mbrojturi i Putin-it.
Është interesante se sa i njohur duket ky debat, kur lexohet libri i jashtëzakonshëm i James Mann-it, “Rebelimi i Ronald Reagan”-it. Tensioni thelbësor i librit e vendos Reagan-in përballë turmës së diturisë konvencionale, kur ai e vlerësoi udhëheqësin sovjetik Mikhail Gorbachev. Ndërsa ata shpërfillën mundësinë që Gorbachev do të mund të paraqiste çdo gjë tjetër pos një fytyre pak më miqësore për “perandorinë e ligë” të vjetër, Reagan pa diçka tjetër, një sekretar të Përgjithshëm komunist i gatshëm që të ndryshojë sistemin, i cili e ka krijuar atë për të transformuar shoqërinë e tij. Duke ndjekur pa u ndalur marrëveshjen me Gorbachev-in për kontroll të armëve, Reagan, Luftëtari i Ftohtë i vjetër, kundërshtoi bazën e tij konservative, shumicën në vetë Departamentin e tij të Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, madje edhe Richard Nixon-in, arkitektin e uljes së tensionit. Edhe pse gjithkush i tha që Gorbachev po gënjente për përkushtimin e tij ndaj reformës, në mënyrë që të fuqizonte Bashkimin Sovjetik, Reagan besoi që homologu i tij ishte i vërtetë.
Ashtu si ndodhi, skeptikët përfshinë edhe një Robert M. Gates, atëherë një zyrtar i lartë i CIA-s e tani sekretar i Mbrojtjes. Gates ishte aq i hapur në paralajmërimet e tij rreth besimit të reformave të Gorbachev-it, saqë u ndesh me disa nga zëvendësit e lartë të Reagan-it. Në një memorial mbi Gorbachev-in në fillim të vitit 1986, pak para se të bëhej zv/drejtor i CIA-s, Gates shkroi se të gjitha shenjat tregonin se “mbi synimet dhe politikat fondamentale ai gjer tani mbetet po aq jo i ndryshueshëm sa edhe paraardhësit e tij.”
Gates përfundimisht u vërtetua ta ketë gabim. Por, a do të thotë se skeptikët e sotshëm të Medvedev-it janë njëlloj? Jo. Debati për Gorbachev-in e ka përsëritur veten që nga ajo kohë me rezultate kundërshtuese.
Kur gruaja ime, Susam Glaser dhe unë arritëm në Moskë në fund të vitit 2000 si korrespondentë për “The Washington Post”, shumë amerikanë dëshiruan të besojnë te Putin, ashtu si Reagan besoi te Gorbachev. Në fund të fundit ai ishte njeri i ri, energjik, i instaluar nga Boris Yeltsin dhe ishte udhëheqësi i parë i huaj që e thirri presidentin e atëhershëm, George W. Bush, për t’i ofruar përkrahjen pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.
Megjithatë, ajo që pamë për së afërmi e bëri të qartë që ai ishte një gjykim i gabuar. Putin nuk ishte reformuesi demokratik që Uashingtoni shpresonte. Ai ishte një figurë shumë më e komplikuar, që kishte për qëllim të ri-themelonte një autoritet të fuqishëm qendror dhe të rindërtonte Rusinë në një fuqi të madhe sërish.
Ai nuk e ka ri-themeluar Bashkimin Sovjetik, ashtu si thanë disa, jetesa e përditshme ruse është shumë më e lirë sot nga sa ishte në kohën kur e mori pushtetin Gorbachev, por Putin ka punuar që të shtypë çfarëdo fuqie alternative që do ta sfidonte, nga parlamenti dhe guvernatorët e deri te bizneset e mëdha dhe mediet. Duke ia dhënë presidencën zëvendësit të tij, Medvedev, dhe duke u bërë vetë kryeministër, Putin ngjalli shpresa të reja në Perëndim. Shumica morën zemër nga fakti se Medvedev nuk ishte mes veteranëve të KGB të njohur si “siloviki,” apo njerëz të fuqisë dhe pranuan premtimet e tij se do të mundte korrupsionin dhe “nihilizmin legal” në Rusi, dhe se “do të mbrojë liritë civile dhe ekonomike”. Ajo që u shpërfill ishte fakti se Putin ka thënë gjëra të ngjashme me vite. Dhe Medvedev, kampioni i vetëquajtur i lirisë dhe i sundimit të ligjit, më herët i kishte shërbyer Putin-it si kryetar i “Gazprom”it, gjiganti energjitik i kontrolluar nga shteti, që është përdorur si një instrument i fuqisë kundër manjatëve jo-miqësorë të medieve në Rusi dhe fqinjëve që nuk bashkëpunojnë.
Prandaj Medvedev nuk është Gorbachev. Së paku ende jo. Ajo që libri i Mann-it na përkujton, është se sa pak dimë se çfarë po ndodh me të vërtetë brenda udhëheqësisë ruse. Udhëheqësit rusë në fund të fundit, nuk veprojnë ashtu si duam ne, por ashtu si i shohin interesat e Rusisë. Gorbachev besoi se ishte në interes të Bashkimit Sovjetik që të hapte një sistem të mbyllur dhe t'i jepte fund garës së armëve. Reagan e pa këtë gjë dhe bashkëpunoi me të. Pas një dekade të jostabilitetit, Putin e pa përmbledhjen e fuqisë edhe në Rusi, edhe në fqinjësinë e Rusisë si interes të Rusisë.
Kështu që, kur vjen puna te vlerësimi i udhëheqësve rusë, presidentët amerikanë duhet të mbështeten në një përzierje të instinkteve, vlerësimit të kthjellët dhe skepticizmit të shëndoshë. Dhe ndonjëherë do të kenë të drejtë, ndonjëherë jo.