E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH nuk mohon planet për ndërtimin e centralit bërthamor, por e quan zhurmën të tepërt

Nga Fitim Zekthi

Qeveria shqiptare e ka cilësuar dje të parakohshme dhe të tepërt zhurmën e madhe që po bëhet për ndërtimin e centralit bërthamor në Shkodër. Drejtori i KESH, Gjergj Bojaxhi, tha se “për sa i takon TEC-ve dhe centralit bërthamor, për momentin po bëhet më shumë zhurmë seç duhet, që të ndërtosh një objekt të tillë do të paktën 20 vite, do një konsensus social, politik, formalisht rajonal. Për drejtorin e KESH Shqipëria ka nevojë për burime të reja energjie, pasi për përballimin e nevojave në vend nevojitet të paktën një shtesë energjie prej 400 megavatesh. “Shqipëria ka nevojë për një kapacitet shtesë deri në 400 megavat. Nëse ky prodhim shtesë do të vijë me TEC me qymyr, me central bërthamor apo mënyra të tjera ndërtimi, këto janë çështje alternative. Është e mundur të ndërtosh TEC-in me qymyr, por problemi më i madh është ndotja”, - theksoi Bojaxhi. Drejtori i KESH nuk tha asgjë, nëse ka plane ose jo për të ndërtuar një central bërthamor në Shkodër. Gjithashtu, drejtori Bojaxhi nuk mohoi asfare mundësinë e ndërtimit të një centrali bërthamor në Shkodër, pavarësisht se tha se ndërtimi i një centrali të tillë do të kërkonte shumë kohë dhe debatet e tashmë janë të tepërta. Në fakt, ndërtimi i një centrali bërthamor kërkon vërtet një kohë të tillë, por nënshkrimi i marrëveshjeve për ndërtimin e tij nuk mund të pengohet nga kjo kohë. Në rast se marrëveshje të tilla nënshkruhen, atëherë ndërtimi i centralit bërthamor do të ishte shumë e vështirë të pengohej. Shtypi kroat ka qenë shumë i qartë gjatë gjithë këtyre ditëve dhe ka raportuar se qeveria kroate pret të nënshkruajë një memorandum bashkëpunimi me qeverinë shqiptare në fund të prillit të këtij viti. Nuk ka një kontratë të nënshkruar për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shkodër, por ka marrëveshje bashkëpunimi ekonomik, e cila do të pasohet nga memorandumi që do të parashikojë ndërtimin e një centrali bërthamor. Gjergj Bojaxhi, drejtori i KESH, me gjithë kujdesin për ta shmangur debatin nga ndërtimi i centralit bërthamor, nuk mohoi asfare planet për ndërtimin e një centrali të tillë në Shkodër.

Qeveria shqiptare deri më tani nuk ka reaguar, as përgënjeshtruar planet për këtë central në Shkodër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›