E Diel, 1 Nëntor 2026

Thellohet skandali i votimit për licencën, Bano: Një deputet konfirmoi votën me telefon

Nga Tema

Thellohet skandali i dhënies së licencës së operatorit të katërt celular. Si të mos mjaftonte futja jashtë procedurës në punimet e Kuvendit, dhe votimi pa kuorum mbrëmjen e së mërkurës nga deputetët demokratë në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, relatori i projekt/ligjit, Ilir Bano, me gojën e tij pranon situatën absurde. Në mbledhje nuk bëheshin 9 deputetët e domosdoshëm e për pasojë një votë është siguruar nga një deputet enigmatik me telefon. Në mënyrë flagrante dhe në shkelje të hapur të ligjit dhe rregullores, anëtarët e djathtë e kanë quajtur të votuar draftin e ardhur me urgjencë nga qeveria pas dështimit të tenderit për dhënien e licencës së operatorit të katërt celular në vend. Në një kaos total, të mbledhur me urgjencë, me votim të ripërsëritur dhe pa anëtarët opozitarë, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese shkeli rregulloren, duke quajtur të miratuar një draft që duhet të votohej me 9 anëtarë dhe jo me 8. Ky fakt u pranua të mërkurën dhe nga kryetari i komisionit në fjalë, Ylli Bufi, i cili tha se një votim i tillë konsiderohet absolutisht nul. Skandali merr përmasa edhe më të mëdha, kur mazhoranca pritet ta kalojë për votim në Kuvend draftin antiligjor. Duke shfrytëzuar dhe mungesën e opozitës dhe faktin se projektligji kalon me shumicë të thjeshtë, dhënia e kësaj licence konsiderohet për anëtarët e mazhorancës e kryer. “Faktori Plus” zbuloi kontratën e fshehtë mes aksionerëve shqiptarë pranë kryeministrit Berisha dhe njëherësh ortakë në Supersport, të cilët, nën hijen e Postës së Kosovës, marrin për 7.2 milionë euro dhe pa tender këtë licencë të kompromentuar.

“Vizion Plus”

Berisha nuk përgjigjet për skandalin e licencës, sulmon mediet që publikojnë shkeljet

Kryeministri nuk ka dhënë asnjë përgjigje dje, pse po i jepet licenca e operatorit celular një konsorciumi shqiptar pa garë, ndërsa ka sulmuar ashpër mediet që kanë publikuar skandalet e tij. Berisha tha se qeveria ka ndaluar të gjitha privatizimet në prag fushate, përveç këtij, kur dihet tashmë që kompani si ARMO e INSIG janë shitur, dhe kjo llokmë e mbetur po jepet me shpejtësi nga Kuvendi.

“Kjo pyetje është pyetje tipike që tregon se si pronarët përdorin mediet, sepse Edili, së bashku me Edvinin, ishin 2 pretendentët kryesorë të licencës. A i keni parë ju se si turfullojnë për ARMO-n, vetëm sepse Besniku i “Tajvanit” mbeti pa e marrë, pavarësisht se kishte rreth 30 milionë më pak me Edi Ramën në ofertë? Oferta e tyre ishte 100 milionë, ndërkohë që oferta e atyre që fituan ishte 130 milionë. Një vit rresht “tele-edili” nuk thotë gjë tjetër, veçse errësohet dhe gdhihet vetëm me ARMO-n. Tani na doli çështja e licencës, por licenca e Edilit dhe Edvinit ishte nja 2 ose 3 milionë më pak se kjo tjetra. Përse pronari juaj nuk e bëri 8 milionë dhe atëherë ai le të shikonte, nëse do t’ia jepnim atij ose jo këtë leje? Absolutisht do t’ia jepnim atij, pavarësisht këtyre që unë them. Ka një interes publik. Problemi është se interesi publik nuk mund të cenohet në asnjë rast dhe ky interes është që licenca i jepet atij që ka dhënë shumën më të madhe dhe ka ofruar kushtet më të mira dhe kjo është kompania, e cila ka në përbërje postën dhe Telekomin e Kosovës, Entin Publik. Ai ka sjellë 7 milionë dhe ne nuk mund t’i themi se do t’ia japim Edilit me 4 milionë. Jo, kjo nuk mund të ndodhë,” tha Berisha.

Berisha nuk ka komentuar vendimin e paligjshëm të Kuvendit për të dhënë licencën pa pasur kuorum, po ashtu nuk ka komentuar skandalin e Fahri Balliut, i cili, përveçse këshilltar i tij dhe botues i një gazete pranë tij, është dhe në forumet e PD

Kompania që doli e dyta në garë, u krijua një muaj pas tenderit

Edhe tenderi i dështuar për operatorin e katërt celular nuk do mund të ishte zhvilluar, për shkak se do të duheshin të paktën dy firma për të garuar. Duket se për të mbajtur të gjallë garën, kompania tjetër garuese “Universal PG” është futur në mënyrë formale në të. Kjo për shkak se ajo është formuar një muaj pasi ka hyrë në tender, duke shkaktuar kështu shkeljet për t’u përjashtuar nga tenderi.

Gazeta “TemA” sjell aktin e themelit të shoqërisë “Universal Portal Globe” që është një muaj pas zhvillimit të tenderit (Faksimile 1). Kjo rrëzon të gjitha pretendimet e kryeministrit Berisha se gazeta “TemA” apo media të tjera janë në favor të ndonjë kompanie në garë, duke nxjerrë zbuluar të gjithë skemën mashtruese të kryeministrit për të dhënë në mënyrë abuzive këtë licencë. Shpejtësia dhe shkeljet e shumta që po pasojnë miratimin e dhënies së licencës janë qartësisht shenjë e abuzimit qeveritar.

Dy ditë më parë, gazeta “TemA” publikoi të dhëna se aksionerët kryesorë të paketës dixhitale Supersport, do të bëhen me vendim të qeverisë aksionerë të licencës së katërt të operatorit celular në Shqipëri. Përdorimi i emrit të Postës së Kosovës është thjesht formal, pasi, sipas marrëveshjes sekrete që ka mes PTK Kosovës dhe aksionerëve shqiptarë, Posta e Kosovës do të tërhiqet nga paketa kontrolluese, pasi të plotësojë detyrimet individuale që ka si aksionere. Kjo zbulohet në seksionin 4 të kontratës së përbashkët mes këtyre firmave.

Në paragrafin e fundit të këtij seksioni thuhet: “Palët janë dakord që kjo shoqëri do të mbajë paketën kontrolluese të përqindjes për një kohë minimum, derisa të përfundojë autorizimi individual i detyrimeve për mbulimin e rrjetit.” Pra, shihet qartë se PTK e Kosovës duhet deri te mbulimi i rrjetit dhe pastaj del nga loja.

Nëse i hedh një sy seksionit 5, ku përshkruhet autorizimi individual i detyrimeve për secilin partner, e shikon qartë se detyrat e saj janë fillimisht teknike, dhe pastaj ajo del nga paketa kontrolluese. “PTK merr përsipër zbatimin në bashkëpunim me të tjerë anëtarë ekzekutivë të projektit. Gjithashtu, merr përsipër asistencën e operatorit në aspektet teknike, operacionale dhe trajnimin e stafit. Në bazë të nevojave për fonde, merr fondet në bashkëpunim me anëtarë të fondeve të tjera që të mbulojnë koston e planifikimit dhe zbatimit të punëve”, - thuhet në seksionin 5, ku jepen përqindjet e kompanive dhe saktësohen detyrat e tyre.

Duke qenë se në këtë kompani janë aksionerë të gjithë aksionerët e Supersportit, përveç Aleksandër Frangajt, burime brenda grupit bëjnë të ditur se aksionet e Frangajt janë deleguar te Samir Mane, me të cilin ka biznese të tjera, ndërsa aksionet e Armando Dukës te dy aksionerët e tjerë që janë dhe pronarë të DigitAlb.

Kjo shpjegon dhe shumë pikëpyetje, përse qeveria është vënë në dispozicion të këtij bashkimi investitorësh dhe cila është mbështetja mediatike që ata kanë.

Ky është një zhvillim shumë interesant, po të kihet parasysh se ministri Olldashi ka ardhur në pushtet duke mundur Agron Dukën, vëllanë e Armand Dukës, i cili mund të jetë përfituesi i këtij projektligji, hartuar me autorizim të Olldashit.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave: Tenderi për operatorin celular dështoi

Qeveria i ka dhënë licencën e celularit të katërt kompanisë Postë-Telekomunikacioni i Kosovës dhe bashkimit të investitorëve shqiptarë në kundërshtim me çdo ligj në fuqi dhe duke shkelur hapur rregullat e konkurrencës. TV NEWS 24 transmetoi shkresën informuese që Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në tenderin e 20 shkurtit i ka dërguar ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi. Në këtë shkresë, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave thekson se tenderi ka dështuar për shkak të mungesës së konkurrencës dhe në bazë të ligjit duhet të niste një procedurë e re.

“Duke qenë se numri i ofertave të paraqitura në tender ishte dy dhe për shkak se njëra nga këto oferta nuk u kualifikua, çka solli për rrjedhojë që në garë të mbetej vetëm një ofertë, në zbatim të pikës 6.1, seksioni 6, kreu i parë i Dokumentit Teknik, sipas së cilës ‘Për të vazhduar procesin e përzgjedhjes së fituesit, në vijim të procedurës së tenderit duhet që numri i ofertave të vlefshme të jetë jo më i vogël se dy, në të kundërt ndërpritet procedura dhe fillon një procedurë e re. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO), vendosi që të mos vijonte më tej me vlerësimin e ofertës së kompanisë “Postë-Telekomunikacioni i Kosovës” dhe Bashkimi i Investitorëve” dhe të ndërpriste procedurën”, - thuhet në dokumentin e siguruar nga TV NEWS 24.

Por Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, bazuar në tenderin që vetë Komisioni i Vlerësimit të Ofertave e deklaron të dështuar, shpall fituese kompaninë Postë- Telekomunikacioni i Kosovës dhe Bashkimi i Investitorëve, duke e konsideruar atë një ofertë fituese. Në këtë mënyrë është shkelur hapur ligji, duke e dhënë licencën e operatorit të katërt celular pa garë.

NEWS 24

Shqipëri: Parlamenti shkel rregullat e veta për licencën e celularit

Në Shqipëri parlamenti kaloi mbrëmë për miratim në Komisionin e Ligjeve një projektligj, i cili i jep të drejtën për licencën e katërt të telefonisë celulare një konsorciumi të përbërë nga Posta e Kosovës dhe një grupi biznesmenësh shqiptarë. Parlamenti e bëri këtë veprim në shkelje të rregullave të funksionimit të tij. Ky projektligj është miratuar nga qeveria shqiptare, e cila, pas dështimit të garës për licencën e katërt, vendosi të shmangë një konkurrim të dytë, ndonëse ligji e bënte të detyrueshëm një veprim të tillë.

Në shtypin shqiptar vendimi i qeverisë për t'i dhënë në mënyrë të drejtpërdrejtë licencën e katërt të operatorit të telefonisë celulare një konsorciumi të përbërë nga Posta e Kosovës dhe një grupi biznesmenësh shqiptarë, që nuk kanë asnjë lidhje me telekomunikacionet, është përkufizuar si një skandal.

Ky konsorcium në të vërtetë mori pjesë në garën ndërkombëtare të shpallur nga autoritetet shqiptare dhe pati ofertën më të lartë prej 7.2 milionësh. Por gara u anulua në momentin e fundit, pasi në fazën përfundimtare të saj mbërritën dy kompani, nga e cila njëra u skualifikua. Për pasojë edhe konsorciumi mes Postës së Kosovës dhe biznesmenëve shqiptarë nuk mund të shpallej fitues. Kjo sqarohet qartë në një relacion dërguar qeverisë, ku saktësohet se, sipas ligjit, përcaktohet se procedura nuk rezultoi e suksesshme, nuk u kualifikuan më shumë se një ofertë konkurruese gjatë procedurës së tenderit.

“Autoriteti i komunikimeve elektronike duhet të shpallë përfundimin e kësaj procedure, të analizojë shkaqet dhe sipas legjislacionit t'i reflektojë ato në dokumentacionin e tenderit duke shpallur një datë të re konkurrimi”, - shkruhet në relacion. Pra, gara duhet të rihapej. Por, në të vërtetë, nuk ndodhi kështu. Në të njëjtin relacion që shoqëron projektligjin e qeverisë gjenden arsye, pa asnjë referencë ligjore, se përse nuk duhej të shpallej një garë e dytë dhe licenca duhej t'i jepej këtij konsorciumi. Dhe arsyet janë vetëm të një karakteri ekonomik, sipas të cilave në kushtet e krizës ekonomike globale gjatë një tenderi të ri mund të mos arrihej niveli i ofertës së marrë nga konsorciumi i Postës së Kosovës me biznesmenët shqiptarë prej 7.2 milionë eurosh apo se futja e një operatori të katërt në treg do të sillte një reduktim të tarifave.

Këto mund të jenë arsye të vlefshme, po për sa kohë nuk gjejnë asnjë bazë ligjore, ku mbështeten, madje janë në kundërshtim të hapur me legjislacionin shqiptar në fuqi, atëherë ato nuk mund të marrin një fuqi ligjore.

Në këtë veprim të pashpjegueshëm të qeverisë shqiptare është përfshirë më pas edhe parlamenti. Projektligji i ka kaluar mbrëmë Komisionit të Veprimtarive Prodhuese duke shkelur hapur të gjitha procedurat parlamentare. Së pari, që një projektligj të kalojë në komisione, ai duhet të futet në rendin e ditës së parlamentit dhe rendi i ditës miratohet nga konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare dhe më pas nga vetë seanca. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Komisioni është urdhëruar të mblidhet në mbrëmje. Për të plotësuar numrin e anëtarëve në mungesë të përfaqësuesve të opozitës, aty janë përfshirë dy deputetë të një komisioni tjetër. I dominuar tërësisht nga të djathtët komisioni e ka zgjatur vetëm pak më shumë se 1 orë diskutimin duke vlerësuar gjithçka të rregullt.

Dyshimet e para për licencën e katërt të operatorit të telefonisë celulare u hodhën që në fillim të vitit, kur ende ishte në proces gara. Për to shkroi edhe shtypi i Kosovës dhe Posta e Kosovës u detyrua të shprehej publikisht për përfshirjen e saj në këtë garë. Një shpjegim, i cili në të vërtetë, në vend që t'i mbyllte, i hapi edhe më shumë këto dyshime, pasi drejtuesit e saj shpjeguan se ishin me 30% të aksioneve në konsorcium, porse nuk kishin bërë asnjë pagesë për ato aksione. Pra, duke pranuar në njëfarë mënyre se Posta ishte vetëm formalisht dhe se ka shërbyer si një fasadë për biznesmenët shqiptarë, të cilëve u duhej të kishin një kompani nga fusha e telefonisë.

Armand Mero, “Zëri i Amerikës”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›