E Diel, 1 Nëntor 2026

Emocione tronditëse në “Rudina Magjistari - Misioni Vazhdon”, në Vizion Plus



Një natë e mbushur me emocione të forta do të karakterizohej nata e së shtunës së kaluar në emisionin “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon”, në Vizion Plus. Formati më i ri i Rudina Magjistarit solli në vëmendjen e teleshikuesve histori të ndjera, por që përmes tyre përcillej një solidaritet i harruar njerëzor. Historia e parë i përkiste Petrit Xhaferrajt. Ai martohet me Valbona Veizajn në vitin 1997. Pas 8 vitesh martese çifti divorcohet dhe me vendim gjykate kujdestaria e dy fëmijëve i kalon babait. Me largimin e Valbonës, Petriti humbi gjithçka kishte. Kushtet e vështira ekonomike e detyruan Petritin të emigronte herë pas here drejt shtetit grek. Pasi rikthehet në shtëpinë e tij të rrënuar e të zbrazët Petriti mendon të sistemojë dy fëmijët në një institucion holandez bamirësie për jetimët. Duke e ndjerë gjithmonë e më shumë mungesën e Valbonës, Petriti përpiqet disa herë që të lidhet me të, por nuk merr asnjëherë përgjigje pozitive. Rruga e vetme që ai mendoi se mund ta zgjidhte këtë problem, ishte ardhja e tij në programin “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” për t`i kërkuar Valbonës falje e për të tentuar ribashkimin me të. Gazetarët e këtij emisioni udhëtuan drejt Orikumit për të takuar Valbonën, por zbuluan se ajo ndodhej jashtë shtetit. Në mesazhin e pendesës që Petriti i drejtoi Valbonës së bashku me dy fëmijët e tij në studion e Vizion Plusit ndjehej malli, por dhe nevoja e fëmijëve, pavarësisht të gjitha problemeve, për të pasur pranë tyre nënën dhe dashurinë e saj.
Në historinë e të humburve, shkëputja e kontakteve në prill të vitit 2005 të Artan Çerpjes me familjen e tij shënoi historinë e tretë të natës së parë. Shkak kishte qenë një mesazh i dërguar nga familja se gjoja nëna kishte ndërruar jetë. Ai këtë gjë e ka keqinterpretuar dhe s`ka telefonuar më! Pas trajtimit të rastit në studio u hodhën pistat e para të zhdukjes së tij. Gjatë bisedës në studio erdhën dhe sinjalet e para të vendndodhjes së mundshme të Artanit në një qytet të vogël afër Athinës. Nata e parë vijoi me historinë e Valerios, një djali 9-vjeçar nga Vlora. Kur ishte vetëm 4 vjeç e gjysmë, babai i Valerios, në gjendje depresioni, vret nënën e tij. Pas kësaj ngjarjeje babai arrestohet dhe dënohet nga gjykata me 25 vjet heqje lirie. Ditën që ndodhi kjo histori, Valerio ndodhej në shtëpinë e gjyshes së tij. Megjithëse në një gjendje të vështirë ekonomike, ajo është i vetmi person edhe sot e kësaj dite që kujdeset për mirërritjen e Valerios. Sot ai vazhdon shkollën në klasën e tretë dhe ka rezultate shumë të mira. Në bisedë me Rudinën, Valerio u tregua mjaft i çiltër. Bota e tij fëmijërore dukej se kishte kapërcyer shumë shkallë rritjeje. Dhe stafi kishte menduar që t`i bënte një surprizë Valerios. Një kompjuter dhuratë nga presidenti i Taçi Oil, z. Rezart Taçi, iu dhurua drejtpërsëdrejti Valerios në emision. Por surprizat nuk kishin mbaruar këtu. Kryetari i Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, si dhe kryetari i Dhomës së Tregtisë, Edi Leka, kishin angazhuar disa biznesmenë vlonjatë për të mbledhur një shumë parash prej 7.2 milionë lekësh të vjetër. Këto para do t`i jepen familjes në formën e një kësti prej 200 mijë lekësh të vjetër në muaj për tre vjet. Gjithashtu Këshilli Bashkiak i Vlorës aprovoi kërkesën dërguar nga emisioni “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” për një bursë studimi, duke pasur parasysh gjendjen e vështirë ekonomike të Valerios dhe rezultat e larta të tij në mësime. Duke kuptuar dëshirën e madhe të Valerios për skuadrën e futbollit të Milanit, atij iu dhurua një kostum sportiv me ngjyrat e kësaj skuadre dhe një dedikim ekskluziv nga dy lojtarët e tij më të preferuar, Paolo Maldini dhe Ronaldinjo, gjë që u realizua sërish me ndihmën e presidentit të kompanisë “Taçi Oil”.
Nëntëvjeçari nga Vlora nuk u ka besuar syve kur në monitorin përballë tij shfaqeshin dy idhujt që s`i kishte menduar kurrë që do të linin një mesazh për të. Topi me shënimet e tyre iu dha në dorë nga Rudina Magjistari si një kujtim i paharrueshëm për djalin që ndjeu rritjen që në moshë të vogël.
Por historitë me fund te lumtur nuk do të përfundonin këtu. “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” në Vizion Plus kishte punuar fort edhe kërkimin e Dionis Veliajt në shtetin francez. Historia e tij zë fill në fshatin Gjorm të Vlorës. Në qershor të vitit 1992 nëna e Dionisit ndërron jetë. Bashkëshorti i saj, Vilsoni, e dorëzon Dionisin, në atë kohë vetëm 6 muajsh, në Shtëpinë e Fëmijës” në Vlorë. Motra e Dionisit, Albana, jeton për pak kohë me babain e saj, por keqtrajtimet e shpeshta të njerkës bënë që ajo të largohej nga shtëpia. Edhe pse e vogël ajo shkonte shpesh të takonte vëllain e saj. Albana me Dionisin takohen për herë të fundit në korrik të 1999-s, më pas Dionisi birësohet nga një familje franceze. Ajo kujton se në momentin e fundit ai i kishte dhënë me vete disa foto dhe Dionisi i kishte dhuruar asaj një arush. Fillmisht kërkimet e gazetërve zunë fill në Gjykatën e rrethit Vlorë, nga ku zbulohet se djali ishte birësuar nga shtetësja franceze Francoise Tschaggeny, me banim në Toulouse. Kërkimet vazhduan më tej për të gjetur vendndodhjen e saktë të shtëpisë së Dionisit. Në një kohë rekord stafi i “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon”, me një mbështetje të fuqishme nga Vizion Plusi, arriti të sjellë vetë Dionis Veliajn nga Franca. Pas 9 vitesh motra takohet për herë të parë me vëllanë e saj. Lotët, emocionet dhe malli i pashembullt karakterizuan momentin ku drejtpërsëdrejti në emision Dionisi nxjerr nga xhepi dy fotot që Albana ia kishte dhuruar ditën që ishin ndarë bashkë, ndërsa Albana mbante në dorë arushën që vetë vëllai i saj ia kishte dhuruar në të njëjtën ditë. Një surprizë të cilën ajo s’e imagjinonte kurrë dhe një kujtim i jashtëzakonshëm, të cilin do ta ruajë gjatë në kujtesën e saj, vula e së cilës mban emrin e “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon”. Edhe nata e sotme do të ketë histori tipike njerëzore, por edhe surpriza pafund, të cilat ju ftojmë t`i ndiqni në orën 21:00 në Vizion Plus, në programin më të ri social, “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon”.

25 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›