Djegia e mbetjeve spitalore, rrezik për jetën e pacientëve në QSUT
Emanuela Sako
Mbeturinat spitalore digjen në oborrin e QSUT-së, duke vënë në rrezik jetën e pacientëve dhe banorëve që jetojnë në këtë zonë. Mbetjet toksike që lëshon tymi janë të dëmshme për gjendjen shëndetësore tek pacientët. Nga vëzhgimi i bërë nga gazeta “Albania” në ambientet e QSUT-së vërehet se mbeturinat digjen rëndom, çdo ditë në koshat e plehrave, duke lëshuar në atmosferë lëndë të dëmshme për jetën e njerëzve përreth. Në çdo ndërtesë spitalore të kësaj qendre, në pjesët e jashtme janë vendosur kosha ku hidhen mbeturinat e spitaleve. Por, rregullorja nuk lejon që në to të hidhen produkte të tilla si; shiringat, serumet, plastmase, mbetjet e operacioneve, medikamente gjysmë të mbaruara etj. Sipas rregullores së QSUT-së, kjo pjesë e mbeturinave duhet të digjen në ambiente të posaçme, nëpërmjet djegies nga makineritë të cilat bëjnë përpunimin e mbetjeve dhe nuk lejojnë përhapjen e lëndëve të rrezikshme në ajër. Sanitaret që bëjnë hedhjen e plehrave në kazanë, bëjnë të ditur se aparatura që bën përpunimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore është jashtë funksionit të saj prej disa muajsh. Kjo është dhe arsyeja e djegies së mbeturinave të rrezikshme në ambientet e jashtme. Po të vëresh oborrin e QSUT-së, mund të shohësh shiringa të hedhura në mes të rrugës, serume gjysmë të përfunduar, qese të hedhura sa andej-këndej me gjithfarë materialesh brenda etj.
Aparatura
Specialistët shprehen se mbetjet duhet të digjen në një aparaturë të posaçme, e cila ndodhet në QSUT, por në shumicën e rasteve është jashtë funksionit. Aparatura është ekzistuese dhe është dhuratë nga Komuniteti Europian që në vitin 2003. Që nga momenti i vendosjes së saj në ambientet e veçanta, ajo gjithmonë është vënë në përdorim me afate tepër të shkurtra, ndërsa konfirmohet se shkak për këtë është bërë probleme që shfaq aparatura në funksionimin e saj dhe mungesa e inxhinierëve për ta mirëmbajtur atë. Por, duket se deri ne momentin që Drejtoria e QSUT-së të marrë masa për të vendosur në funksion aparaturën e ardhur nga larg, njerëzit që kalojnë në QSUT janë të detyruar të marrin disa doza tym me mbetje toksike. Specialistët sqarojnë se gazi që çlirohet nga djegia e serumeve apo objekteve të tjera që përmbajnë ende preparate në brendësi është tepër i dëmshëm dhe bëhet shkak për një sërë sëmundjesh të tjera të pacientët apo qytetarët që ndodhen përreth. Mbetjet ushqimore dhe mbetjet spitalore duhet të ndahen veç dhe të digjen në vende të posaçme.
Rreziku
Duket se rreziku është i pranishëm në të gjithë spitalin, ku pacientët marrin në çdo orë të ditës dhe natës ajër të ndotur nga djegia e mbetjeve spitalore. Ndërsa një rrezik tjetër u kanoset atyre nga viruset që mund të marrin në ambientet e brendshme të dhomave të shtrimit. E thënë ndryshe pacientët mund të marrin çfarëdolloj sëmundje dhe virusi gjatë shtrimit në spital për të kuruar një sëmundje. Kaosi për gjendjen e spitaleve dhe problemeve që mund të shkaktojnë tek pacientët, duket se nuk merret parasysh nga autoritetet spitalore. Jo më pak se tre muaj më parë Pavijoni i Kardiokirurgjisë u përfshi nga përhapja e virusit të Srafilokokut.
CEB, investime për rehabilitimin e QSUT-së në ndërtime objektesh
Banka e Këshillit të Europës (CEB) dhe qeveria shqiptare kanë një projekt për rehabilitimin e QSUT-së. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, pak ditë më parë zhvilloi një takim me drejtues të CEB-it në Paris (Francë), ku është bërë zyrtare mbështetja për zbatimin e këtyre projekteve për fazën e dytë të punës. MSH-ja bën të ditur se projekti i Fazës së Parë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ka një vlerë investimi prej 21.4 milion dollarë, ku CEB financon 63 % të komponentit të ndërtimit dhe qeveria shqiptare 37 %. Sipas MSH-së projekti është bërë efektiv në shtator të vitit 2005 dhe pritej që të përfundonte në dhjetor 2008. Por, pas rishikimeve të bëra, parashikohet të përfundojë në fund të vitit 2009. Në pjesën e rishikuar përfshihet dhe shtesa e dy kateve në godinën A, që do të financohet nga qeveria, me një vlerë prej 1.48 milion euro. Vlera e investimit parashikohet që të jetë rreth 57 milion euro, përfshirë dhe teknologjinë mjekësore.
25 Tetor 2008