MSH-ja, projekt të ri për vaksinimin e popullatës
Një projekti i ri për vaksinimin në vendin tonë do të bënte që në listën e vaksinimit të shtoheshin dhe dy vaksina falas. Plani i ri i programimit të vaksinimit synon jo vetëm që të ruajë arritjet e deritanishme për mbulimin e popullatës, por dhe futjen e disa vaksinave të reja në mënyrë të studiuar, gjatë viteve të ardhshme. Gjithçka është diskutuar mes ministres së Shëndetësisë, Anila Godo me përfaqësues të UNICEF, Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), dhe Institutit të Shëndetit Publik. Projekti parashikon që ndër futjet e reja do të jenë ato vaksina që kanë shkaktuar shtim të numrit të të prekurve që po shënohen vitet e fundit. Sipas autoriteteve shëndetësore, pritet që në vitin 2009 të hyjë vaksina kundër Hepatitit B, në vitin 2010 të futet vaksina kundër Pnemokokut, në vitin 2011 vaksina Rotavirus, si dhe vaksina për Hepatitin A dhe HPV (kundër kancerit të qafës së mitrës). Përfaqësuesja e ISHP-së, Silva Bino, plani i ri që po hartohet synon të ruajë arritjet e deritanishme dhe shtimin e vaksinave të nevojshme për shmangien e vdekshmërisë foshnjore në vend. Kështu, shtimi i vaksinave do të bënte që shumë fëmijë të mos prekeshin nga një sërë sëmundjesh dhe kjo do të sillte ulje të vdekshmërisë foshnjore në vend.
Bino u shpreh se për vitin 2009 pritet që të futet vaksina kundër Hemorfisinfluencës, do të kryhen programet e vaksinimit për Hepatitin B (për verdhëzën) për moshën 15-18 vjeç.
Ndërsa për vitin 2010, listës së gjatë pritet t’i shtojnë vaksinën e Pnemokokut, që ka një kosto tepër të lartë me vlerë 27 dollarë, në krahasim me 1 dollar që kushtojnë vaksinat e tjera. Njëkohësisht, pritet që pjesë e listëts së vaksinave të bëhet edhe ajo e kundër virusit HIV.
LSI-ja: ”Qeveria furnizon QSUT-në me barna si ambulancë komune”
LSI-ja ka akuzuar qeverinë Berisha si përgjegjësen kryesore të gjendjes kaotike në të gjithë spitalet e vendit. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi se Kryeministri i vendit ka qenë dështimi kryesor i sektori të shëndetësisë në vend. “Qeveria e Berishës, e drejtuar për herë të parë në historinë e Shqipërisë nga një mjek ka dështuar si asnjë qeveri tjetër me shëndetësinë”,- shpjegoi Vasili. Sipas deklaratës së tij, kryeministri është përgjegjësi kryesor për situatën e vështirë dhe mungesat e panumërta që ekzistojnë sot në spitale dhe veçanërisht në QSUT. Për LSI-në, vendimet e mjekëve ekspertë që konsultohet kryeministri janë të njëanshme dhe kjo është arsyeja kryesore e prapambetjes së vazhdueshme në spitale. Denoncimi i LSI-së vjen pas akuzave të shumta dhe vëzhgimeve që janë bërë drejtpërdrejt nga qendrat spitalore.
Veliaj: ”Urgjenca spitalore, një copë Kalkute në Tiranë”
Aktivistët e G99-ës denoncuan kushtet skandaloze që ekzistojnë në spitalet më të mëdha të vendit. Përfaqësues të kësaj lëvizjeje
vizituan shërbimin e urgjencës kirurgjikale të QSUT dhe folën me mjekë, infermierë dhe pacientë në lidhje me kushte e spitalit. Aktivistët e G99 ngritën shqetësimin e kushteve skandaloze të higjienës dhe mungesën e theksuar të infrastrukturës së nevojshme për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve të sëmurë. Punonjësit e stafit të spitalit u ankuan se puna e tyre e ditëpërditshme shpërblehet shumë pak dhe se investimet në shëndetësi janë peng i lëvizjeve politike të krahëve të ndryshëm. Drejtuesi i saj, Erjon Veliaj u shpreh se ky nuk është më spitali më i mirë që ekziston në Shqipëri. “Tani që nëne Tereza fatkeqësisht na ka lënë duke u nderuar dhe lumturuar si një shenjtore, problemi është se ne kemi ngelur me Kalkutën, kjo është një copë Kalkute në Tiranë”,- u shpreh Veliaj.
25 Tetor 2008