Mirush Kabashi: “Rruga ime e veshtire drejt skenes”
Petrika GROSI
Mirush Kabashi rrëfen në një intervistë ekskluzive, të dhënë dje për gazetën “Albania”, të gjithë të pathënat e tij mbi jetën personale dhe artistike. Detaje që aktori kujton nga fëmijëria e vështirë, ku është detyruar të punojë që në moshë të njomë për një copë bukë më tepër, hyrja në degën e aktrimit, peripecitë për shkak të biografisë së keqe dhe largimi nga teatri, rikthimi pas tri vitesh pune në hekurudhë, marrëdhëniet me nënën, babain dhe vëllezërit... Të gjitha këto janë tema e bisedës së sotme me aktorin e njohur durrësak me origjinë nga Kosova. Më tej Kabashi zbulon edhe monodramën e re, me të cilën së shpejti ai do të shfaqet para publikut. Po çfarë është kjo monodramë dhe a ka ndonjë të përbashkët me Sokratin “legjendar” të Kabashit?
Cili është kujtimi më i largët për Mirush Kabashin?
Mbase ky profesion na e shfrytëzon shumë kujtesën në aspektin profesinal të fiksimit të detajeve. Një nga tiparet kryesore të aktorit në pikëpamjen teknike është kujtesa. Ne duhet patjetër që ta stërvisim kujtesën dhe ta shfrytëzojmë sa më tepër për punën e përditshme. Kjo më duket se është një nga arsyet që na i ka zbehur shumë të kaluarën në pikëpamjen e vizionit. Por natyrisht, edhe unë e kujtoj fëmijërinë time. Ai vizioni i parë ndoshta lidhet me përpjekjet, vuajtjet, privimet e karakterit ekonomik. Shkonim të shkarkonim makinën e bukës, që të përfitonim njëçikë më tepër bukë gruri, sepse racionin e merrnim me bukë misri. Kur merrnim një copë 200 gramë bukë gruri ishte gjë e madhe. Atëherë isha vetëm 6 vjeç. Nëpër qytete në atë kohë ka qenë zi e madhe. Ju jeni të rinj dhe nuk e keni jetuar atë krizë. Kemi pasur kushte jashtëzakonisht minimale jetese.
Ndonjë kujtim më të këndshëm nga fëmijëria?
Nuk mund të kthehem mbi 50 para e të kujtoj detajet. Megjithatë, një nga impresionet e mia lidhet me kohët kur ishin festat fetare. Në Durrës ato nuk kanë qenë kurrë të ndara. Ishin më tepër festa popllore sesa fetare. Njëlloj festoheshin në klasat tona si Pashkët, ashtu edhe Bajrami. Përshtypje të bënte fakti se megjithë varfërinë e tejskajshme për festën e Bajramit të gjithë do ta blenin një qengj. Qengji do të rritesh që më parë festës pasi ai merresh i vogël dhe ushqehej gjatë kësaj kohe. Edhe gjatë Vitit të Ri gjeli i detit nuk mungonte në asnjë familje si traditë. Kur prindërit i blinin këto kafshë (që dy-tri javë më parë, për t’i rritur e shëndoshur derisa të vinin festat) ne fëmijët miqësoheshim kaq shumë me këto kafshë e shpendë, sa që kur vinte problemi i kurbanizimit të tyre, bëhej një sherr i madh. Njëherë mbaj mend, kam shkuar të merrja policin për t’ua çuar familjarëve, sepse më kishin therrur gjelin a qengjin dhe kjo më dukej si akt makabër. Ishte një miqësi e çiltër e pastër, që lindte mes ne fëmijës dhe gjelit të detit ose qengjit, që na ndiqte nga pas nëpër kodrinat e qytetit ku luanim sëbashku. Detin e mbaj mend. Natyrisht atë madhësinë e tij, gjerësia, elemente që i mbaj mend qysh në fëmijëri. Është e vetmja, dashuri të cilën nuk e kam tradhëtuar asnjëherë dhe do ta mbaj derisa të vdes.
Ndërsa me nënën dhe babain, ç’marrëdhënie keni pasur?
Ne kemi qenë katër djem, edhe babai, pesë. Nëna i tejkalonte të gjitha mundësitë njerëzore dhe fëmërore me atë përkushtimin e saj, në mënyrë që t’i kishim të gjitha gjërat e realizuara. Në këtë aspekt kam një nostalgji të jashtëzakonshme. Duhet të më besoni kur ju them se, edhe pasi kanë kaluar 10 vjet nga ndarje me të, janë të rralla ato netë me ëndrra, kur unë nuk e shikoj nënën. Gjithmonë do ta kem të pranishme në bisedat e mia. I kam zili të gjithë ata që kanë prindërit, në mënyrë të veçantë nënat, dhe i përqafojnë, flasin me to, u shprehin mirënjohjen.
Si ndodhi që i hytë rrugës së aktrimit dhe a u prit mirë nga prindërit kjo zgjedhje?
Nga ana e nënës, por edhe e babait ne kemi pasur një shtrat arsimor. Vëllezërit e nënës kanë qenë të shkolluar me arsimin maksimal që kishte ajo kohë, kuptohet. Daja kishte mbaruar shkollën 7 vjeçare amerikane me nota të shkëlqyera. Hysen Çela quhej. Dinte 5-6 gjuhë të huaja. Sot madje ka një shkollë me emrin e tij. Ka hequr një kalvar peripecish e vuajtjesh në burgje e persekutime. Po kështu edhe im atë ka kryer shkollën amerikane. Ai kishte ardhur enkas nga Kosova për tu shkolluar. Nëna kishte mbaruar shkollat e “Nënës Mbretëreshë”. Po kështu edhe një dajë tjetër, kishte mbaruar Shkollën Tregtare të Vlorës. Ai u vra pa gjyq në vitin 1946. Familja ime donte të formonte njerëz dhe jo të grumbullonte para. Kishim më tepër shpirt intelektuali, sesa tregtari. Daja që mbaroi shkollën amerikane ishte përkthyes, por njëkohësisht edhe krijues. Ai bënte poezi, shkrime të ndryshme. Ndoshta ka qenë ai shtysa. Unë që i vogël nisa të recitoja poezi në Shtëpinë e Pionierit. Fillimin nuk e pata të lehtë. Vija nga një familje krejtësisht patriarkale dhe isha i turpshëm. Kur vazhdoja 7-vjeçaren, një mësues nisi të më aktivizojë në konkurimet teatrore që bëheshin ato kohë mes shkollave. Në gjimnaz sërish pata disa role. Njëri ishte te “Qielli i kuq”, i Tefik Çaushit, roli i një kuestori italian... Në vitin e katërt luajta doktor Adhamudhin. Në atë kohë mu afrua Gjergj Vlashi, një nga figurat me emblematike e simpatike të teatrit të Durrësit. Mirëpo babai nuk e kishte shumë përzemër që unë të vazhdoja aktrimin. Duke qenë se dy vëllezërit e mi kishin mbaruar shkollat e larta për matematikë dhe kimi industriale, atëherë mua më privohej e drejta për të vazhduar universitet. Kjo ishte një ndër absurdet e asaj kohe. Remzi Tivari, ish-drejtori i shkollës sime, ishte bërë shef i Drejtorisë së Arsimit dhe këmbënguli shumë që unë të vazhdoja aktrimin. Ishte e vetmja rrugë për mua që të merrja arsim të lartë, pasi aty mund të hyja me konkurs. Njëkohësisht, ndihmë ishte edhe ndërhyrja e vëllezërve për t’ia mbushur mendjen babait që të më jepte viston të vazhdoja aktrimin, degë për të cilën ai nuk kishte shumë debolesë. Më tej dhashë konkursin dhe vazhdova shkollën e cila ishte një periudhë më vete. Me ndryshimet e pedagogëve një vit isha më i evidentuar, një vit më i zbehtë. Nga të gjithë pedagogët, do të veçoja Pirro Manin edhe pse nuk isha nxënësi i evidentuar i tij. Ai na dha baza shumë të sakta të konceptit të aktrimit. Ndërsa shkolla e vërtetë, që të jem i sinqertë, ka qenë puna dhe inkuadrimi në trupën e teatrit të Durrësit.
Çdo artist ka në jetën e tij momente të vështira, kur ndihet i zhgënjyer, pesimist, gati afër depresionit. Po për Mirush Kabashin, cili ka qenë momenti më i vështirë?
Çdo krijimtari artistike ka stresin e saj, dhe këtë periudhën e depresionit që thatë ju, sidomos përpara shfaqjes. Po ju tregoj këtu një rast tepër fatlum për mua. Roli i parë në teatrin e Durrësit ka qenë Klestakovi, i “Revizori”-t të Gogolit. Ky rol rrallëherë mund t’i qëllojë një aktori pa eksperiencë. I jam shumë mirënjohës Vangjel Hebës, i cili ka një vit që është ndarë nga jeta. Ai e kishte punë diplome “Revizori”-n dhe vendosi me një guxim gati aventuresk, që t’ia jepte rolin një studenti, i cili sapo kishte mbaruar shkollën. Pra ma besoi rolin mua, ndërkohë që edhe në Bashkimin Sovjetik, ky rol luhej zakonisht nga aktorë që kishin të paktën 20 vite eksperiencë pune. Duke e lënë mënjanë besimin dhe vlerësimin e tij, për të cilin kam mirënjohje të madhe, e gjitha kjo ishte njëherësh si thikë me dy presa. Në rast se do të dështoja, atëherë i mbyllja vetes dyert dhe çdo mundësi për tu ngjitur në skenë për një periudhë të gjatë. Ama, në të kundërtën, gjërat do të thjeshtësoheshin;
Në mënyrën sesi spektatori dhe kritika e pritën shfaqjen, ajo u bë një pedanë e mirë për karrierën time. Ndërsa moment tamam i vështirë në jetën time, qe koha kur pas katër vitesh pranimi në teatrin e Durrësit, në fundin e vitit ’74, më heqin nga teatri vetëm për arsye biografike. Krejt papritur e pakujtuar, më hoqën vetëm për arsye se kisha një dajë në burg dhe dajën tjetër të pushkatuar. Gjithashtu edhe babain e kishin marrë në pyetje për një kohë të gjatë në hetuesi pasi kishte mbaruar shkollën amerikane. Këto ishin pasojat që duhej të hiqnim të gjithë ne, brenda një sistemi, i cili po konsolidonte gjithnjë e më tepër injorancën. Për tri vite unë punova si puntor në hekurudhë.
Dhe çfarë ndodhi pas këtyre tri viteve që punuat në hekurudhë?
Një Sekretar i Parë që erdhi dhe më kishte parë në teatër pyeti se ku isha unë. I thanë që më kishin hequr për probleme biografike. “Atij këto gjëra i kanë ndodhur para se të lindte. Nuk ka faj. Nëse e lëviz bishtin, pastaj do t’ia presim”. Kështu ishte shprehur ai, duke treguar të paktën një lloj dashamirësie.
I jam mirënjohës sepse një fjalë e tij bëri që të rikthehem sërish në teatër. Pas këtij rikthimi, sërish nuk e pata të lehtë. Vetëm me insistimin e Ylli Pepos, munda të inkuadrohem te filmi “Emblema e dikurshme” dhe paralelisht me të, më merr Sajmir Kumbaro në filmin “Koncert në vitin 1936”. Rolet janë mirëpritur dhe ishin të dyja të ndryshme, hazmatiku te “Emblema” apo togeri te “Koncerti...”. Ajo që i vuri vulën karrierës sime dhe më hapi si të thuash rrugën, ishte një fjalë e Enver Hoxhës në një Plenium të vitit ’79, kur ai foli për afirmimin e artistëve të rinj në fushën e kinemasë. Ai përmendi Robert Ndrenikën dhe mua, si artistë që ndonëse kishim probleme me biografitë kishim dhënë frute. Pra na vlerësoi dhe fjala e tij në atë kohë vlente shumë.
Pra që nga ajo kohë, falë kësaj fjale të Enver Hoxhës nuk patët më probeleme?
Kjo nuk mund të thuhet pasi probleme gjithmonë kam pasur. Por nuk mund të them që kam qenë i persekutuar, pasi që nga ajo kohë mu hapën rrugët për të prezantuar edhe koncerte, me përjashtim të veprimtarive që organizoheshin jashtë shtetit. Në vitin ’83 mu dha edhe titulli “Artist i Merituar”.
Pra nuk mjafton vetëm talenti dhe përkushtimi në jetë dhe gjithmonë duhet të kesh pak fat?
Është një filozofi e vjetër dhe ka eksperienca botërore që e konfirmojnë këtë gjë. Megjithatë, kurrë ndonjëherë nuk e kam mbështetur jetën time te fati. Unë kurrë nuk kam luajtur bixhoz dhe kurrë ndonjëherë nuk jam përpjekur të fitoj të ardhura mbi baza imponimi ose prapaskenash. Gjithë jetën time kam parapëlqyer të jem viktimë artistike dhe jo pjestar i grupeve e imponimit. Psikologjia e familjes sime është që çdo punë duhet marrë seriozisht. Gjithmonë përpiqem të jap maksimalen dhe të bëj më të mirën e asaj që di. Pastaj kam pasur edhe fat, por asnjëherë nuk i kam lënë gjërat në dorë të fatit. Bile, mund të duket si Donkishotizëm, por nuk kam dashur as të marr pjesë si i ftuar në programet e lojrave të fatit siç ishin “Telebingo” etj. Mund të jem nga të paktit njerëz që kanë shkuar në Las Vegas, madje kam hyrë edhe në Kazinotë e mrekullueshme të këtij qyteti dhe nuk kam luajtur asnjëherë të vetme. Me pak fjalë, nuk më ngjit ajo para ose ai fitim që nuk bazohet mbi bazën e kontributit.
Meqënëse jemi tek aktrimi, si e shikoni të ardhmen e atyre dhjetra aktorëve të rinj që mbarojnë Akademinë e Arteve?
Nuk jam pesimist. Kam besim vërtet shumë të motivuar se ne kemi të rinj të talentuar që do të na superojnë. Me ndarjen nga jeta ë figarave si Kadri Roshi, Sulejman Pitarka e Violeta Manushi vërtet humbëm krijuesit e traditës tonë të aktrimit, por nuk duhet të jemi pesimistë. Me fuqizimin e televizioneve tona, por edhe me festivalet e ndryshme të teatrit e të kinemasë, do të lindë nevoja për më shumë prodhime të këtij lloji. Fondet që jepen nga qeveria për filmin dhe projektet teatrore janë vërtet shumë të ulta. Ligji e obligon Ministrinë e Kulturës që të ndërtojë Qendrën Kombëtare të Artit Skenik. Kjo punë duhej të ishte bërë që vitin e kaluar por nuk u krye. Kjo qendër do të kishte bord më vete dhe fond më vete.
Mirush, le të kalojmë te aktualiteti. Me çfarë jeni duke punuar kohët e fundit?
Momentalisht po merrem me një monodramë. Jemi në fazën e fundit të punës për ta nxjerrë atë në skenë. Këtu gjej rastin të falënderoj për mbështetjen e madhe që kjo pjesë të mund të ngjitet në skenë, kryetarin e bashkisë së Durrësit, z.Vangjush Dako.
Për çfarë bën fjalë kjo monodramë?
Është e një autori francez me origjinë çifute, Erike Manuel Shmit. Është realisht nga shkrimtarët më të dëgjuar sot të letërsisë dhe dramës në Francë. Ai ka marrë disa çmime ndërkombëtare nëpër konkurse, ka shkruar disa romane, tregime e novela. Pjesa jonë është një novelë që për skenë e kam adaptuar unë. Ajo titullohet “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kur’anit”.
Bëhet fjalë për një shfaqje që trajton një temë fetare?
Jo, sepse do të ishte absurd që një çifut të trajtonte temën e Kur’anit. Pavarësisht nga titulli, pavarësisht edhe nga sfondi fetar i monodramës, kemi një histori që është shumë njerëzore. Pjesa është shumë e thjeshtë dhe mesazhi ndoshta mund të duket i rëndomtë, sot në shoqërinë e konsumit. Ky mesazh është “ngritja e një piedestali për mirësinë njerëzore”. Fatkeqësisht, në kohët e sotme lumturia apo vlerat e njeriut shpesh janë përmbledhur në atë që quhet “pasuri materiale” dhe është harruar më kryesorja, pasuria shpirtërore. Ky nuk është një slogan, por një e vërtetë moderne, që ka qenë, është dhe do të mbetet. Nuk mund të kemi një shoqëri demokratike të emancipuar në rast se nuk do të bazohemi në moralin njerëzor. Provat për këtë më shumë se Amerika i ka dhënë Kanadaja, por më shumë se Kanadaja këto prova i kanë dhënë Belgjika, Hollanda, Zvicra, Suedia, etj. Vetëm mbi bazën e pasurisë shpirtërore funksionon një shoqëri dhe një shtet i së drejtës.
Për çfarë bën fjalë “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kur’anit”?
Historia tregohet nga një djalë i një familjeje çifute që quhet Moisi. Jeta dhe rrethanat e ndryshme e detyrojnë atë që të kthehet në “Muhamed”. Është një marrëdhënie e thjeshtë por që ka një domethënie të madhe. Vepra nuk merret me banalizime të asnjë lloji. Mirësia, sakrifica dhe dashuria për njeriun janë thelbi i kësaj pjese. Vlerën në aktualitetin shqiptar, monodrama e ka pikërisht në faktin se këto cilësi të vyera sot po denigrohen.
Ku ndan dhe ku bashkohet me “Sokratin”, roli juaj në këtë monodramë të re?
Nuk gjej asnjë pikë të përbashkët referimi. Nëse Sokrati merret me filozofi dhe problemet e mëdha historike të njerëzimit, që nga lashtësia e deri më sot, kjo monodramë merret me anën e individit, njeriut, jetën familjare. Kam qenë tendencioz në ato vepra që më janë sugjeruar, për të zgjedhur këtë pjesë që nuk ka asgjë të përbashkët me Sokratin, përveç faktit që një shoqëri ka për celulë kryesore familjen.
Së fundi, nga kinematografia, a kemi ndonjë të re?
Me rezerva dhe me një ndjenjë trishtimi them se, edhe një film me skenar të Ylljet Aliçkajt ku kam pasur fatin të luaj, (Lutja e dashurisë) për fat të keq, ende nuk po gjen dritën jeshile për tu shfaqur në ekranet e kinemave dhe të televizionit.
Pse ka ndodhur kjo vonesë?
Të them të drejtën edhe unë do të doja shumë të dija arsyet.
25 Tetor 2008