E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premiera e “Letra dashurie...”

Autori i Lajmit: Redaksia

Është zgjedhur të ngjitet premierë në skenën e Teatrit Kombëtar për ditën e të dashuruarve. “Letra dashurie”, me autor Albert Ramsdell Gurney dhe regjisor Kastriot Çipin erdhi e interpretuar nën lojën e Neritan Liçajt dhe Julia Ilirianit. Një pjesë teatrale unike dhe plot imagjinatë, e cila, sipas autorit, “ska nevojë për teatër, prova të gjata, dekor të posaçëm, mbajtje mend të batutave dhe përkushtim nga ana e aktorëve përveç natës së shfaqjes”. Pjesa përbëhet nga letrat që kanë shkëmbyer gjatë gjithë jetës dy njerëz, që janë rritur bashkë, kanë ndjekur rrugë të ndryshme në jetë, por kanë mbetur të afërt me njëri-tjetrin. Ndërsa aktorët lexojnë letrat me zë të lartë, ajo që krijohet është një atmosferë evokative, prekëse, shpesh gazmore, ku zbulohen karakteret e të dyve dhe historia e përbashkët, që është sa emocionuese, aq edhe domethënëse.
Endrju Mejkpijs Lad III dhe Melisa Gardner janë shokë fëmijërie, korrespondenca e të cilëve fillon me një pusullë falënderimi për një ftesë ditëlindjeje dhe kartolinat nga kampet verore. Lidhja romantike që kanë, i bën të vazhdojnë ti shkruajnë letra njëri-tjetrit deri në vitet e kolegjit, kur Endi shkon në Jeill dhe diplomohet në drejtësi, ndërsa Melisa kalon sa në një “shkollë të mirë” në tjetrën. Në këtë kohë ndodh edhe takimi i tyre i vetëm si të dashur, i cili, për fat të keq nuk është i mbarë.
Ndërsa Endi është në shërbimin ushtarak në marinë, në Azi dhe bashkëjeton me një japoneze, Melisa pranon të martohet me dikë tjetër. Endi kthehet nga ushtria, pa “nusen e tij japoneze” dhe fillon punën si avokat, por ndërkohë Melisa është e martuar dhe kështu edhe ai vendos të martohet me dikë tjetër. Por tërheqja e tyre ndaj njëri-tjetrit mbetet e fortë edhe pas kësaj dhe ata vazhdojnë ti ruajnë lidhjet përmes korrespondencës.
Endi bëhet avokat i suksesshëm, i futet politikës dhe zgjidhet senator. Ndërkohë martesa e Melisës shkatërrohet dhe ajo përpëlitet mes përpjekjeve për tu bërë piktore, vesit të alkoolit, aventurave erotike dhe bëhet e huaj për fëmijët e saj.
Më në fund, ajo dhe Endi përfshihen në një marrëdhënie të shkurtër dashurie, por është shumë vonë për të dy...
Autori
R. Gërni (Albert Ramsdell Gurney Jr.) është lindur më 1 nëntor, 1930, në Bafallo, Nju Jork, është dramaturg dhe romancier, i njohur kryesisht për dramat “Letra Dashurie”, “Ora e koktejlit” dhe “Dhoma e ngrënies” (Love Letters, The Cocktail Hour, The Dining Room.). Ai u diplomua për dramë në universitetin e famshëm Jeill (Yale) dhe u bë profesor në MIT (Instituti i Teknologjisë, Masaçusets), ku shkroi edhe dramat e para “Skena nga jeta amerikane”, “Fëmijë” dhe “Mesjetat” (Scenes from American Life, Children, The Middle Ages). Pas suksesit të madh me “Dhoma e ngrënies”, ai u bë shkrimtar profesionist. Gjatë karrierës së tij të gjatë Gërni ka shkruar 40 drama, si edhe muzikalin e parë të vënë në skenë ndonjëherë në Jeill: “Dashuri në Bafallo” (Love in Buffalo). Për meritat e tij të jashtëzakonshme, Gërni është zgjedhur anëtar i Akademisë Amerikane të Arteve dhe Letrave, në vitin 2006.

Ky lajm është publikuar: 15/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›