E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filxhanët e politikës shqiptare

Autori i Lajmit: Nga Bardh Frangu

Verës së kaluar, nga plazhi i Durrësit, pata bërë një foto-lajm për gazetën. Lajmi më kushtoi 5 euro, pa llogaritur këtu shpenzimet e dërgesës nëpërmjet internetit. Kaq u desh ta paguaj filxhanin e kafesë që ishte i punuar me foton e Sali Berishës, kryeministrit të Shqipërisë. Nuk dukej dhe gjë e shtrenjtë ta blesh një kryeministër për 5 euro, aq më parë kur filxhani ishte metafora më e mirë që shpjegonte gjendjen aktuale në Shqipëri! Kaq kushtonte edhe filxhani me portretin e diktatorit shqiptar Enver Hoxha. E veçanta e gjithë kësaj ishte se shitësi që vinte nga një fshat i Dibrës, dëshmonte se kishte bllokuar fabrikën e prodhimit të filxhanëve shkaku që njerëzit shfaqnin interesim të madh për ti blerë që të dyja këto figura; Hoxhën e diktaturës së rrënuar dhe Berishën e demokracisë së ndërtuar mbi këto rrënoja. Çështë e vërteta shitësi nga Dibra dëshmonte se filxhanë me portretin e diktatorit Hoxha kishte shitur më shumë gjatë kohës së fushatës paraelektorale të zgjedhjeve të qershorit 2009. Kjo i binte se filxhanët i kishte blerë ushtria e Ramës. Meqë Berishën e kishin të gjallë dhe ia dëgjonin britmat ngado, ushtarët e tij nuk kishin nevojë për imazhe të tilla. Ato kishin mbetur ti konsumonin kosovarët në shenjë falënderimi për Rrugën e Kombit, që për herë të parë po e preknin. Nuk dihet se me sa më shumë shije shqiptarët kanë pirë kafetë në këto filxhanë me imazhe liderësh politikë, por koha po dëshmon se ata janë bërë të varur nga helmi politik, njësoj si personat e varur nga nikotina dhe kokaina.
Filxhanët kështu të modeluar, si simbole të së djathtës dhe së majtës, të kujtojnë shekujt e mbytur nga vazot, skulpturat dhe pikturat me shenjën e Pandorës, mitit që në vetëdijen e njerëzimit mbeti simbol i dhuratave të kobshme dhe fidanishte e së keqes. Nëse me këto dy filxhanë shërbehemi për të shikuar fatin tonë, rëndom siç bëjnë gratë tona provinciale pas pirjes së kafesë, do të shohim se në filxhanin e Ramës do të na shfaqet kutia e votimit e mbyllur me dyllë, ndërsa në filxhanin e Berishës një varr masiv me një grusht eshtrash të gjetur në periferi të Tiranës. Në çdo variant e ardhmja do të na duket e zymtë, sepse edhe kokrrat (votat), edhe eshtrat (historia) janë instrumente që përdoren për çështje të pushtetit e jo të shtetit, përkatësisht për nevoja politike e jo publike.
Kutitë nuk hapen, sepse Berisha i vlerëson ato si arkë e Pandorës, nga e cila do të mund të shpërthente e keqja. Vetë gjëma e Ramës për hapjen e tyre e tmerron atë. Këtë edhe ia tha hapur Berisha Ramës në takimin e së shtunës tek presidenti. Berisha i tha se ai mund të kërkonte çdo gjë tjetër, por ama me kusht që të mos ia prekë kutitë! Në anën tjetër Rama, jo nga kureshtja siç vlerësohet ta ketë bërë Pandora, por nga interesi politik kërkon ta hapë këtë arkë (kuti) nga e cila do të shpërthente e keqja, e cila do ta merrte me vete Berishën, i cili ka krijuar dy avantazhe politike, dy si letra të vlefshme për lojë; Udhën e Kombit dhe Liberalizimin e Vizave.
Berisha tash ka zbuluar motivin për gjëmën e vet. Kërkon nga Rama të shoh si është hapur toka vetë dhe si ka nxjerrë të palarat e diktaturës, tmerrin e dorës së diktatorit, imazhi i të cilit vazhdon të përjetësohet në filxhan të kafesë. Ai me këtë gjëmë do ta tmerroi edhe më shumë Ramën, liderin socialist i cili në zgjedhjet e qershorit ka favorizuar në radhët e partisë së tij fëmijët e atyre që ishin të përzier në këto krime, gjë kjo e cila nuk kontestohet nga askush në Shqipëri. Gjëma e Berishës për krimet e komunizmit do ta hapë patjetër edhe çështjen që ka të bëjë me aprovimin e ligjit për lustrimin, i cili është kundërshtuar nga socialistët pikërisht shkaku i ithtarëve të shumtë që pinë kafe në filxhanët me imazhin e diktatorit.
Kërkesa për hapjen e kutive tashmë është dëshmuar si një lojë ogurzezë, sepse një thes argumente dëshmojnë se Ramës, më pak se Berishës, i intereson ndërtimi i një demokracie funksionale për qytetarët e Shqipërisë. Dëshmi më se të mjaftueshme për këtë janë qëndrimet dhe sjellja e tij më shumë se autoritare brenda zhvillimeve në PS. Megjithatë Rama duket nuk ka letër tjetër politike, pos kësaj të kutive, e cila i ngjet në atë të Pandorës. Më kot e shpalli Berishën kulçedër, duke e akuzuar se me flakët nga goja e tij kishte djegur Gërdecin. Më kot e shpalli njeri të sëmurë nga prostata, i cili duke mos e ndalur urinimin kishte rrezikuar përmbytjen e Shkodrës, bastionit të PD-së, ku socialistët në zgjedhjet e fundit kishin shtrirë këmbët më shumë nën jorganin e trëndafiltë.
Pavarësisht filxhanëve, kafja e presidentit Topi duket ishte e hidhur për të dy liderët që përfaqësojnë të majtën dhe të djathtën. E hidhur dhe mbase pa shije vazhdon të jetë edhe për ndërkombëtarët që duan ta debunkerizojnë Shqipërinë dhe shqiptarëve tu mundësojnë liri lëvizjeje nëpër Evropën e lirë. Megjithatë shumëkush beson si Konica se Shqipëria do të bëhet pjesë e Evropës së lirë mu për inat të shqiptarëve. Rama zor e ka ta bllokojë këtë nismë dhe ta identifikojë Shqipërinë me një kuti votimi të ngjashme me arkën e Pandorës, siç bëri diktatori Hoxha, duke e identifikuar tokën e shqipeve me një bunker të mbushur të këqija dhe mistere, të cilat kaq dhembshëm vazhdojnë të dalin mbi sipërfaqe, si në rastin e fundit të gjetjes së eshtrave në periferi të Tiranës.

Ky lajm është publikuar: 15/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›