E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të sëmurët e Evropës

Autori i Lajmit: The Economist

Edhe pse deklarata e liderëve evropianë që përkrahin Greqinë në përpëlitjet e saj për të paguar borxhet e saj është thënë kohë më parë, kur nga eurozona erdhën lajme të tjera të këqija, të dhënat e publikuara më 12 shkurt treguan se GDP-ja në eurozonë u rrit për vetëm 0.1% për tre muaj, deri në fund të dhjetorit, krahasuar me çerekun paraprak të vitit.
Falënderimi edhe për këtë rritje të vogël i takon kryesisht Francës, ku u shënua një rritje ekonomike prej 0.6%. Në vendet e tjera të mëdha të rajonit, GDP-ja ose nuk kishte
shënuar kurrfarë rritjeje, ose edhe kishte rënë, sikur në Itali dhe Spanjë, p.sh. problemi kryesor është i njohur: konsumatorët brenda eurozonës nuk janë duke shpenzuar mjaft, si dhe valuta e fortë e ka të vështirë që plotësojë kërkesat në pjesën tjetër të botës. Shpresa më e madhe ka të bëjë me Gjermaninë, në vendin ku konsumatorët kishin qenë kursimtarë, në kohën kur në pjesën tjetër të botës ishte shënuar një shpenzim i shfrenuar. Por, për fat të keq, Gjermania ende varet shumë nga eksporti. Shpenzimet e konsumatorëve dhe investimet shënuan rënie në çerekun e katërt të vitit dhe, sikur të mos ekzistonte një shtytje nga tregtia me jashtë, ekonomia e Gjermanisë do të fundosej. Këtë javë, Aksel Veber, kreu i Bankës qendrore të Gjermanisë, tërhoqi vërejtjen se GDP-ja mund të shënojë rënie në çerekun e ardhshëm të vitit.
Vendet e tjera janë në një pozicion më të keq. Spanja dikur ishte një burim i pasur i kërkesës brenda eurozonës, por konsumatorët e saj tani janë të stërngarkuar me borxhe, të grumbulluara gjatë periudhës së bumit të sektorit të ndërtimit. Shkalla e papunësisë është
afër 20%, me pak gjasa për rënie, për shkak të rigiditetit të tregjeve të këtij vendi. Presioni nga tregu i obligacioneve d.m.th. se Qeveria e Spanjës do të jetë e detyruar të
tërheqë një pjesë të përkrahjes së saj ndaj ekonomisë më parë sesa që do të donte ajo. Bile, mund të thuhet se është mrekulli që Spanja nuk gjendet në një situatë edhe më të keqe. GDP-ja e këtij vendi ka rënë për 3.1% në vit, deri në çerekun e katërt të vitit, gjë që nuk është edhe shumë më keq sesa në Gjermani.
Përpëlitjet e këtyre dy vendeve janë dy anët e së njëjtës medalje. Ekonomitë që, në kohët e mira, kanë gëzuar bum të shpenzimeve të konsumatorëve, falë kredive, me paraqitjen e krizës, kanë “eksportuar” një pjesë të dhembjes së tyre. Në Spanjë dhe Greqi, shpenzimet e konsumatorëve kanë rënë shumë më shumë sesa prodhimtaria, meqë një sasi e madhe e shpenzimeve diskrete ka qenë në mallrat e importuara. Furnizuesit e jashtëm, sikur edhe kompanitë lokale, kanë humbur myshterinjtë e tyre, ku për vendet me eksport të zhvilluar, sikur që është p.sh. Gjermania, kjo ka qenë tepër e vështirë. Franca deri-diku i ka punët pak më mirë, për shkak se shteti francez ka një rol dominues në ekonomi.
Shpenzimet qeveritare u rritën për 0.7% në çerekun e katërt të vitit, pas rritjeve të ngjashme edhe në dy çerekvitet paraprake. Franca ka kaluar mirë edhe për shkak se nuk ka qenë pjesë e disbalancave të brendshme të eurozonës. Gjatë bumit ekonomik, ajo nuk ishte bazuar fort në kreditë e jashtme për ta financuar rritjen e saj, sikur që ka bërë p.sh. Spanja, e as nuk ka qenë furnizues i madh i kredive, apo eksporteve për të tjerët, sikur që ka qenë Gjermania. Ekonomia e Francës është e madhe, e llojllojshme dhe më e pavarur sesa shumica e ekonomive të tjera të eurozonës, prandaj është prekur më pak nga kriza ekonomike globale. Ekziston një paralele me Poloninë, vendin që ka pësuar më së paku në mesin e vendeve të Evropës Lindore.
Megjithatë, Franca nuk mund të vazhdojë që të rritet shpejt. Ka pak ironi në aranzhimin e ndihmës për Greqinë nga ana e presidentit francez Nikolas Sarkozi.
Deficiti buxhetor në Francë vitin e kaluar ishte i lartë - 8% të GDP-së: Franca zor se mund të merret si model i korrektësisë fiskale dhe mundet edhe vet të ketë probleme
me pengimin e rritjes së borxhit të saj publik. Ndërkaq, kriza fiskale në Greqi ka rritur presionin në vendet e tjera për të rregulluar financat e tyre publike, gjë që do të ndikojë në rënien e GDPsë në tërë eurozonën. Pika e vetme e ndritshme ka të bëjë me faktin që, telashet e Greqisë kanë ndikuar në rënien e vlerës së euros. Për një regjion që nuk bazohet tepër në shpenzime të jashtme, nevojitet shumë një valutë më e dobët.

Ky lajm është publikuar: 15/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›