E Diel, 1 Nëntor 2026

A është ky kuadri i duhur kushtetues?

Gjatë diskutimit të projektit të kushtetutës, një pikë e debatuar ka qenë dhe ajo e institucionit të Prokurorisë. Dhe kështu u arrit gradualisht në konceptimin e këtij institucioni të akuzës, të pasqyruar në kushtetutën e vitit 1998.

Për mendimin tim, nuk mund të thuhej se ajo që ligjëronte më parë paketa kushtetuese ishte e gabuar, përkundrazi gjithçka aty "ekzekutohej" nëpërmjet Këshillit të Lartë të Drejtësisë (për të gjithë magjistratët: Gjyqtarët e prokurorët), me përfaqësimin e tyre në këtë këshill. Pra, edhe pse ishin shfaqur ndërhyrje politike gjatë viteve 1992-1997 në sistemin e drejtësisë (në gjykata e Prokurori), nuk ishte thjesht faji i asaj skeme kushtetuese, por akumulimi i padrejtë i pushtetit politik në duart e presidentit, që e kishte fuqizuar gradualisht më tej "anomalinë". Sidoqoftë, pozitive ishte se, në nivelin shqiptar të demokracisë, Prokuroria mbeti jashtë ekzekutivit, edhe pse me një ndërhyrje partiake në nivelin e votimit parlamentar në rastin e emërimit të dekretit presidencial mbi Prokurorin e Përgjithshëm. Dhe, nga ana tjetër, krahas raportimit të rregullt të këtij institucioni në Kuvendin e Shqipërisë, dhe theksimi i një linje të qartë emërimi në duart e Presidentit të Republikës.

Duke pasur parasysh zigzaget tona dhe përplasjet politike, dhe mbi të gjitha deformimet antidemokratike e autoritariste, mund të pohohet që zgjedhja kushtetuese në skemën e "komandimit" të kësaj strukture jashtë ekzekutivit, ka qenë e drejtë. Ajo duhet të mbetet e tillë për aq kohë që abuzimi e "bajraktarizmi" pushtetor, shformimi demokratik dhe korrupsioni politik do të vazhdojë të dominojë skenën tonë partiake e politike-parlamentare. Aq më shumë, në mungesë të reagimit të fuqishëm qytetar apo opinionit autoritar publik! Mbi të gjitha, për të shmangur atë që ndodhi në vitet e tranzicionit, d.m.th., kthimin e këtij institucioni në një strukturë politike presioni apo organ dhune ndaj opozitës e qëndrimit intelektual të pavarur.

Pikërisht, kjo pikëpamje e drejtë në kushtet tona është mishëruar, në mënyrë sintetike, në nenet 148-149 të Kushtetutës. Kështu, sipas nenit 148 të saj, në pikën 1 e 2, thuhet se: "1. Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj. 2. Prokurorët janë të organizuar dhe funksionojnë pranë sistemit gjyqësor si një organ i centralizuar". Ndërsa në nenin 149, pika 2, qartësohet se, "Prokurori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kuvendit, për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, për paaftësi mendore e fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit". Po në nenit 149, në pikën 4, po ashtu theksohet se, "Prokurori i Përgjithshëm informon herë pas here Kuvendin për gjendjen e kriminalitetit".

Vlen të shtohet se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, në Kushtetutë, u la pa afat për të theksuar karakterin jashtëpartiak të këtij institucioni, në përputhje me bashkëpunimin e koordinimin normal të tij me presidentin, të garantuar dhe të kushtëzuar nga rezultatet e këtij institucioni. Kjo ishte dhe arsyeja që në kushtetutë, ndryshe nga garancia e fortë presidenciale, "mbrojtja" apo "linçimi" politik-parlamentar i Prokurorit të Përgjithshëm, ishte dhe mbetet i dobët. Ndërsa, përcaktimi i këtij mandati në ndryshimet e fundit e prek këtë garanci presidenciale, që normalisht më parë duhej të kalohej nga një president në tjetrin, në përputhje dhe me rezultatin e institucionit të Prokurorisë. Siç pritet me këto ndryshime, këtë thjesht e përcakton patjetër një afat 5-vjeçar, aq më tepër që shumica e thjeshtë parlamentare mund të garantojë tashmë lehtësisht, krahas kandidimit presidencial dhe votimin e tij me 50% plus 1.

Po pse ky ngërç? Nuk mohohet se dhe në Prokurori, si kudo, jo i gjithë stafi në qendër e bazë është i aftë. Apo, më keq, jo të gjithë respektojnë ligjin dhe rrezatojnë moralin e etikën. Më problematikja është ajo kur të paaftët brenda sistemit apo të korruptuarit e tij përpiqen të avancojnë apo të "ushqehen" në shërbim jo të ligjit e kushtetutës, por të mburojës politike të radhës. Pa përjashtuar dhe mbulesën politike të vendimit e gjykimit juridik. Akoma më shqetësuese bëhet situata kur politika me arsenalin e saj mediatik, ligjor, parlamentar e ekzekutiv, sulmon Prokurorinë, dhe mbi të gjitha bllokon apo frymëzon veprimtarinë e saj, pse jo dhe forcën e rezistencën e saj ligjore. E tillë ishte p.sh., lufta dyvjeçare anti-institucionale, aspak ligjore e kushtetuese, e PD-së ndaj Prokurorit të Përgjithshëm.

Kjo shihet qartësisht dhe sot, duke paragjykuar apo kundërshtuar veprime kryesore të saj. Pavarësisht që në skenën e sulmit na dalin sot ca fytyra më të "njoma", kurse skenari tërhiqet nga e njëjta dorë e mendje! Por, diçka e tillë e dobëson këtë institucion, në kryerjen e detyrës shtetërore të akuzës, që në thelbin e saj është dhe mbetet pa ngjyrë. Thënë ndryshe, përgjegjësinë për miradministrimin, rritjen e besueshmërisë dhe të shkallës së profesionalizmit së këtij institucioni, krahas dobësive e mangësive të brendshme së tij, funksionimit, profesionalizimit e ndershmërisë, e ka mbi të gjitha edhe politika e "oktapodët" e saj. Janë ndërhyrjet e një politike të tillë që paralizojnë pushtetin gjyqësor. Madje, në një mënyrë apo tjetrën, ndërhyrjet e ndryshme ligjore, kufizimet financiare e preferencat partiake, klanore e nepotike, janë kthyer në pjesë inerente të korrupsionit politik. Pra, është pikërisht ky korrupsion politik, që krahas ushqimit dhe frymëzimit të çdo aspekti korruptiv, i ka paralizuar dhe vazhdon t'i paralizojë, ende sot, si organin e akuzës, ashtu dhe organin e gjykimit. Në këtë patologji politike tonën, duhet parë dhe Prokuroria e sotme: Puna, kualitetet, vlerësimet dhe rezultatet e saj.

Ky është dhe ngërçi ynë. Pa shkatërruar këtë lloj politike jodemokratike, abuzive e primitive, pa rritur dita-ditës rolin e shoqërisë civile dhe të vetë qytetarit, pa mbështetur median qytetare e neutrale, konstruktive e profesionale (jo atë servile e partizane), gjithmonë hapat tanë do të mbeten pjesorë dhe të ngadalshëm, zhvillimi ynë politiko-institucional dhe ekonomiko-social, i vonuar. Pra, jo vetëm nuk do të arrijmë atë që duhet, por do të vazhdojmë të vuajmë atë që praktikisht ne vetë "ushqejmë" në proceset tona zgjedhore. Pasojë e tillë, si në çdo sektor të shtetit dhe shoqërisë, më shumë apo më pak, është dhe sistemi i drejtësisë, organet e penalizmit dhe të gjykimit, pra dhe vetë Prokuroria shqiptare...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›