E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë Prokurorie duam?

A është kjo Prokuroria që na duhet? Për t'i dhënë përgjigje të plotë pyetjes, në radhë të parë duhet të jemi të qartë se çfarë Prokurorie duam. Cilin model? Këtë që kemi, e kemi unike. Prokuroria jonë nuk i ngjan asnjë modeli të asnjë vendi në Evropë dhe më gjerë. Modeli është i paqartë. Duam një Prokurori më afër gjyqësorit, apo më afër ekzekutivit, apo do ta lëmë kështu siç është? Edhe në pyetjen e forumit, sot, ndihet tendenca për ta parë Prokurorinë si një institucion të veçantë dhe jo si pjesë e sistemit të drejtësisë.

Prokuroria është institucion shumë i fortë, aktualisht duket jo si pjesë e pushtetit të tretë, por si pushtet që mund të etikohet 3/1.

Megjithëse për Prokurorinë është folur shumë, nuk janë adresuar pyetje bazë si: Ku çalon Prokuroria? Cilët janë problemet që ka në ligj? Cilët janë problemet që ka në infrastrukturë? Deri më tani, debati për Prokurorinë, më shumë ka qenë debat politik. Kur flitet për pavarësi të institucionit, nuk duhet nënkuptuar vetëm pavarësia nga politika. Sa është e rëndësishme që Prokuroria të jetë larg Kryeministrit, po aq e rëndësishme është që të jetë larg edhe nga arbitrariteti.

Edhe në debatin që shoqëroi projektligjin e ri për Prokurorinë, nuk u diskutua për rritjen e pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe transparencës, rolit dhe varësisë së dyfishtë që ka policia gjyqësore, por kryesisht për cic- mice. Me projektligjin e ri, modeli as ndryshon dhe as modifikohet. Edhe me ndryshimet kushtetuese që u bënë në 21 prill të këtij viti, nuk pati asgjë thelbësore në raport me institucionin e Prokurorisë. Kufizimi i mandatit nuk sjell gjë të re për institucionin. Shkaqet e shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm janë të shkruara, por shumë të përgjithshme dhe gjithmonë do të lënë derën gjysmë të hapur për debat.

Prokuroria po shihet e shkëputur nga gjykata dhe nga puna e policisë. Drejtësia penale përfshin edhe policinë. Njëgjykatë e fortë ka ndikim të madh në punën e Prokurorisë. Përgjithësisht, tradita e viteve të fundit ka treguar se, më shumë se një institucion i pavarur, Prokuroria ka vepruar si një noter i policisë dhe gjykata si noter i Prokurorisë. Institucionet që duhet të kontrollojnë njëri-tjetrin veprojnë si ortakë. Mendësia e gabuar çon që, më shumë se fjalën kontroll, të nënvizohet fjala bashkëpunim. Një gjyqtar, sado i dobët të jetë profesionalisht dhe sado vulnerabël ndaj korrupsionit, nuk mund të bëjë numra me një dosje që një prokuror e ka kopsitur mirë dhe anasjelltas. Pra, nëse do të kishim një krah që punon me profesionalizëm, do të kishim efektin domino në krahun tjetër. Për fat të keq, efekti domino vepron, por në sensin që gjyqtari dhe Prokurori gjejnë "gjuhën e përbashkët" dhe nxjerrin jashtë loje avokatët ose avokatët veprojnë si sekserë mes palëve. Këtu vetëm për DREJTËSI nuk mund të flasësh, (një nga gjërat më të papranueshme të drejtësisë në Shqipëri është politika penale që ndiqet ndaj të vegjëlve, të pafuqishmëve, një politikë që të kujton proverbin grek: Drejtësia është si rrjeta e merimangës, - pezhishkat e vogla i kap dhe i mbyt, ndërsa të mëdhatë e fshijnë vetë rrjetën).

Druaj se pyetja juaj ka të bëjë më shumë me punën e Prokurores së Përgjithshme dhe çështjet e bujshme (Gërdeci, rruga Durrës-Kukës, Fazlliçi, etj.), që ende i ka në dorë Prokuroria. Pikërisht për këtë fakt, pritshmëria ndaj Prokurorisë është shumë e madhe. Ndoshta më e madhe se mund të mbajnë shpatullat e saj.

Është pozitive që Prokuroria po heton ekzekutivin dhe shumicën. Kjo nuk ka ndodhur më parë. Por, në harkun e një viti, ne nuk kemi vënë re ndonjë gjë thelbësore në riorganizimin e institucionit, në krijimin e strukturave të reja apo shkarkime të prokurorëve për paaftësi a korrupsion.

Debatet e fundit që kanë vënë në qendër të vëmendjes Prokurorinë, kanë të bëjnë me zvarritjet e punës në organin e akuzës. Të marrim rastin e rrugës. Po bëhet një vit që i është hequr imuniteti z. Basha. Për çfarë kërkohet imuniteti? Për të ngritur akuzë penale, për përgjime dhe për kontroll. A ka ndërmarrë ndonjë veprim, në këtë rast, Prokuroria. Druaj se jo. Dhe, me këtë qëndrim, i ka dhënë hapësirë mbrojtjes të deklarojë se rasti që po hetohet është unik në zvarritje. Prokuroria nuk ka pse i fut çështjet në labirintin e vonesës. Një dosje, ose e mbyll dhe e dërgon në gjykatë, ose në të kundërt i kthen imunitetin personit që heton. Ndoshta në Prokurori ka një ndrojtje për t'u ballafaquar me politikanët dhe për t'i trajtuar ato si gjithë të tjerët. Nëse themi se të gjithë janë të barabartë para ligjit, me të gjithë nënkuptojmë edhe ato që bëjnë ligje. Nëse themi se askush nuk qëndron mbi ligjin, nuk duhet të bëjmë veprime që të kujtojnë thënien e famshme te "Ferma e kafshëve", "të gjithë kafshët janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët". Nëse do të kishte ndonjë qytetar të zakonshëm të përfshirë në këto çështje, jemi të sigurt se do të kishte trajtim tjetër. Për rastin konkret, nuk më duket e ndershme që të mbyllësh hetimin dhe në momentin e fundit kërkon t'i thuash personit që ke hetuar: "dosja u mbyll, takohemi në gjykatë!". Prokuroria e ka pasur gjithë kohën për të bërë ballafaqimin dhe nuk e ka bërë.

Druaj se të njëjtin fat do të pësojë edhe dosja e Gërdecit. Me ndryshimin e akuzës ndaj personave që janë në burg është fituar kohë. Mund të fitohet kohë edhe duke pritur "letër porositë", apo mund të fitosh kohë duke pritur "akt ekspertizën", si në rastin e rrugës, por në analizë të fundit, ke humbur kohë, je vonuar. Dhe, një drejtësi e vonuar, është dhe drejtësi e mohuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›