Duhet pritur dhe duhet shpresuar
A është kjo Prokuroria që na duhet? Pyetja është padyshim një pyetje interesante. Sigurisht, ajo nuk lind vetvetiu dhe sidomos, në momentin aktual, për shumë qytetarë të këtij vendi, ajo është më shumë se një pyetje konkrete, është një pyetje presuese. Nëse do ta bëja më të thjeshtë për veten dhe lexuesin (ky i fundit ndoshta nuk ka nevojë për teorizime) do të mund ta ndërtoja ndryshe atë; a dëshirojmë ne një Prokurori që heton njësoj, si të varfrin ashtu edhe të pasurin, si të pushtetshmin ashtu edhe të përjashtuarin social, si një kirurg, shpëtues jetësh njerëzore, që paguhet nën dorë, për shërbime publike ashtu dhe një ministër patriot, ëndrra më e madhe e të cilit, ajo e ndërtimit të një rruge që lidh Kosovën me Shqipërinë, u ka kushtuar qytetarëve të këtij vendi miliona euro dëm ekonomik (sipas një organi të specializuar, siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit)?
Çdo demokrat shqiptar, nuk do të mund të përgjigjej, veçse po. Në fakt, këtu qëndron vetë thelbi i sistemit që duam të ndërtojmë, i cili bazohet në parimin e Barazisë Përballë Ligjit. Megjithatë, ndryshe nga rasti i kirurgut, i vjedhësve të bukës (gjë që tregon se qytetarët e këtij vendi nuk janë ende të barabartë) etj., etj., çështja e ministrit patriot, po ngre në këmbë një debat të madh politik, i cili, në fakt, përbën një dëm të jashtëzakonshëm ndaj aktivitetit hetimor konkret. Sipas shumicës së sotme, me pak fjalë, Prokuroria është përdorur politikisht nga opozita dhe lideri i saj dhe se ky hetim, apo më saktë, zgjatja e tij, ndodh jo për të vënë drejtësinë në vend, por për të penguar përfundimin e rrugës patriotike dhe bashkë me të, të mbajtjes së premtimit përkatës.
E thënë ndryshe, kjo Prokurori nuk është reformuar ende ose reformat kanë dështuar dhe, siç ndodh rëndom, me të njëjtën shumicë të sotme, ajo “bie” gjithmonë në “kthetrat” e opozitës dhe përdoret vazhdimisht nga kjo. Shkurt, këtej e tutje, ndoshta ndryshe nga çdo demokraci në botë, ne duhet të mendojmë më tepër, për të zbuluar dhe aprovuar mekanizma ligjorë, që të ruajnë pavarësinë e këtij institucioni, jo nga pushteti, por nga opozita.
Por, le ti lëmë shakatë. Në rastin konkret, kemi të bëjmë me një presion direkt nga pushteti i sotëm mbi aktivitetin hetimor të Prokurorisë. Rast tipik doktrinar, i cili argumenton nevojën e jashtëzakonshme për pavarësi të këtij institucioni nga ekzekutivi, sidomos në vende pa tradita demokratike si Shqipëria. Rast, gjithashtu tipik, i cili nxjerr lakuriq mentalitetin e munguar demokratik, i mjegulluar nga demagogjia rutinore e demokracisë dhe arritjeve. Por, le t’i kthehemi pyetjes sonë.
T’i rezistojë këtij presioni dhe të vazhdojë punën e saj, a është e mjaftueshëm për ta bërë këtë organ, Prokurorinë që ne duam? Jo. Mendoj se jo. Në stadin ku jemi dhe në raport me objektivat që kemi, është akoma e pamjaftueshme. Nuk duhet të harrojmë se ky organ e bazon punën e tij në parimin e ushtrimit të detyrueshëm të veprimit penal. Sipas këtij parimi, kur Prokuroria merr një lajm kriminal (notitia criminis), ajo nuk zotëron, qoftë në teori, qoftë në praktikë, një hapësirë të tillë vendimmarrjeje, e cila t’i lejojë asaj të mos hetojë apo të hetojë më pak se është e nevojshme. Duhet të dimë se hetimet, mund të mos kryhen ose mund të mos jenë të thelluara, jo mbi bazën e një vlerësimi oportun nga ana e Prokurorit, por vetëm në ato raste kur notitia criminis është e pabazë. Duhet të kuptohet pra se, hetimi ndaj rrugës patriotike, nuk mund të jetë një urdhër i liderit të opozitës, nuk mund të trajtohet gjithashtu si një trimëri e mjaftueshme e Prokurorisë. Është thjeshtë, një detyrim i këtij organi, pas lajmit të mbërritur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Kjo është shumë e rëndësishme të kuptohet. Në fakt, është zbatimi i këtij parimi ai që bën të mundur apo kontribuon më pas, nga njëra anë, garantimin e pavarësisë së këtij institucioni, në realizimin e funksionit të tij dhe nga ana tjetër barazinë e qytetarëve përballë ligjit penal.
Kuptohet pra, të hetojë ministrin patriot, pavarësisht nga presioni i shumicës, është me të vërtetë pak. Dhe është ende shpejt, të bindemi nëse është vërtet Prokuroria që duam. Le të presim e të gjykojmë. Nuk janë të pakta rastet edhe në vende me demokraci dhe institucione të konsoliduara, kur, nën “petkun” e paanësisë, si karakteristikë e zakonshme e një pale publike si Prokuroria, janë kryer veprime jo legjitime. P.sh., duke neglizhuar të dhëna apo prova, me qëllimin për të mbrojtur të pandehurin, nëpërmjet ngritjes dhe kultivimit të një akuze të pabazë dhe rrjedhimisht humbëse. Shpresoj të mos ekzistojë ky qëllim, pa metodat dhe mjetet gjenden.
Në një vend si Shqipëria, mendoj se duhet pritur. Sigurisht edhe shpresuar, që një ditë, hetimi i “patriotëve” politikë shqiptarë, të mos përbëjë më një ngjarje, por një rutinë për këtë organ. Çka do të ndihmonte, sadopak, edhe elektoratin shqiptar, në zgjedhjet që bën…