A është morali i tepërt?
Koha moderne, jo vetëm në shoqërinë shqiptare, por në nivel global e ka vënë në krizë të thellë jo vetëm etikën si doktrine, por dhe rregullat e sjelljes, të moralit personal dhe social. Nuk ka nevojë për shumë fakte për të vërtetuar këtë të vërtetë, ndeshet përditë në shoqërinë shqiptare. Nuk është e lehtë që në shoqërinë moderne të flitet për etikën dhe moralin në kuptimin e vjetër, doktrinarist të saj. Në njëfarë mënyre tipologjia e vjetër etike, gjithë ajo tërësi rregullash morale të pranuara nga shoqëria, apo të imponuara nga shteti, pothuaj janë duke u “përmbysur” plotësisht. Tani duket sikur në shoqërinë tonë, nuk ka më parime morale, rregulla etike të sjelljes individuale sociale. Duket sikur shoqëria jonë është përballë një “shkretëtire morale”, ku nuk merret vesh se cila është e “mira” dhe e “keqja”, se cila sjellje është humane dhe cila jo e tillë.
Në fakt ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur pas viteve ‘90-të, na detyrojnë të mendojmë ndryshe, të gjejmë strategji të reja për “situatën etike” të shoqërisë, për rrugët e ndikimit moral mbi individin. Kjo është gjëja më e vështirë me të cilën po përballet familja, shkolla, shoqëria dhe strukturat sociale dhe publike të shoqërisë shqiptare. Në këtë kontekst, ka ardhur koha të jemi të vërtetë dhe të sinqertë me veten dhe shoqërinë. Kjo do të thotë që jemi të detyruar të largohemi nga besimi çudibërës i “dogmatizmit etik”, i cili pothuaj ka marrë fund dhe nuk funksionon më në shoqërinë tonë. Doemos që shoqëria shqiptare ka një prishje të dukshme të moralit dhe sjelljes individuale dhe sociale. Për këtë do të mjaftonin jo vetëm faktet empirike të jetës së përditshme, deformimet e bujshme të sjelljes personale dhe publike të disa njerëzve, por dhe të dhënat statistikore të rritura dukshëm për krimet, vrasjet, vetëvrasjet, dhunimet e përdhunimet, të cilat nga që janë në rritje galopante kohët e fundit, dhe janë shqetësim serioz për shoqërinë tone, e cila ka nevojë të gjejë një “riekuilibrim etik” të qytetarëve dhe të shoqërisë së vet. Ndërkaq, jo vetëm ndikimi i “kodit” të vjetër etik të moralit fals është zbehur, por dhe funksionet edukative të familjes, shkollës, komunitetit dhe institucioneve fetare kanë rënë në nivele kritike dhe shqetësuese.
Në mendimin modern bashkëkohor, ka filluar të mendohet për të gjetur rrugën efektive të ndikimit etik mbi njeriun dhe shoqërinë, për të ndikuar në “riekuilibrimin moral” të sjelljes personale dhe publike, përmes largimit nga imponimi i doktrinarizmit etik, si rrugë jo efektive ndikimit moral dhe gjetjes së mënyrave sa më jetësore së intervenimit dhe respektimit të rregullave morale në jetën sociale. Kjo rrugë nuk është e lehtë, madje është shumë e vështirë, sidomos në shoqërinë tonë. Nuk është e lehtë të ndikosh në moralin e shoqërisë dhe sjelljet e njeriut, në kushtet kur gjithnjë e më shumë vetë etika si tërësi e rregullave morale, është bërë konkrete, anti-normative dhe post-metafizike. Në shoqërinë moderne etika njerëzore dhe sjellja sociale është e vështirë që të vijë si e diktuar nga jashtë, apo si diktat i “tjetrit”, kushdo qoftë ai, individ, strukturë sociale apo edhe shteti si i tillë, që veprojnë jashtë njeriut konkret. Është absurde që të mendosh se morali i shoqërisë sonë mund të “rindërtohet” nga “ligje etike”, apo nga “thelbe dhe struktura metafizike”. Koha vërtetoi se nuk kanë patur forcë etikat që shoqërisë dhe njeriut i imponohen në mënyrë ultimative dhe në trajtë doktrinariste nga jashtë. Kjo është e pamundur, duke u nisur nga vetë natyra e njeriut dhe e shoqërisë. Ajo që duket tashmë hapur është fakti se edukata dhe edukimi po bëhen jo proces doktrinarist dhe shkollaresk, por një proces jetësor, konkret, shumë individual dhe i personalizuar, i zhveshur nga kodet morale “absolutë” të së kaluarës. Natyrisht mungesa e kodit etik në pamje të parë duket se e bën të vështirë realizimin e edukimit si proces përtej individit, si punë masive për krijimin e “standardeve të qytetërimit” modern. Por kjo është koha dhe ne duhet t’i bindemi, të gjejmë rrugët më të mira të mundshme për realizimin e edukimit të njeriut.
Shoqëria jonë dhe institucionet e edukimit po kalojnë vështirësi serioze dhe duket se disa prej tyre kanë mbetur pas kohës, kanë humbur orientimin dhe enden në një kaos, për shkak se nga mënyra se si bëhet edukimi moral ka shumë inflacion fjalësh, këshilla pa vlerë, të padobishme, të pa aplikueshme në jetën moderne. Shoqëria shqiptare nuk ka pse të vazhdojë të ecë me reminishencat e edukimit përmes një “morali të madh”, me natyrë klasore, historike, kombëtare e të tjera parime të vjetra të moralit të shoqërisë së shkuar arkaike. Koha kërkon konceptim të ri të këtij procesi, të kësaj detyre sociale. Në vend që të merremi me filozofime etike, me parime puritaniste të zgërlaqura nga moderniteti dhe liria, është më mirë të fillojmë një punë kapilare, inkrementaliste, të kultivojmë rregulla morale që ndikojnë në aspektin individual dhe social të sjelljes së njeriut. Koha moderne nuk është kohë e etikës teorike dhe iluministe, por kohë e “etikës së zbatuar” në jetën dhe kushtet konkrete të shoqërisë shqiptare. Kjo do të thotë që në vend të bëjmë filozofime akademike për etikën dhe rregullat e sjelljes morale, do të ishte mirë që të synojmë të kultivojmë “etikën e zbatuar” në çdo sferë të jetës. Kjo do të thotë që, së pari, të kemi kode etike të sjelljes në shkollë, në spital, në polici, në burgje, në rrugë, në administratën publike, etj. Në se do të përpiqemi që të rregullojmë sjelljen e mësuesit në shkollë, të mjekut në spital, të policit në polici, të nëpunësit në administratë, etj, atëherë do të thotë se jemi duke bërë një punë konkrete dhe me pasoja shoqërore pozitive. Shoqëria jonë në familje, komunitet dhe institucione se do të ndërtojë dhe implementojë etikën e zbatuar, atëherë kjo do të thotë se kemi krijuar “marrëveshje sociale”, për sjelljet përkatëse. Në vend të etikës së vjetër me parime të pandryshueshme që tani nuk funksionon më, në procesin e edukimit, sociologët janë të mendimit që të përdorim në punën edukative etikën si “ndërmjetësim dhe mirëkuptim”, si mënyrë e edukimit që respekton veten dhe tjetrin, lirinë tënde dhe lirinë e tij.
A është e lehtë kjo punë? Jo, nuk është e lehtë, por është më e lehtë se sa të bësh “punë Sizifi”, duke bërë teori etike pa asnjë vlerë, që nuk reflektohen në sjelljen publike, individuale dhe sociale të individit dhe në ato institucione të cilat të marra së bashku përbëjnë shoqërinë. Në këtë pikëpamje ajo është një punë që ja vlen dhe që ka garanci suksesi. Këtë e ka vërtetuar formimi edukativ i qytetarëve në botën perëndimore. Në edukimin etik të njerëzve nuk ka pse të jemi në “boshllëk”. Në vend të punës boshe të bëjmë një punë pragmatiste, që ka vlerë dhe dobi edhe për individin edhe për shoqërinë. Kjo do të thotë, që duhet të përqendrojmë vëmendjen tek edukimi individual, në të cilin rol përcaktues kanë institucione të tilla specifike si familja, shkolla dhe komuniteti. Kemi nevojë urgjente që të përmirësojmë sjelljen dhe performancën etike, individuale dhe sociale, në institucionet tona, në shkolla, spitale, burgje, administratën publike, në shërbimet private, etj. Me etikën këtyre “subjekteve jo personalë” deri tani nuk merret askush. Për fat të keq, nuk kemi as përvojë dhe traditë se si duhet të ndërtojmë “kode etike” funksionuese për të gjithë institucionet, që në fakt të marra në tërësi përbëjnë shoqërinë tonë. Gjithçka që ka të bëjë me sjelljen dhe vlerësimin moral të së “mirës” apo të “keqes”, është në vartësi të ndërgjegjes, vetëdijes dhe perceptimit personal dhe ndikimit të institucioneve social. Kjo duhet kuptuar për të ndryshuar...