E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-gjyqtarëve: Mos u ndikoni nga politika

“Varësia juaj e vërtetë s’mund të jenë preferencat politike, por vetëm nga Kushtetuta dhe ligjet”

TIRANË- Vetëm pak orë pas kritikave të diplomatit amerikan në Tiranë për cenimin e pavarësisë së institucioneve në Shqipëri, erdhi edhe thirrja në të njëjtën linjë e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Në ceremoninë e dekretimit të 6 anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, Topi kërkoi me forcë që pushtetarët t’i mbajnë duart larg nga gjyqësori. “Nocioni dinjitet kërkon që në punën tuaj të mos lejohen interferenca nga pushtete të tjera dhe as nga emra të përveçëm pushtetarësh, interesat e të cilëve preken apo marrin zgjidhje në Gjykatën e Lartë”,- u tha kreu i shtetit 6 anëtarëve më të rinj të shkallës më të lartë të gjyqësorit. Presidenti theksoi se të gjitha institucionet e sektorit të drejtësisë, po dëshmojnë një shkëputje përfundimtare nga apatia dhe klientelizmat, ndaj ai bëri thirrje për dinjitet dhe profesionalizëm. “Varësia juaj e vërtetë nuk mund të jenë preferencat politike, edhe pse Kuvendi miratoi emrat tuaj, por vetëm nga Kushtetuta dhe ligjet, që përbëjnë garancinë tuaj më të mirë për një karrierë gjyqësore”,- tha Topi. Presidenti rikujtoi se Gjykata e Lartë, është në një farë mënyre “Asambleja Parlamentare” e pushtetit gjyqësor, aty ku marrin zgjidhje përfundimtare hallet dhe problemet gjyqësore të shqiptarëve. Ndaj për kreun e shtetit vendimmarrja në Gjykatën e Lartë duhet të udhëhiqet vetëm nga bindjet profesionale dhe të jetë produkt i debatit juridik. Topi vlerësoi procesin e përzgjedhjes së 6 anëtarëve të Gjykatës të lartë, proces që e vlerësoi si sfide parësore për arritjen e standardeve bashkëkohore të shtetit të së drejtës. “Kriteret e standardet profesionale dhe jo vlerësimet e politizuara e të nxituara, e në ndonjë rast edhe emocionale, duhet të shoqërojnë dhe kurorëzojnë procese të tilla kushtetuese dhe institucionale, duke dhënë një imazh ndërveprimi dhe jo marrëdhëniesh paragjykuese, që mund të përcjellin në mënyrë të pashmangshme efekte negative në opinionin publik dhe në veçanti në komunitetin e gjyqtarëve të interesuar e të angazhuar në rritjen e efektshmërisë, pavarësisë dhe integritetit të pushtetit gjyqësor”,- deklaroi Topi. Ai edhe njëherë i bëri thirrje politikës që të respektojë vërtet pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe jo me retorikë boshe. “Për një komb, drejtësia është si buka e përditshme, për të cilën ai është gjithmonë i uritur”,- citoi një shprehje të vjetër, kreu i shtetit. Në ceremoninë e zhvilluar në Presidencë të të gjashtë anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, Ariana Fullani, Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj, Majlinda Andrea dhe Andi Çeliku, ishin të pranishëm ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, përfaqësues të Misionit të Asistencës Ligjore, EURALIUS, të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, anëtarë të Gjykatës së Lartë si dhe juristë, gjyqtarë dhe personalitete të fushës së Jurisprudencës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›