Erion Bogdani kërkohet nga Ipsuiç Taun
Sulmuesi shqiptar mund të largohet nga Kievo. Për tëinteresohen disa skuadra italiane, por edhe angleze
Vazhdon stërvitjen te Kievo, por është pranë largimit nga kjo skuadër. "Ethet" e merkatos kanë përfshirë edhe Erion Bogdanin, i cili me shumë mundësi do të jetë pjesë e një klubi tjetër në sezonin e ri. Mediat italiane kanë kohë që flasin mbi të ardhmen e sulmuesit të kombëtares shqiptare, por ky i fundit është treguar i qetë, duke kërkuar të respektojë kontratën me klubin veronez.
"Për Bogdanin interesohet klubi anglez, Ipsuiç Taun,"- shkruante dje gazeta veroneze "L'arena", së cilës i referoheshin edhe disa media të shtetit "ishullor". Megjithatë,nëpërmjet linjës telefonike, Erion Bogdani sqaroi:
"Deri më tani edhe unë nuk di asgjë mbi atë çfarë po flitet. Ajo që mund të them është se po vazhdoj të stërvitem me Kievon."Më tej, i pyetur nëse do ta dëshironte një eksperiencë në Angli, tek Ipsuiç Tauni, 30-vjeçari u tregua i rezervuar. "Ipsuiçi? Duhet të presim edhe pak. Nuk është momenti të flasim për këtë gjë, pasi më parë unë duhet të bisedoj me drejtuesit e klubit. Nga këta të fundit nuk kam ende asnjë sinjal." Sulmuesi kuqezi ka edhe dy vite kontratë me Kievon, e cila këtë sezon u ngjit në Serinë A.
"Natyrisht, dëshira ime është të vazhdoj të luaj në kampionatin italian. Tani mezi pres të luaj, për të nisur një kampionat të mbarë dhe pa dyshim me shumë gola. Po jap shumë në stërvitje, për të arritur formën e duhur. Jam nën kontratë me Kievon dhe zgjidhja e kësaj të fundit nuk është aq e lehtë. Gjithsesi, më mirë e dinë drejtuesit. Nëse ata kërkojnë të më shesin, edhe unë do të shikoj interesat e mia. E kam thënë edhe më parë, që nuk lëviz më si i huazuar. Ose prish përfundimisht kontratën me Kievon, ose qëndroj,"- thotë Bogdani, që sezonin e fundit luajti te Livorno si i huazuar. Dje, ekipi verdheblu i Kievos shpërndau numrat për futbollistët, teksa Bogdani do të mbajë mbi shpinë fanellën me numër 23, ndryshe nga dy vite më parë, kur kishte 88-n.