A është rritje pagash e pensionesh kjo e qeverisë? Berisha nuk ka prerë asnjë shirit inaugurimi për të gjeneruar vende pune
Në mbledhjen e qeverisë ditën e shtunë, kryeministri foli gjatë për ekonominë që po shkëlqen, por nuk u tha shqiptarëve se sa përqind kishte ndërmend të rriste pagat e pensionet, meqë e kishte thirrur atë mbledhje qeverie jashtë radhe për atë qëllim. Mediat e qeverisë gërmuan dhe zbuluan se rritja ishte 4-5 përqind. Ekspertët thonë se nuk ka vlerë kjo rritje për shkak se është indeksim i inflacionit, dmth një kompensim për çmimet e çmendura. Është e kuptueshme se kryeministri nuk mund ta thoshte një gjë të tillë në mbledhjen e qeverisë. Por Shqipëria sërish në mes të vitit po rishikon buxhetin, për shkak se parashikimet kanë qenë katastrofike, aq katastrofike sa FMN ka sugjeruar që këtë gjë të mos ia lërë në dorë qeverisë, por një grupi të pavarur ekspertësh. Kjo është një shuplakë e rëndë për qeverinë. Fjala bie, vetëm për doganat e tatimet do ketë një ulje me 140 milion dollarë për parashikimin fillestar në këtë rishikim të buxhetit.
Por Berisha foli edhe për diçka tjetër në atë mbledhje, për uljen e ndjeshme të papunësisë. Manovra e qeverisë për të quajtur të punësuar ata njerëz që jetojnë në fshat, aty ku lulëzon varfëria e papunësia është skandal. Por gazeta Tema bëri një hetim të vogël, kërkuam në të gjitha njoftimet e kryeministrit Sali Berisha, i cili nuk lë shirit inaugurimi pa prerë, për të parë se kur ka qenë në një inaugurim të një aktiviteti që gjeneron vende pune. Nuk haset gjëkundi në vitin e fundit prania e tij në ndonjë biznes që të quhet vërtet i rëndësishëm për punësimin e shqiptarëve.