E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, emrat e 194 ushtarakëve të rinj përfitues

Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon zyrtarisht listën e re me emrat e 194 ish-ushtarakëve, që u është lidhur pensioni deri në datën 1 korrik. Përfituesit i përkasin kategorisë së pensioneve suplementare të pleqërisë dhe asaj të pensioneve të parakohshme. Me gjithë përfituesit e fundit, në total numri i ish-ushtarakëve, për të cilët ka përfunduar procesi i llogaritjes dhe caktimit të pensionit, e ka kaluar shifrën 2 mijë. Pjesa më e madhe e ish-ushtarakëve që kanë përfituar deri më tani nga ligji nr.10142 janë kategoria e atyre, të cilëve u ka lindur e drejta qysh prej datës 1.7.2009, por nuk kanë përfituar të drejtën e pagesës. Deri më tani, nga kjo kategori kanë përfituar 1 038 ish-ushtarakë, ndërkohë që, sipas të dhënave nga ISSh, janë mbi 4 500 ish-ushtarakë që do të përfitojnë për herë të parë pensione suplementare, pensione të parakohshme, dhe rillogaritje të pensionit nga ligji nr.10142, i datës 15 maj 2009. Kurse për sa i përket llojit të përfitimeve, ashtu siç edhe ISSh ka bërë të ditur që në nisje të procesit, në fazën e parë të rillogaritjes së pensioneve të ish-ushtarakëve do të përfundojë sa më shpejt procedura për të gjithë ata persona të cilëve u ka lindur e drejta qysh prej datës 1.7.2009, por nuk kanë përfituar të drejtën e pagesës. Faza e dytë janë personat e pensioneve suplementare të ish-ushtarakëve para 30 qershorit 1991, të cilët kanë dalë në rezervë. Kryesisht, këta janë kategoria e personave të cilët kanë dalë që të gjithë në pension, por nuk kanë përfituar nga ligjet e mëparshme. Aktualisht ka nisur procesi edhe për këta të fundit, dhe në çdo listë të publikuar nga ISSh, numri i tyre vjen duke u rritur.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›