E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plazhi dhe pishinat, shtohen infeksionet e veshit

Mjeku otorinolaringolog Bledi Nini: Këta persona, para se t’u drejtohen plazheve dhe pishinave, duhet të vizitohen te mjeku i veshëve për të parë gjendjen

Infeksionet e veshit janë bërë problemi më i shpeshtë shëndetësor gjatë stinës së verës, për shkak të ujit të ndotur të plazheve dhe pishinave. Aktualisht, në Shërbimin e Otorinolaringologjisë, (ORL) në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” QSUT ka një fluks pacientësh me infeksione në aparatin e dëgjimit, që paraqiten aty për ndihmë shëndetësore. Mjeku otorinolaringolog Bledi Nini, pranë QSUT-së, bën të ditur se pranë Pavijonit të ORL-së janë shtuar pacientë me dhembje fyti dhe me temperaturë të lartë, si pasojë e qarkullimit të tyre nga temperaturat përvëluese në ato të ftohta. “Infeksionet e veshit të jashtëm kanë të bëjnë direkt me ujin e detit dhe të pishinave. Në klinikën tonë kemi një fluks të shtuar të këtyre pacientëve, që sa vjen e rritet. Janë infeksione që shoqërohen me dhimbje të forta të veshit, temperaturë të lartë dhe kanë nevojë për një terapi disa ditore dhe një mjekim lokal. Vitet e fundit është vënë re që pacientët janë ata persona që kanë kontakte të vazhdueshme me ajrin e kondicionuar, rrjedhimisht ulet qëndrueshmëria e trupit dhe pacientët preken nga infeksionet e grykëve, që në periudhën e verës janë dhe më të ashpra”, - pohon Nini. Sidomos për personat që kanë probleme me veshët, mjekët sugjerojnë përdorimin e tapave për veshët gjatë zhytjeve në ujë, si dhe të kurohen në kohë, pasi ata mund të kthehen në të prekur kronikë. “Këta persona, para se t’u drejtohen plazheve dhe pishinave, të vizitohen te mjeku i veshëve për të parë gjendjen e veshit. Ata që kanë këto probleme duhet t’i ruajnë veshët nga uji dhe kjo realizohet nëpërmjet disa tapave që gjenden në farmaci”, - thekson mjeku otorinolaringolog Bledi Nini. Ndonëse nuk njihen ende të gjitha shkaqet, të rriturit janë grupi më i ndjeshëm kundrejt infeksioneve të veshit. Megjithatë mjekët i kërkojnë prindërve që të jenë të kujdesshëm edhe për fëmijët, të cilët nuk ngelen pas për t’u prekur nga këto probleme.

Problemet në zemër, zgjidhja operacionet e hershme

Keqformimet e lindura në zemër tek foshnjat në vendin tonë kanë shkuar 8 në 1 mijë lindje. Mjeku kardiokirurg, Arben Baboçi sqaron se pjesa më e madhe e tyre kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale dhe më të shpeshtat janë vrima në zemër dhe ato që kanë të bëjnë me ngushtimin e enëve të gjakut. “Rreth 8 për 1 mijë lindje, që do të thotë se në një vend si i yni, ku kemi rreth 50-55 mijë lindje në vit, 400-450 janë me të tilla probleme, nga të cilët 250-300 do të kenë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale”, - thotë Baboçi. Më tej, ai thekson se sa më herët të kryhen ndërhyrjet aq më pak komplikacione do të kenë foshnjat. Megjithatë, vitet e fundit këto defekte të lindura kanë filluar të diagnostikohen më herët dhe pranë dy materniteteve në kryeqytet, nëpërmjet një ekoje, që në embrionin e nënës. “Çdo grua shtatzënë, deri në javën e 20-të të shtatzënisë, duhet të bëjë patjetër një eko fetale për kontrollin e zemrës fetale, për të parë zemrën e fëmijës dhe jo një eko thjesht për të parë fëmijën në përgjithësi. Të gjitha mund të diagnostikohen. Po të flasim për Tiranën, ekziston mundësia dhe në qytet kemi 10 mijë lindje në dy maternitetet e Tiranës”, - shprehet Baboçi. Lidhur me faktorët që sjellin deformimet në zemër, sipas mjekëve, ata janë të shumtë dhe nuk kanë të bëjnë vetëm me ata gjenetikë, por dhe me ata ambientale. Ndaj mjekët këshillojnë, që kujdesi më i madh të tregohet gjatë tre muajve të parë të shtatzënisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›